Deri më tani nuk janë bërë të ditura arsye specifike për këtë rritje të ndjeshme, por ekspertët si faktorë të mundshëm për vonesën e pagesave theksojnë paqëndrueshmërinë ekonomike, rritjen e kostove për kompanitë dhe borxhet. Trendet negative me likuiditetin apo kondicionin financiar të një pjese të biznesit kanë qenë të përkeqësuara edhe para vitit të ri
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 5 mars – Trendi i vonesës dhe mos pagesës me kohë e pagës në Maqedoni shënon zbritje-ulje në periudha të caktuara. Të dhënat e Drejtorisë për të Ardhura Publike tregojnë se vetëm në muajin janar, 83 mijë punonjës nuk kanë pranuar të ardhura e tyre mujore deri në datën 15 të muajit shkurt. Këto shifra të punonjësve që ende nuk i kanë marrë pagat e janarit, është tre herë e gjysmë më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, tregojnë të dhënat e DAP. Sipas detyrimeve ligjore, afati për pagimin e pagave të janarit ka qenë 14 shkurti apo dita e premte, dhe deri në këtë datë janë paraparë të paguajnë paga mbi 70 mijë kompani për gjithsej 551 mijë e 264 punëtorë, shkruan gazeta KOHA.
Tatimorët bëjnë me dije se tashmë janë dërguar vërejtje për kompanitë që nuk e kanë respektuar afatin dhe nëse nuk e paguajnë pagën ditëve në vijim, do të bëhet arkëtimi i detyrueshëm. Kompanitë që nuk respektojnë afatet ligjore për pagesën e pagave do të përballen me masat e duhura, duke përfshirë edhe mbledhjen e detyruar, thonë nga administrata tatimore.
Deri më tani nuk janë bërë të ditura arsye specifike për këtë rritje të ndjeshme, por ekspertët si faktorë të mundshëm për vonesën e pagesave theksojnë paqëndrueshmërinë ekonomike, rritjen e kostove për kompanitë dhe borxhet. Trendet negative me likuiditetin apo kondicionin financiar të një pjese të biznesit kanë qenë të përkeqësuara edhe para vitit të ri. Ata që nuk paguajnë rrogat do të detyrohen ta bëjnë këtë. Askush nuk do të ketë kosto shtesë me interes dhe ngrirje të llogarive nëse nuk është e nevojshme. Shifrat tregojnë se ka shumë kompani që kanë likuiditet të dobët dhe nuk mund të përballojnë asnjë goditje, siç ndodhi për shembull me çmimin e energjisë dhe harxhimet e tjera . Bile tronditje të ngjashme i lë ata pa para, shpjegojnë ekspertët. Gjithashtu, Drejtoria e të Ardhurave Publike ka bërë të ditur se pothuajse 82 mijë të punësuar nuk kanë marrë paga në dhjetor, ndërsa gati 70 mijë në nëntor.
Pagën e muajit nëntor nuk e kishin pranuar 69.754 qytetarë për shkak se punëdhënësit e tyre – 20.739 në numër, nuk kishin përmbushur detyrimin për të paguar pagat dhe kontributet mujore deri më 16 dhjetor. Bëhet fjalë për 13 për qind të të punësuarve dhe 29 për qind të punëdhënësve, njoftoi DAP.
70.650 punëdhënës, të cilët punësojnë 552.030 persona, ishin detyruar të paguajnë paga dhe kontribute sociale për muajin e njëmbëdhjetë të këtij viti. Të dhënat e DAP treguan se brenda afatit ligjor të datës 16 dhjetor, 49.911 ose 71% e punëdhënësve e kishin përmbushur detyrimin dhe kishin paguar paga bruto dhe kontributet sociale për 482.276 punëtorë. Prandaj, për 87 për qind të lartë të të punësuarve në shtet, kontributet sociale janë paguar në kohë. “Ky rezultat tregon përgjegjësinë dhe përkushtimin e punëdhënësve për të përmbushur në kohë detyrimet e tyre tatimore, gjë që ndikon drejtpërdrejt pozitivisht në sigurimin social të punëtorëve”, theksuan disa muaj më parë nga administrata tatimore. Nga ana tjetër, për ata që nuk kanë shlyer detyrimet tatimore, administrata bën me dije se rregullisht veprojnë në përputhje me autorizimet ligjore. Kjo përfshin gjobat për mos paraqitjen e një deklarate tatimore dhe mbledhjen e detyruar të borxhit tatimor të papaguar.
Dy vite më parë, apo në të njejtën periudhë të vitit 2023, 35 939 punonjës nuk e kishin pranuar pagën e muajit janar, ndërsa 12 692 punonjës nuk e kishin marrë pagën e dhjetorit.
Gjithsej 69.235 punëdhënës kishin detyrim për llogaritjen e pagave (MPIN) për janar 2023 për 534.282 punonjës me afat ligjor pagese deri më 15 shkurt. Prej tyre, deri më 23 shkurt, 55.328 punëdhënës kishin paguar përllogaritjen e MPIN-it për 518.443 punonjës. Llogaritjen e MPIN-it nuk e kishin paguar 8144 punëdhënës për 23.965 punëtorë, ndërsa 5.763 punëdhënës për 11.974 punëtorë ende nuk i kishin dorëzuar llogaritjen, bëri të ditur atëherë DAP. Gjithashtu, për muajin dhjetor 2022, gjithsej 69.418 punëdhënës kishin kërkuar që të sigurojnë MPIN për 555.847 punonjës me afat ligjor pagese deri më 16 janar 2023. Prej tyre, deri më 23 shkurt të vitit 2023, 61.968 punëdhënës për 543.155 punëtorë e kishin paguar përllogaritjen e MPIN-it, dhe 2565 punëdhënës për 5447 të punësuar nuk e kishin paguar atë, ndërsa 4885 punëdhënës për 7245 të punësuar nuk e kishin dorëzuar atë për llogaritjen e dhjetorit. (koha.mk)