E enjte, 23 Janar, 2025
2.8 C
Skopje

2025-ta, vit sfidues për ekonominë

Ekspertët ekonomik thonë se zhvillimet në ekonominë e vendit varen nga më shumë faktorë si ekonomik, politik, gjeopolitik, rajonal, financiar e kështu me radhë

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 2 janar – Ndërtimi i Korridorit 8 dhe 10D nga ana e Behtel dhe Enka, pritet të lëvizë ekonominë në vitin 2025 së bashku me konsumin privat dhe investimet e tjera dhe eksportin. Njëherësh mbetet të shikojmë se si dhe sa do të shfrytëzohen 500 milionë euro kredi hungareze për komunat dhe biznesin. Sfidë e madhe do të jenë edhe zhvillimet në ekonominë gjermane ku dominon eksporti i Maqedonisë së Veriut. Gjithashtu, vendin e presin edhe zgjedhjet lokale që si rëndom ngadalësojnë rrjedhat ekonomike, për shkak të më shumë ndalesave për realizimin e projekteve konform Kodit Zgjedhor.

Kriza aktuale në Gjermani dhe vendet e tjera të Evropës Perëndimore mund të shkaktojnë probleme shtesë ekonomike në rajon dhe Maqedoni , duke rezultuar eventualisht edhe me reduktimin e kërkesave për eksport nga Maqedonia. Telash tjetër potencial janë edhe doganat e paralajmëruara për prodhimet evropiane nga ana e administratës së presidentit të ri amerikan Donald Tramp, që në mënyrë të tërthortë prekin edhe eksportin vendor në BE.

PREMTIMET E PËRVITSHME

Ekspertët ekonomik thonë se zhvillimet në ekonominë e vendit varen nga më shumë faktorë si ekonomik, politik,gjeopolitik, rajonal, financiar e kështu me radhë. Për më tepër shtojnë se treguesi më i mirë i gjendjes së një ekonomie ai i buxhetit si në aspektin e mbushjes dhe shpenzimit të tij, me vite po ngre debate në radhët e ekonomistëve. Eksperti ekonomik, njëherësh profesori universitar, Neritan Turkeshi, thotë se në më shumë se 20 vitet e kaluara në vend kemi buxhete premtuese dhe optimiste që me kalimin e kohës apo për disa tremujorë i nënshtrohen një apo edhe dy rishikimeve, për shkak të realizimit të dobët të disa zërave buxhetor.

Njëherësh, qeveritë premtojnë nga viti në vit se viti i radhës do të jetë ndryshe, më i mirë, me më shumë investime kapitale, për të ardhur më vonë tek probleme nga më të ndryshmet, duke përfunduar në fund të vitit me konstatimin se aq sa kemi patur mundësi edhe kemi realizuar investimet kapitale si një shtytës thelbësor ekonomik shton ai.

“Çështje më vete është se sa rëndësi i kushtojmë kapitalit njerëzor, apo rritjes së cilësisë së arsimit në të gjithë nivelet ku jo se mungojnë angazhime, investime dhe impenjime të natyrës së ndryshme , mirëpo kjo çështje lë për të dëshiruar edhe karshi rezultateve të testit PISA për nxënësit, ranglistës jolakmuese të universiteteve vendore , por edhe tejkalimit të ngadalshëm të hendekut midis kërkesës dhe ofertës në tregun e punës”, thekson Turkeshi.

Sipas tij, problem më vete që me të vërtetë kërkon një zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme, janë edhe reformat në administratë që përfliten me dekada por që shumë avash po rezultojnë të suksesshme, ku për shembull edhe ngecja e investimeve kapitale ndërlidhet me këtë gjë. Odat Ekonomike gjithashtu kanë shpalosur kërkesat dhe pritjet e tyre për vitin vijues.

BIZNESI SI BIÇIKLETË

Nga Oda ekonomike e Maqedonisë thonë se për arritjen e rritjes ekonomike prej 3.7 për qind nevojitet eliminimi i shpenzimeve joproduktive, mbështetje e qeverisë për bashkitë vendore përmes kredive të buta,ndarje e mjeteve shtesë për programet ekonomike, me të cilat buxheti është rritur nga 40 milionë euro vitin e kaluar në 80 milionë euro këtë vit… Kryetari i Odës Ekonomike, Branko Azeski, bëri thirrje për kujdes në lundrimin e vitit 2025, pasi gabimet ekonomike mund të çojnë në pasoja të tmerrshme. Ai bëri thirrje për një qasje të unifikuar nga bizneset, bashkitë lokale dhe shteti për të stimuluar aktivitetet investuese dhe për të nxitur rritjen.

“Të gjithë duhet të marrim përgjegjësi maksimale për situatën me të cilën po përballemi. Rritja e pagave duhet të jetë në përputhje me rritjen e Prodhimit të brendshëm Bruto dhe të lidhet me pagat administrative dhe pensionet,” thekson Azeski.

