E enjte, 17 Korrik, 2025
24.8 C
Skopje

100 trotinete elektrike në Tetovë

Drejtori i kompanisë Ar-Holding, Arlind Pajaziti, tha se qytetarët që duan të shfrytëzojnë trotinetet elektrike fillimisht do të duhet të shkarkojnë aplikacionin Troti.mk dhe aty do të gjejnë të gjitha informacionet, rregullat dhe instruksionet për përdorimin e trotinetit

Urim HASIPI

Tetovë, 4 korrik – Qytetarët e Tetovës prej ditës së sotme do të mund të shfrytëzojnë trotinetet publike. Rreth 100 trotinete elektrike janë prezantuar nga ana e Komunës së Tetovës dhe Kompania Ar Holding. Një minutë për shfrytëzim të trotinetit elektrik është 6 denarë, ndërsa sipas kryetarit të komunës së Tetovës, Bilall Kasami, trotinetet elektrike që po fillojnë punën, janë shprehje e një qyteti që zgjohet, që dëshiron të ecë përpara, pa zhurmë, pa ndotje, por me energji pozitive dhe mençuri.

Qytetarët që do të shfrytëzojnë trotinetet duhet të plotësojnë disa kushte, ku ndalohet heqja e duarve nga timoni, ndalohet vozitja e më shumë se 1 personi në trotinet,ndalohet tërheqja ose transporti i sendeve dhe kafshëve dhe ngjitja në ndonjë mjet tjetër.

“Ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë, ku Tetova do të bëhet shembull i përparimit, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por në gjithë rajonin. Po ashtu, duam të informojmë qytetarët se çdo qytetarë që do shkarkojë aplikacionin Troti.mk, do të përfitoj 5 minuta falas për të shfrytëzuar trotinetet elektrike. Ndërsa, sa i përket çmimit të vozitjes së trotineteve, çmimi do të jetë 6 denarë për minutë. Gjithashtu, për arsye ligjore shpejtësia maksimaleështë e limituar në 25 kilometra në orë. Vozitësi duhet t’i respektojë rregullat e trafikut, të jetë mbi 13 vjet, të mbajë helmet mbrojtëse, si dhe në kushte kur dukshmëria është e ulur dhe gjatë natës duhet të vesh jelek reflektues”, tha kryetari i Komunës së Tetovës.

Trotinetet janë prodhuar në Maqedoninë e Veriut, ndërsa mënyrë e operimit është bërë njëjtë si funksionon në metropolet evropiane.

Arlind Pajaziti, drejtor i kompanisë Ar Holding, e cila ka aplikuar në thirrjen e Komunës së Tetovës, nënvizon se i tërë koncepti është adaptuar në bazë të infrastrukturës që ka qyteti i Tetovës dhe punohet në bazë të rregullave dhe ligjeve për siguri në komunikacionin rrugor.

“Përmes këtij projekti synojmë të reduktojmë ndotjen e ajrit duke u mbështetur edhe në energjinë e rinovueshme që është një alternativë e karuburantëve dhe ne do të bëjmë përpjekje që të ofrojmë një zgjidhje efikase dhe të qëndrueshme të transportit urban duke ju ofruar qytetarëve trotinete elektrike me të cilët do të mund të lëvizin më lehtë dhe shpejtë brenda qytetit dhe me një parkim tëthjeshtë”, tha Arlind Pajaziti, drejtor i kompanisë Ar Holding.

Ai më tej tha se qytetarët që duan të shfrytëzojnë trotinetet elektrike fillimisht do të duhet të shkarkojnë aplikacionin Troti.mk dhe aty do të gjejnë të gjitha informacionet, rregullat dhe instruksionet për përdorimin e trotinetit. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm