E shtunë, 7 Shtator, 2024
27.8 C
Skopje

74 FSHATRA RUSE NË DUART E UKRAINASVE: Kush është “arkitekti” i ofensivës në Kursk?

Udhëheqësi i Kremlinit duket se ka kërkuar një kok turku midis udhëheqësve të tij më të lartë ushtarakë për operacionin në Ukrainë, pushtimi i parë i huaj në tokën ruse që nga Lufta e Dytë Botërore

Një javë pasi forcat ukrainase nisën një sulm të befasishëm në rajonin e Kurskut, autoritetet ruse ende po përpiqen të vënë nën kontroll situatën në rajon. Veprimi i papritur i ushtrisë ukrainase pushtoi qindra kilometra katrorë të territorit rus dhe riktheu optimizmin tek luftëtarët dhe populli ukrainas. Aktualisht, sipas ukrainasve, 74 vendbanime në Kursk janë nën kontrollin e ushtrisë ukrainase.

Disa zyrtarë rusë përpiqen të minimizojnë sukseset e ushtrisë ukrainase dhe pretendojnë se depërtimi i Ukrainës në Rusi është ndalur. Në Rusi janë shfaqur informacione se Putini do të nisë një mobilizim masiv. Ministri lituanez i Mbrojtjes, Laurynas Kasciunas tha se Rusia po lëvizte trupat nga Rajoni i Kaliningradit, enklava e saj Baltike, në rajonin jugor të Kurskut, i cili është bërë objektiv i sulmit të paprecedentë ndërkufitar të Ukrainës.

TRE OPSIONET E UKRAINËS

Duke lënë mënjanë faktorët e paprekshëm, gjenerali Mick Ryan, australian, analist për disa prej qendrave të mëdha kërkimore ndërkombëtare ka hartuar tre skenarë të mundshëm. Hipoteza e parë realiste në terren është ajo e shterimit të ofensivës dhe e konsolidimit të pushtimeve të deritanishme, në pritje të fillimit të negociatave.

Opsioni i dytë i mundshëm i disponueshëm për Ukrainën është tashmë më i mundshëm: një tërheqje e pjesshme në pozicione më të mira të mbrojtura.

Opsioni i tretë (ai që aleatët ndërkombëtarë do të preferonin shumë) është kthimi në bazat vendase, përgjatë kufijve të njohur ndërkombëtarisht. Kjo zgjidhje, sipas Ryan, do të kishte avantazhin e “maksimizimit të përfitimeve strategjike dhe politike të goditjes së gjeneruar nga operacioni ushtarak duke reduktuar rreziqet dhe gjithashtu duke lejuar të paktën një rishpërndarje të pjesshme të trupave”.

“KOKA E TURKUT”

Telegrafi britanik shkruan se Putin ka caktuar një nga ish-truprojat e tij për të udhëhequr misionin për t’i dhënë fund pushtimit ukrainas të Rusisë. Alexei Dyumin, i cili shërbeu si truprojë e Putinit gjatë dy mandateve të tij të para në detyrë dhe shihet nga shumë si një pasardhës i mundshëm i presidentit rus, është emëruar për të mbikëqyrur operacionin për çlirimin e rajonit të Kurskut, raportuan blogerët ushtarakë rusë të martën.

Udhëheqësi i Kremlinit duket se ka kërkuar një kok turku midis udhëheqësve të tij më të lartë ushtarakë për operacionin në Ukrainë, pushtimi i parë i huaj në tokën ruse që nga Lufta e Dytë Botërore. Dyumin është konsideruar prej kohësh një yll në rritje në rrethinën e Putinit, duke u ngritur në zëvendëskryetar të GRU, agjencisë së inteligjencës ushtarake të Rusisë, dhe besohet se ka udhëhequr forcat speciale në aneksimin e Krimesë në vitin 2014.

“ARKITEKTI” I OFENSIVËS

Rivali i tij numër një, nga fronti Ukrainas do të jetë Oleksandër Syrskyi. Pesëdhjetë e nëntë vjeç, i lindur në një fshat të vogël në rajonin Vladimir të Rusisë, ai studioi në Shkollën e Lartë të Komandës së Armëve të Kombinuara në Moskë në vitet 1980, duke vazhduar arsimin e tij ushtarak në Ukrainën e pavarur, duke u diplomuar me nderime dhe duke filluar të ngjitej në majë. të karrierës së tij në ushtri. Në vitin 2013, viti i fundit i paqes në Ukrainë, Syrskyi ishte gjeneral-major dhe nënkryetar i Komandës Qendrore të Forcave të Armatosura.

Pas muajsh thashetheme të vazhdueshme për një përçarje në udhëheqjen politike dhe ushtarake të Ukrainës, Presidenti Volodymyr Zelensky kishte shkarkuar Komandantin e Përgjithshëm Valerii Zaluzhnyi.

Zelensky më pas zgjodhi Syrskyi. Zelensky e kishte përcaktuar si “komandantin më me përvojë ukrainas”. Ai ka marrë pseudonimin “kasap” nga Ramzan Kadirov: një emërtim “i fituar” në betejën e Bakhmutit. E sigurt është se sot Syrsky është truri i asaj që mund të jetë një përmbysje historike e frontit të luftës, nëse ai do të arrinte të ngulte këmbë në kërcënimin në kufirin me Rusinë për një kohë të gjatë. Sot në Kursk, ai vepron në fshehtësi të plotë. Ai nuk flet, nuk jep deklarata, ushtarët e tij avancojnë dhe pllakos heshtja. Dje foli për herë të parë dhe ishin fjalë fitoreje.

Artikuj të ngjajshëm