Një ditë pas votimit të interpelancave në Kuvend, asnjë nga pesë anëtarët e Këshillit Gjyqësor të zgjedhur nga Kuvendi nuk është shprehur i gatshëm të japë dorëheqje.
Nëse nuk dorëhiqen në periudhën e ardhshme, do të thotë se disa prej tyre do të qëndrojnë në Këshillin Gjyqësor edhe për të paktën katër muaj të tjerë, ndërsa të tjerët për gati edhe tre vjet.
Mandati i 5 anëtarëve të Këshillit Gjyqësor:
Mandati i Milazim Mustafës përfundon më 09.07.2025
Mandati i Vesna Damevës përfundon më 12.12.2025
Mandati i Selim Ademit përfundon më 12.12.2025
Mandati i Pavlina Cërvenkovskës përfundon më 16.12.2026
Mandati i Tanja Çaçarova Ilievskës përfundon më 16.12.2027
Deputetët një ditë më parë votuan interpelancën ndaj 5 anëtarëve të zgjedhur në Kuvend, ndërsa në konkluzion thuhet se ata në të ardhmen do të humbasin legjitimitetin për të marrë pjesë dhe për të vendosur për Këshillin Gjyqësor. Gjithashtu theksohet se asnjëri nga pesë anëtarët nuk ka përmbushur detyrimet.
“Kuvendi konkludoi se anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi kontribuar në rrezikimin e pavarësisë, profesionalizmit dhe reputacionit të gjyqësorit dhe gjykatësve dhe kanë kontribuar në rënien e besimit të qytetarëve në gjyqësor. Anëtarët kanë neglizhuar dhe nuk kanë arritur të kryejnë funksionin e tyre në punën e këshillit”, thuhet nw Konkluzioni e Kuvendit.
Sipas ligjit, u takon anëtarëve nëse do të japin dorëheqje vetë apo do të vazhdojnë punën pavarësisht votës së mosbesimit. Në përgjigjet e tyre, të pesë anëtarët kundërshtuan dhe e konsideruan të paligjshme kërkesën për tërheqjen e tyre. (Alsat.mk)