Ai theksoi sinjalin pozitiv të rritjes së PBB-së prej 3 për qind në tremujorin e tretë dhe theksoi rëndësinë e mbajtjes së kësaj si një bazë minimale për zhvillimin e mëtejshëm. “Ekonomia dhe sistemi politik duhet të jenë mjaft fleksibël për t’iu përshtatur realiteteve të reja gjeopolitike dhe gjeo-ekonomike. Biznesi është si një biçikletë – nëse vazhdoni të pedaloni, ai përparon ; nëse ndalon, ai rrëzohet. Ne synojmë ta përshpejtojmë këtë moment, pasi rritja më e shpejtë siguron stabilitet”,përfundon ai. Nga OEMVP thonë se sfidat ekonomike me të cilat është përballur vendi gjatë vitit 2024, e që duhen zgjidhur në periudhën e ardhshme janë edhe niveli i ulët të realizimit të projekteve kapitale, vonesat në kthimin e TVSH-së për kompanitë, si dhe sfidat me mungesën e fuqisë punëtore, për çka, bizneset në vend janë në kërkim të rreth 15 mijë punëtorëve.

“Ekonomia joformale arrin në vlerë prej mbi 35 për qind deri në 39 për qind të PBB-së, e që në skenarin “më të mirë” të analizave të OEMVP-së, kjo në nivel vjetor vendit i kushton mbi 700 milion euro, ndërsa në skenarin “më të keq”, tejkalon edhe vlerën prej 1.7 miliarda euro, të cilat janë humbje potenciale e të hyrave buxhetore, andaj nevojiten masa urgjente për të përballuar ekonominë gri, e cila paraqet një barrë të madhe për buxhetin e shtetit”, thekson numri një i OEMVP-së, Mendi Qyra.

PRITSHMËRITË E OEMVP-së

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Mendi Qyra lidhur me pritshmëritë dhe kërkesat e kësaj ode për ekonominë në vitin 2025, thekson rëndësinë e masave dhe strategjive të reja për të adresuar këto sfida dhe për të krijuar një bazë të fortë për rritje të qëndrueshme ekonomike në vitin 2025. Ndër kërkesat dhe prioritetet e identifikuara për vitin e ardhshëm, Qyra veçon Rritjen e PBB-së mbi 4 për qind për 4 vitet e ardhshme, funksionalizimi i sistemit për importimin e fuqisë punëtore nga jashtë, zhvillimi i strategjive për rikualifikimin e punonjësve në administratën publike dhe shpërndarjen e tyre në sektorin privat, realizimin e plotë e investimeve kapitale, zbatimin e projekteve të mëdha si Korridori 8 dhe 10D…

Nga ana tjetër, Banka Popullore për vitin e ardhshëm, pret një përshpejtim të moderuar të rritjes, i cili do të rritet në 3.3 për qind , me kontribut pozitiv nga të gjithë komponentët e rritjes, përfshirë ciklin e paralajmëruar të investimeve publike dhe fluksin më të madh të investimeve të huaja direkte. Përshpejtimi i eksporteve pritet me rikuperim të mëtejshëm të kushteve botërore, si dhe kontribut pozitiv i konsumit personal me rritjen e të ardhurave të disponueshme dhe pritjet për kreditim solid të popullsisë. Megjithatë, rreziqet ekzistojnë dhe kërkohet një qasje e kujdesshme. “Tre faktorë bazë për rritjen ekonomike të një ekonomie si produktiviteti, kapitali njerëzor dhe fizik, shtrirja e të cilave varet nga investimet publike dhe private. Gjithashtu nevojiten masa të rëndësishme reformuese për të ngritur nivelin e produktivitetit në ekonominë tonë, i cili aktualisht është gjysma e niveli mesatar i produktivitetit në BE”, thekson guvernatorja Anita Angelovska-Bezhoska.

Ndryshe në mesin e dhjetorit, Kuvendi i Maqedonisë e votoi buxhetin për vitin 2025. Zhvillimor për qeverinë, dhe shpërdorues për opozitën .Këto ishin vlerësimet për arkën e shtetit .

Parashikimet e qeverisë janë që vitin e ardhshëm do të shpenzohen 6.5 miliardë euro rekord ose mbi 600 milionë euro më shumë se këtë vit. Nga taksat, kontributet dhe tarifat e tjera planifikohet të mblidhen 5.8 miliardë euro nga qytetarët dhe kompanitë ose mbi 600 milionë euro më shumë. Deficiti buxhetor është parashikuar në 4 për qind të PBB-së ose mbi 670 milionë euro. Rritja e PBB-së prej 3.7 për qind mund të jetë e pamundur, projeksioni i rritjes së të hyrave buxhetore prej 12.8 për qind është ambicioz, ndërsa projeksioni i shpenzimeve kapitale në nivelin mbi 800 milionë euro mbetet i shënuar si “mbioptimist”. Rritja e kostove të Fondit Pensional me 14.8 për qind, e nxitur nga rritja lineare e pensioneve, dobëson konsolidimin fiskal dhe është burimi kryesor i rrezikut të inflacionit në vitin 2025.

Këto janë pjesë e indikacioneve të Institutit për Kërkime Ekonomike “Finance Think” për buxhetin e ardhshëm të shtetit, i cili dhe realizohet në kushtet e një dinamike të lehtë të intensifikuar të aktivitetit ekonomik, por edhe në një ekonomi që funksionon ende nën normën e tij potenciale të rritjes, si dhe në kontekstin e inflacionit të frenuar që është ende mbi nivelin që bankat qendrore barazojnë me çmime të qëndrueshme. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm