9 persona në qendër, dhjetëra të izoluar në shtëpi

Drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale në Dibër, Arlinda Telqiu, për gazetën KOHA thekson se institucioni në fjalë, i themeluar para shumë vitesh, vazhdimisht ka pasur numër të vogël të shfrytëzuesve

Vjollca SADIKU

Dibër, 29 janar – Edhe pse Qendra ditore për persona me aftësi të veçanta në Dibër posedon kushte shumë të mira për qëndrim ditor, aktualisht ajo shfrytëzohet vetëm nga 9 persona. Ky institucion, i cili menaxhohet nga Qendra për Punë Sociale në Dibër, ka kapacitet disa herë më të madh sesa shfrytëzohet, por mentaliteti dhe traditat familjare ndikojnë dukshëm që këta persona të mos përfshihen në qëndrimin ditor në institucionin në fjalë. Po ashtu, një ndikim tjetër është edhe mungesa e një strategjie shoqërore për integrimin sa më të madh të personave me aftësi të veçanta. Pikërisht këto barriera nuk mundësojnë që të gjithë personat në fjalë të shfrytëzojnë këtë institucion.

Drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale në Dibër, Arlinda Telqiu, për gazetën KOHA thekson se institucioni në fjalë, i themeluar para shumë vitesh, vazhdimisht ka pasur numër të vogël të shfrytëzuesve.

“Kushtet në këtë Qendër ditore janë të nivelit të lartë, por edhe pse kapacitetet janë të mëdha, numri i shfrytëzuesve është vetëm 9 persona. Traditat patriarkale, që lidhen me mbajtjen e këtyre personave vetëm në shtëpi dhe jashtë opinionit publik, janë një nga barrierat kryesore që ndikojnë të mos rritet numri i personave që ndjekin qëndrimin ditor. Ne si institucion vazhdimisht apelojmë për rritjen e numrit, pasi kapacitet ka, por deri tani nuk kemi ndonjë ndryshim të situatës”, thotë drejtoresha Telqiu.

Sipas saj, qëndrimi ditor ofron të gjitha mundësitë për këta persona, duke përfshirë edukimin, integrimin, ushqimin dhe aktivitetet e tjera të parapara për personat me aftësi të veçanta.

“Kemi edhe kuadrin e nevojshëm profesional që realizon qëndrimin ditor të këtyre personave”, shton ajo. Personat që frekuentojnë qendrën dhe që vijnë nga fshatrat kanë transport të siguruar nga Qendra dhe nuk hasin probleme me transportin ditor. Qendra ditore për persona me aftësi të veçanta në Dibër gëzon përkrahje të madhe dhe efikase nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, nga pushteti vendor, si dhe nga shumë institucione të tjera. Po ashtu, realizohen projekte të shumta në bashkëpunim me Organizatën e Kryqit të Kuq në Dibër, Bankën Komerciale dhe donatorë të tjerë. Para disa kohësh, mërgimtarët dibranë përmes shoqatës së tyre në SHBA i dhuruan kësaj qendre ditore edhe një automjet special për transportin e personave që përdorin karroca.

Kjo tregon se qendra posedon të gjitha kushtet e nevojshme, por rritja e numrit të personave që do të duhej ta shfrytëzonin atë mbetet e vogël. Sipas të punësuarve dhe udhëheqësisë, barrierë kryesore mbetet mentaliteti dibran ndaj këtyre personave, të cilët shpeshherë mbahen të izoluar në shtëpi, si dhe nevoja për një angazhim më të madh shoqëror për realizimin e aktiviteteve që synojnë rritjen e vetëdijes dhe integrimin më të madh të personave me aftësi të kufizuara. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm