E premte, 20 Qershor, 2025
25.8 C
Skopje

5 muaj pa rroga: Punonjësit ankohen, por jo drejtori

Përmes një prononcimi publik përpara institucionit, punonjësit kanë kërkuar zgjidhjen e çështjes së rrogave të prapambetura. Situata ku gjenden 17 të punësuarit nuk është vetëm një krizë financiare, por shkelje permanente e të drejtave të njeriut të mbrojtura me Kushtetutë, u shprehën ata. Në apelin drejtuar shtetit, nuk ishte i pranishëm drejtori i Inspektorati

Evis HALILI

Shkup, 29 maj – Një grup punonjësish të Inspektoratit të Gjuhës përmes një prononcimi publik përpara institucionit kanë kërkuar zgjidhjen e çështjes së rrogave të prapambetura. Situata ku gjenden 17 të punësuarit nuk është vetëm një krizë financiare, por shkelje permanente e të drejtave të njeriut të mbrojtura me kushtetutë, u shprehën ata. Duke mbetur pa sigurim shëndetësor dhe pensional për gjysmë viti, pasojat i vuajnë edhe familjet, u shpreh Fitim Ramadani, inspektor i lartë.

“Kërkojnë që përveç pagave, të krijohet një zgjidhje e qëndrueshme për funksionimin normal të Inspektoratit. Kërkojmë që kryeministri, kryetari i Parlamentit, ministri i Drejtësisë të gjejnë një mundësi për zhbllokimin e rrogave. Theksojmë se kjo luftë nuk ka motiv politik, por thirrje e njerëzve që me muaj janë injoruar”, ka deklaruar Ramadani në emër të punonjësve, por jo të drejtorit. Në apelin drejtuar shtetit, nuk ishte i pranishëm drejtori i Inspektoratit. “Nuk e di pse”, shpreh Ramadani. Sipas tij, Inspektorati që prej muajit mars nuk kryen funksionet e tij, inspektimet, në mungesë të një plani pune. “Ka qenë edhe një formë për të treguar situatën ku gjendemi”.

Kaosi me Inspektoratin e Gjuhëve është krijuar pas ndryshimeve të Ligjit për Mbikëqyrje Inspektuese të miratuara në dhjetor të vitit të kaluara. Ndryshime të cilat ua heqin statusin juridik inspektorateve dhe i vendosin ato nën kompetenca të ministrive përkatëse. Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve duhet të kalojë nën kompetenca të Ministrisë së Drejtësisë, edhe pse statusi i tij juridik garantohet me nene të posaçme në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe Ligji për Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve. Kjo gjë ka sjellë që Inspektorati të mbetet në mes – edhe ka edhe nuk ka status juridik.

Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti paralajmëroi muajin e kaluar se do të propozojnë një zgjidhje të re ligjore për të rregulluar statusin e Inspektoratit, në mënyrë që të mos jetë në kuadër të Ministrisë, por të jetë nën kompetencat e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve. Disa ditë më parë në Parlament diskutimi për 6 amendamentet që Fronti Evropian ka dorëzuar ndaj ndryshimeve të Ligjit për Inspektoratin e Gjuhëve në Komisionin për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Komuniteteve, u zhvillua me tensione. Nga Fronti Evropian deklaruan se me këtë ndërhyrje ligjore shumica parlamentare po tenton që të vendosë kontroll të plotë mbi institucionin.

“Inspektorati si mekanizëm për mbikëqyrjen e zbatimit të të drejtës së përdorimit të gjuhëve nuk është institucion i thjeshtë administrativ, por mekanizëm thelbësor kontrollues për respektimin e këtyre të drejtave fondamentale”, deklaroi Sali Murat, deputet i Frontit Evropian.(koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm