E mërkurë, 18 Qershor, 2025
33.8 C
Skopje

1.3 MILIARDË EURO PËR HIDROCENTRALET! “Çebren” dhe “Galishte” me kredi britanike

Në 20 vitet e fundit kanë dështuar 14 tenderë për ndërtimin e hidrocentraleve të Çebrenit dhe Galishte. analizat fillestare tregojnë se kostoja do të jetë rreth 1.3 miliardë euro me kredi britanike

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 8 qershor – Në 20 vitet e fundit kanë dështuar 14 tenderë për ndërtimin e hidrocentraleve të Çebrenit dhe Galishte. Fillimisht u mendua se ato do të ndërtohen së bashku , por më vonë mbeti ideja që të ndërtohet vetëm ai i Çebrenit, për tu rikthyer nga qeveria aktuale varianti i ndërtimit të të dy hidrocentraleve. Ideja për “Çebren” filloi me studimet e para të fisibilitetit në vitin 1964. Në vitin 1986 u nënshkruan kontrata për përgatitjen e dokumentacionit investues dhe teknik për HEC-in “Çebren”.

Ministrja e Energjetikës, Sonja Bozhinovska, beson se është më mirë t’i ndërtojmë me para të huaja, por të mbeten në pronësi të shtetit. Megjithatë, të gjitha opsionet ende po shqyrtohen. Gjithashtu po bëhen gjithashtu plane se sa do të kushtojë ndërtimi, megjithëse analizat fillestare tregojnë se kostoja do të jetë rreth 1.3 miliardë euro me kredi britanike. “Sigurisht që duam që të jetë projekti ynë, do të shohim se në çfarë kushtesh, sepse është një projekt që ndërtohet për shtatë ose tetë vjet. Do të shohim edhe kushtet e pagesës, pra nuk do të jetë që paratë duhet të paguhen menjëherë dhe do të shohim se nën cilat kushte më të mira mund të fillojmë ndërtimin”, tha ministrja Bozhinovska.

Sipas saj, kishte një grup ekspertësh që punoi për disa muaj dhe vendosëm një kornizë. “Tani jemi në fazat e fundit të të menduarit se sa do të arrinte kjo, nëse do të ishte 1.2 apo 1.3 miliardë. Do të shohim saktësisht se cila do të jetë lartësia e digës, si dhe çka na duhet në tërësi. Kur ta dimë shumën e saktë, do të shohim se në cilat ka kushte më të mira mund të fillojmë ndërtimin”, u shpreh ajo.

Vlerësohet se ky është një projekt që duhet t’i sjellë vendit vlerë të madhe të shtuar.  “Jam thellësisht i bindur se këto dy hidrocentrale na duhen jo vetëm nga perspektiva e prodhimit të energjisë elektrike. Duke marrë parasysh ndryshimet klimatike, këto dy rezervuarë të rinj uji do të nevojiten në të ardhmen, gjë që do të jetë një sfidë e madhe në të ardhmen. Jam i bindur se këto dy rezervuarë uji, së bashku me rezervuarin ekzistues të Tikveshit, do të sigurojnë ujë shtesë për Fushën e Tikveshit, 55-60 mijë hektarë tokë bujqësore të klasit të parë ku ka shumë kultivues frutash, ku përdoret një sistem i organizuar ujitjeje, të cilit në periudha të caktuara të vitit ju mungon uji, duke ulur të korrat dhe rendimentin “, thekson kryeministri Hristijan Mickoski.

Sipas tij, në raport me dy rezervuarët, duke marrë parasysh rrethin e Mariovës, i cili është një “vrimë e zezë” dhe i pabanuar, dhe duke marrë parasysh që kjo zonë është e rrethuar nga male, mund të zhvillohet edhe turizëm. Duke shtuar se tashmë kemi investitorë privatë të interesuar për pajisjen e të gjithë hapësirës me përmbajtje shoqëruese.

Në përpjekjet për të gjetur fonde dhe investitorë të interesuar, qeveritë e mëparshme ofruan kushte të ndryshme si ndërtimin e të dy hidrocentraleve, ndërtimin vetëm të Çebrenit, menaxhimin e hidrocentralit për një periudhë prej 52 vitesh, plus menaxhimin e HEC-it Tikvesh, një digë më të lartë, një digë më të ulët. Investitorët e mundshëm përfshinin italianë, gjermanë, francezë.

E fundit ishte Korporata Publike Greke e Energjisë Elektrike PPC që iu përgjigj thirrjeve publike. Përpjekja e fundit e pasuksesshme përfundoi në fillim të vitit të kaluar. Domethënë, në shtator 2023, ofertuesi më i mirë i përzgjedhur për Çebren – PPC Archirodon nga Greqia, i cili nuk e zgjati garancinë bankare që ishte e vlefshme deri më 31 dhjetor të atij viti.

Tani po rikthehet në lojë ndërtimi i të dy hidrocentraleve, në dallim prej më parë kur shpjegimet ishin se në Lumin Crna Reka nuk kishte ujë të mjaftueshëm për të ndërtuar dy centrale, kështu që për një kohë të gjatë vetëm Çebren u ofrua në tenderë.

Përpara se të konfirmohej se ato do të ndërtoheshin me para britanike, Qeveria njoftoi se ato ishin diskutuar gjatë një vizite në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Tenderi i fundit që dështoi ishte gjatë qeverisjes së mëparshme. Në atë kohë, negociatat ishin duke u zhvilluar me kompaninë greke Archirodon. Plani ishte që Çebren të ndërtohej për një miliard euro, dhe në këmbim të merreshin dy të tretat e menaxhimit për gjashtë vitet e ardhshme, si dhe të menaxhohej hidrocentrali i Tikvesh.

12 vite më parë investitorët potencial janë joshur edhe me ndryshimet e reja. Lartësia e digës së hidrocentralit Çebren do të jetë fleksibile midis 182.5 dhe 192.5 metrash me mundësinë e instalimit të katër njësive në Hec-in Çebren. Më 2013, kushtet e thirrjes publike për zbatimin e procedurës për dhënien e koncesionit për përdorimin e ujit për prodhimin e energjisë elektrike nga hidrocentralet në Lumin Crna Reka, të njohura si Hec Çebren dhe Hec Galishte, ishin në një farë mënyre të balancuara midis nevojave të shtetit dhe kërkesave të koncesionerëve të ardhshëm, mirëpo projekti sërish mbeti vetëm në letër.

Investitori i ri do të duhej të ofrojë jo më pak se 35 për qind të aksioneve të ELEM apo të Elektroekonomisë së tanishme në sipërmarrjen e përbashkët me investitorin potencial, në vend të 39 për qind paraprakisht. Çmimi për transmetimin e energjisë elektrike që i paguhej Mepso do të ishte fiks dhe i vlefshëm për të gjithë periudhën e koncesionit në nivelin e tarifës për vitin 2013, e përcaktuar në 4.4 euro për MW orë, dhe HEC Tikvesh do t’i transferohej koncesionerit 3 muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes së koncesionit. Kompani serioze evropiane si Rve, Enel, Verbund, Evn, PPC, Cve, Strabag, Balkan Energy grup, të gjithë u përpoqën, por nuk vendosën më në fund të ndërtonin Çebren. Disa ministra të ekonomisë që drejtuan projektin ndryshuan, u zhvilluan shumë takime me investitorë potencial, por epilogu është akoma pritje për më shumë se 20 vite për gjetjen e një kompanie që do të investojë në hidrocentralet në Lumin Crna Reka. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm