Është një rol që ish-juristi i industrisë së argëtimit pret të vazhdojë ta luajë nëse Kamala Harris zgjidhet presidente dhe nëse Emhoff bën histori duke u bërë bashkëshorti i parë i një presidenteje në detyrë
Nëse kandidatja demokrate për presidente e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris, bën histori duke u zgjedhur gruaja e parë presidente e Amerikës, bashkëshorti i saj Doug Emhoff do të bëhej “zotëria i parë” i vendit, pasi i kaloi, për herë të parë në historinë amerikane, gati katër vjet si “zotëria i dytë” i vendit. Doug Emhoff ka kaluar pothuajse katër vjet duke qenë mbështetësi më i madh i bashkëshortes së tij. “Të dua shumë. Jam shumë krenar që po e bën këtë për të gjithë ne”, ka thënë Emhoff.
Është një rol që ish-juristi i industrisë së argëtimit pret të vazhdojë ta luajë nëse Kamala Harris zgjidhet presidente dhe nëse Emhoff bën histori duke u bërë bashkëshorti i parë i një presidenteje në detyrë.
“Do të kem përqasje të ngjashme. Ku mund të jem më i dobishëm për të si burri i saj? Ta mbështes, ta dua si gjithmonë dhe të jem aty për të, por gjithashtu si mund ta ndihmoj atë si presidente, të ndihmoj administratën, të ndihmoj popullin amerikan, duke qenë i pari, dhe cilat çështje mund të mbështes?” ka thënë Emhoff. Emhoff u martua me Harrisin në vitin 2014 pasi u njohën për herë të parë në një takim. Ndërsa roli politik i gruas së tij vazhdoi të rritej, Emhoff mori përsipër publikisht rolin e bashkëshortit mbështetës.
“Ai e ka bërë të qartë, se nuk do të ishte mbi këtë rol mbështetës dhe se nuk do të donte që askush të mendonte se vetëm për shkak se është burrë, nuk mund ta bëjë këtë rol zëvendësues dhe ndihmës”, ka thënë studiuesja Kelly Dittmar nga Universiteti Rutgers.
Emhoff hoqi dorë nga puna e tij në firmën ligjore dhe filloi të jepte mësim në Universitetin Georgetown kur Harris u bë nënpresidente. Ai ka thënë se bashkëshortja e tij e shtyu që ta bënte të tijin rolin e zotërisë së dytë. “Duke qenë burri i parë që e bën këtë, le të flasim për çështjet gjinore. Kam folur shumë për barazinë gjinore, barazinë e pagave, lejen familjare, kujdesin ndaj fëmijëve”, është shprehur Emhoff. Në Shtetet e Bashkuara, bashkëshortët e figurave politike në nivelin më të lartë kanë qenë gjithmonë gra. Por Emhoff ka treguar se mund të përshtatet mirë, sipas Anita McBride nga Universiteti Amerikan.
“Ai flet për jetën e tyre familjare. E thotë që ‘Unë jam këtu për të shërbyer. Puna ime më e rëndësishme është këtu, për të mbështetur nënpresidenten’”, ka thënë studiuesja McBride.
Në rolin e zotërisë së dytë, Doug Emhoff, i cili është hebre, ka udhëhequr gjithashtu një nismë për antisemitizmin në administratën e Presidentit Biden. Zonjat e para tradicionalisht përqendrohen në aktivitetet sociale, si mbikëqyrja e darkave shtetërore dhe miratimi i dekorimeve të festave të Shtëpisë së Bardhë. Si president i Organizatës së Bashkëshortëve të Senatit, Emhoff ka treguar tashmë një gatishmëri për ta vazhduar traditën. “Ka disa dreka, ka aktivitete në rezidencën e nënpresidentes, kështu që thjesht u sigurova që të marr pjesë në ato ngjarje tradicionale dhe, si zotëria i parë, ka disa tradita që do t’i ruaj me besnikëri”, ka thënë Emhoff.
Zonjat e para zakonisht ia dhurojnë Muzeut Smithsonian në Uashington fustanet që veshin në ceremoninë e inaugurimit. Mbetet për t’u parë nëse koleksionit do t’i shtohet së shpejti një kostum burrash.
(Marrë nga Koha.net)