E martë, 25 Mars, 2025
13.8 C
Skopje

7 MARSI – DITA E MËSUESIT: Tranzicion i vështirë i arsimit

Zhvillimi teknologjik do të prekë veçanërisht disa vende perëndimore, përfshirë edhe sektorin e arsimit. Megjithatë, në vendin tonë, arsimi ende përballet me sfida më themelore. Për momentin, nxënësve mund t’u duket argëtuese të kryejnë detyrat përmes inteligjencës artificiale në platformën tonë, por çfarë do të ndodhë në të ardhmen mbetet e panjohur. Fundja, zhvillim arsimor zor të ketë kur secili ministri sjell Koncept të ri që nuk zgjat më shumë se dy vite

Anëmsha SHABANI

Shkup, 7 mars – Dita e Mësuesit – 7 Marsi është një datë që i jep mundësinë shoqërisë për të reflektuar mbi zhvillimet e arsimit, veçanërisht në Maqedoninë e Veriut, duke filluar nga periudha e komunizmit deri te arsimi modern. Kjo periudhë kalon përmes transformimeve të mëdha që kanë ndikuar jo vetëm në sistemet arsimore, por edhe në shoqërinë dhe kulturën akademike. Ndryshimet që kanë ndodhur gjatë këtij tranzicioni kanë pasur një ndikim të thellë në mënyrën se si zhvillohet arsimi dhe si formohen individët dhe shoqëritë.

ARSIMI GJATË PERIUDHËS SË KOMUNIZMIT

Arsimi gjatë periudhës komuniste në Maqedoninë e Veriut ishte një sistem i kontrolluar dhe i drejtuar nga ideologjia komuniste, ku çdo aspekt i arsimit ishte i ndërlidhur ngushtë me politikat e partisë. Profesor Xheladin Murati, i cili e ka përjetuar këtë periudhë, për gazetën KOHA e shpjegon kohën kur arsimi kishte një plan dhe një koncept zhvillimi që nuk mund të devijonin. Ai thekson se sistemi komunist kishte forcën për të realizuar atë që projektonte, dhe çdo lëvizje për drejtësi, barazi dhe zhvillim të lirë, ishte e ndaluar.

“Në periudhën e komunizmit, arsimi ishte i shtrënguar nga një strukturë që funksiononte sipas rregullave të partisë, dhe kjo ndikoi thellë në zhvillimin e studentëve dhe kulturën akademike. Kultura akademike duhej t’i përmbahej synimeve të partisë dhe çdo devijim nga ky sistem kishte pasoja të rënda, si largimi nga puna ose disidenca. Po ashtu, kishte një ndarje të qartë mes mësuesve dhe profesorëve ‘të mirë’ dhe atyre që shiheshin si të ‘keq’ për shkak të orientimeve të tyre politike. Ky ishte një sistem që kontrollonte çdo element të jetës akademike, duke përfshirë librat, literaturën dhe metodat e mësimdhënies”, tregon Murati, duke shtuar se ky ndikim i fortë i ideologjisë politike ka pasur pasoja në zhvillimin intelektual dhe kulturor të studentëve, duke i kufizuar mundësitë për të menduar në mënyrë kritike dhe për të eksploruar liri akademike.

KALIMI NË ARSIMIN E PERIUDHËS MODERNE

Kalimi nga periudha komuniste në një sistem më të lirisë politike dhe arsimore ka qenë një sfidë e madhe për studentët dhe të gjithë aktorët e arsimit në Maqedoninë e Veriut. Pas vitit 1990, me ardhjen e pluralizmit dhe demokracisë, studentët dhe mësuesit përjetuan një rilindje të vërtetë, një periudhë të lirisë për të folur, krijuar dhe diskutuar pa pengesa. Profesor Murati tregon se ky kalim është parë si një mundësi për të lexuar literaturë të ndryshme, për të udhëtuar dhe për të lidhur kontakte të reja, përmes të cilave mund të zhvilloheshin ide të reja dhe ndihmohej në zhvillimin e mësimdhënies dhe arsimit në përgjithësi.

“Kur kaluam nga periudha e komunizmit në pluralizëm, gjithçka ndodhi sikur të hapeshin dyert e lirisë. Ishte periudha kur mund të lexonim libra nga autorë të ndryshëm, të kishim mundësi për të udhëtuar dhe për të pasur mundësi të shprehjes pa frikë. Kjo ishte një liri e kërkuar me kohë, por edhe pse ishim të lirë, demokracia e re nuk e solli menjëherë atë që prisnim në arsimin shqiptar. Kushtet e arsimit mbetën të mangëta, dhe ndonëse pati hapje të mundësive, arsimi ende kishte shumë sfida. Në këtë kontekst, kalimi në demokraci ka ndihmuar shumë për të lejuar liri më të madhe, por ky kalim gjithashtu përballoi vështirësi të mëdha për sistemin arsimor dhe kulturën akademike”, thotë Xheladin Murati.

NDRYSHIMET NË PROGRAMET MËSIMORE DHE METODAT E MËSIMDHËNIES

Një nga ndryshimet më të rëndësishme që ndodhi pas kalimit nga sistemi komunist ishte reforma në programet mësimore dhe metodat e mësimdhënies. Kalimi nga një sistem i centralizuar dhe i kontrolluar nga ideologjia në një periudhë pluraliste i dha mundësi mësuesve dhe studentëve që të përjetojnë lirinë e mendimit dhe të angazhoheshin më shumë në metodat e reja të mësimdhënies. Megjithatë, profesor Murati shpjegon se kjo periudhë ka pasur dhe sfida, si politizimi dhe partizimi i arsimit, që ka ndikim negativ në cilësinë e arsimimit.

Profesori Ardian Deari për gazetën KOHA flet për ndikimin e teknologjisë dhe internetit në arsimin e sotëm, duke theksuar se ato janë bërë pjesë të pandashme e jetës së përditshme, dhe se pa to, nuk mund ta imagjinojmë më zhvillimin e përditshëm. Ai sqaron se, ndonëse kompjuterët nuk përdoren aq shpesh sa më parë, pajisjet më të vogla dhe më të thjeshta, si telefonat e mençur dhe tabletët, janë bërë thelbësore për arsimimin dhe përditshmërinë e studentëve. “Teknologjia dhe interneti tashmë janë pjesë e pandashme e jetës sonë, pa të cilat nuk mund ta imagjinojmë më përditshmërinë. Kohët e fundit, mund të vërehet se kompjuterët nuk përdoren aq shpesh sa më parë, ndërsa interneti dhe pajisjet e lehta, si telefonat e mençur dhe tabletët, janë bërë më të domosdoshme. Sot kemi një gjeneratë të quajtur ‘Digital Natives’, e cila është rritur në një mjedis ku teknologjia është e pranishme në çdo aspekt të jetës. Kjo ka sjellë përfitime të shumta, siç janë detyrat dhe ushtrimet që kontrollohen automatikisht, duke e lehtësuar ndjeshëm procesin e mësimdhënies, një proces që dikur kërkonte shumë më tepër mund dhe kohë, tha ai.

Ai shtoi se përdorimi i këtyre mjeteve ka krijuar mundësi të shumta për studentët, duke përfshirë mundësinë për të ndjekur mësime dhe ushtrime në çdo kohë dhe nga çdo vend. Sipas tij, nxënësit e sotëm janë të përgatitur më mirë për të përdorur teknologjinë, për shkak të mjedisit ku ata janë rritur, dhe kjo ka ndryshuar ndjeshëm mënyrën e mësimdhënies.

“Sot ekzistojnë shumë aplikacione dhe platforma të ndryshme, si Moodle, Google Classroom, Microsoft Teams etj. Përveç këtyre, ka edhe shkolla që kanë platformat e tyre të dedikuara, të ndërtuara sipas nevojave të nxënësve. Një shembull i tillë është EnglishForLife në qytetin e Kumanovës, e cila ka zhvilluar platformën e saj të personalizuar për mësimdhënie. Për nxënësit e sotëm, përdorimi i këtyre platformave nuk përbën ndonjë sfidë të vërtetë, pasi, siç u përmend më herët, ata janë tashmë të përgatitur dhe e dinë si të përdorin dhe të lidhen me to. Në krahasim me gjeneratat e mëparshme, kur kjo ishte e paimagjinueshme, nxënësit e sotëm kanë një kulturë dhe edukatë më të zhvilluar në mësimin digjital. Përdorimi i teknologjisë ka sjellë përfitime të shumta, pasi në disa lëndë ku ajo zbatohet, nxënësit kanë qasje më të shpejtë dhe më të lehtë në materiale, në çdo kohë. Për shembull, mësuesi mund të shkruajë mësimet në një tabelë digjitale, ndërsa të gjithë nxënësit mund t’i shohin shënimet drejtpërdrejt në telefonat e tyre”, thekson Deari.

INTELIGJENCA ARTIFICIALE NË ARSIM

Për sa i përket përdorimit të inteligjencës artificiale (IA) në arsimin e sotëm, profesor Deari thotë se ndikimi i saj është tashmë i dukshëm dhe se nxënësit e shfrytëzojnë atë për të plotësuar detyrat e tyre. Sidoqoftë, ai paralajmëron se IA mund të keqpërdoret nga disa nxënës, duke e përdorur atë për të kryer detyra pa u angazhuar në mënyrë aktive në procesin mësimor, ndërsa përmend ndikimin që mund të ketë zhvillimi i mëtejshëm i IA-së, duke theksuar se shumë profesione mund të zëvendësohen nga automatizimi dhe agjentët inteligjentë në të ardhmen.

“Ndikimi i inteligjencës artificiale në arsim është tashmë i dukshëm. Disa nxënës e shfrytëzojnë atë në mënyrë të dobishme, ndërsa të tjerë mund ta keqpërdorin, duke e përdorur për të plotësuar detyrat e tyre pa u angazhuar realisht në procesin mësimor. Është e rëndësishme të kemi parasysh se IA nuk është thjesht një program apo aplikacion, por një formë tjetër inteligjence përveç asaj njerëzore. Aktualisht, jemi ende në vitin 2025, por në të ardhmen, fatkeqësisht, pritet që shumë profesione të zhduken ose të zëvendësohen nga sisteme të automatizuara dhe agjentë inteligjentë. Ky zhvillim do të prekë veçanërisht disa vende perëndimore, përfshirë edhe sektorin e arsimit. Megjithatë, në vendin tonë, arsimi ende përballet me sfida më themelore. Për momentin, nxënësve mund t’u duket argëtuese të kryejnë detyrat përmes inteligjencës artificiale në platformën tonë, por çfarë do të ndodhë në të ardhmen – mbetet e panjohur”, thotë Deari.

Për fund, ai thekson rëndësinë e ruajtjes së një ekuilibri mes përdorimit të teknologjisë dhe zhvillimit të aftësive kritike dhe kreative të studentëve, duke shtuar se përdorimi i inteligjencës artificiale kërkon gjithashtu aftësi të krijueshme, mendim kritik dhe komunikim efektiv.

“Personalisht mendoj se përdorimi i teknologjive të ndryshme ende nuk ka arritur në një fazë ku mund të marrë vendime të pavarura. Pra, ajo që dua të theksoj është se, për momentin, gjithçka varet nga vetë përdoruesi, i cili në këtë rast është studenti. Përderisa kontrolli mbetet në duart e studentit, ai ose ajo duhet të dijë si të krijojë komanda që të udhëheqë inteligjencën artificiale. Kjo kërkon kreativitet, aftësi përshkruese të sakta, mendim kritik dhe mënyrë efektive të komunikimit. Nga ana tjetër, ende ka studentë që zgjedhin të studiojnë shkencat humane, gjë që tregon se ekziston një farë ekuilibri mes teknologjisë dhe humanes, duke mbajtur të hapura dyert për të dyja fushat në të ardhmen”, theksoi Deari. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm