E diel, 9 Shkurt, 2025
5.8 C
Skopje

359 dënime për ata që folën në celularë

Tetovë, 10 nëntor – Në rajonin më të gjerë të Pollogut edhe këtë vit vazhdon sjellja e pandërgjegjshme dhe papërgjegjshme e numrit jo të vogël të vozitësve, të cilët duke drejtuar veturat e tyre përdorin telefonat celularë që është në kundërshtim me Ligjin për siguri në komunikacionin rrugorë sipas nenit 24. Nga fillimi i vitit e deri më tani, me fletëpagesa për gjobë (179) dhe vërejtje me shkrim (180) në Tetovë dhe rajonin e Tetovës, janë sanksionuar gjithsej 359 kundërvajtje të kësaj natyre, gjegjësisht atyre që kanë biseduar në telefon përderisa kanë qenë duke drejtuar veturat, u janë përgatitur padi adekuate dhe ata do të përballen me gjobë nga 40 euro në kundërvlerë të denarit ose me 25 pikë negative. “Për dallim nga telefonat celularë të cilët gjithnjë e më shumë dhe më shpesh i përdorin vozitësit, në periudhën për të cilën bëhet fjalë vozitësit shumë rrallë i përdorin rripat e sigurisë, para se gjithash kur lëvizin në rrugët e qytetit. Këtë vit në hapësirat e Tetovës janë regjistruar gjithsej 990 raste të mos përdorimit të rripave të sigurisë, të cilat raste janë rrumbullakuar me 200 fletëpagesa për gjobë dhe 790 paralajmërime, gjegjësisht vërejtje, me atë që gjoba për këtë kundërvajtje gjithashtu është 40 euro ose 10 poena negative për vozitësin dhe 50 euro për bashkë-udhëtarin”, njofton Policia e Tetovës. Për shkak të kësaj, Sektori për punë të brendshme në Tetovë, sërish apelon deri tek vozitësit që të përmbahen nga bisedat në telefon, nga bërja e selfieve, dëgjimi i muzikës dhe të shkruarit e SMS porosive kur janë duke drejtuar automjetet e tyre, por edhe rregullisht të lidhën me rripat e sigurisë. Për arsye se bisedat në telefon gjatë drejtimit të veturave në masë të madhe tërheqin vëmendjen e tyre dhe si pasojë vënë në pikëpyetje sigurinë e tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion. Mbajtja e rripave të sigurisë, sërish më shumë është për sigurinë personale të vozitësve dhe të tjerëve në veturë, pa marrë parasysh se a udhëtohet në relacione më të shkurtra apo më të gjata. (U.H)

 

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm