Numri i fëmijëve të lindur në Itali po shkon drejt një rekord të ri negativ në vitin 2024, tha zyra e statistikave të vendit, duke zgjatur një rënie prej 16 vitesh dhe duke shënuar shkallën më të ulët të lindjeve që nga bashkimi i Italisë në 1861. Rënia e nivelit të lindjeve po shkakton alarm në vend, por pavarësisht se disa qeveri e kanë bërë atë prioritet, asnjëra nuk ka arritur të ndalojë rënien. Mes janarit dhe korrikut, kanë lindur 4600 foshnja më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, që është një rënie prej 2.1 për qind, njoftoi Instituti.
Në të gjithë vitin 2023 kanë lindur 379 890 fëmijë, gjashtë për mijë banorë. Kjo është 3,4 për qind më pak se viti 2022 dhe 34,1 për qind më pak se viti 2008, viti i fundit kur lindshmëria ishte pozitive.
Të dhënat për shtatë muajt e parë të vitit tregojnë se shkalla e fertilitetit, ose numri mesatar i fëmijëve të lindur nga një grua, prej 1.2 është nën normën 2.1 të nevojshme për të mbajtur një popullsi të qëndrueshme. Demografia e Italisë për sa i përket potencialit të rritjes ekonomike nga 2023 deri në 2040 është më e keqja në Evropë dhe një popullsi në plakje është një kërcënim për qëndrueshmërinë e financave publike. Të dhëna të tjera nga instituti tregojnë se gratë italiane mesatarisht lindin fëmijën e tyre të parë në moshën 31 vjeç dhe se 42.2 për qind e foshnjave lindin nga gra të pamartuara, nga 41.5 për qind vitin e kaluar.