Subjektet maqedonase pretendojnë se ka mbi 100 mijë maqedonas në Shqipëri, ndërkaq në regjistrimin e fundit zyrtarisht numri i tyre bie nga 5500 në 2200, ndërkaq për herë të parë paraqiten bullgarët në rreth 8 mijë!A mund të pengojë shteti shqiptarë qytetarët e vet si të deklarohen? A nuk është ky dështim i Maqedonisë se sa i Shqipërisë?
Nga Daut DAUTI
- Që nga një “vizitë private” e ish-kryetarit të Qeverisë së Republikës Socialiste të Maqedonisë, diku viteve 80-të, në Shqipëri, prej së cilës ka dalë një libër kushtuar maqedonasve të Shqipërisë, ka mbetur e hapur çështja e numrit të maqedonasve atje. Zyrtarisht, numri i tyre sipas regjistrimeve, është sjellë diku mes 5-6 mijë, kryesisht të koncentruar në disa fshatra të Prespës së Vogël, gjë e cila në Maqedoni është marrë si jo e plotë.
Ky dallim nuk del vetëm nga vetë numrat zyrtarë, me të cilat operon shteti shqiptar dhe numrat e pretenduar nga qarqe të caktuara shkencore e politike të Maqedonisë, por edhe te një dallim thelbësor në qasje. Pikërisht këtyre ditëve, e vetmja parti e maqedonasve të Shqipërisë, Aleanca Maqedonase, doli me të pretendimet se në Shqipëri jetojnë më shumë se 100 mijë maqedonas, edhe atë jo vetëm në Prespën e Vogël, ku sipas kësaj partie kufizohet zyrtarisht prezenca maqedonase, por edhe në pjesë të tjera të Shqipërisë, si Gora, Gollo Bërdo, por dhe në qytetet Tiranë, Elbasan, Durrës, Kukës dhe gjithandej vendit. Sipas kryetarit të Aleancës Maqedonase, Vasil Sterjovski, kjo do të dëshmohej nëse do të kishte një regjistrim real, pasi deri tash është ndjekë logjika komuniste ku maqedonasit i kanë pranuar vetëm në Prespën e Vogël. Ndoshta ka të vërtetë në këtë tezë, që e dëshmon edhe një takim delegacionesh zyrtare viteve 90-të në Korçë, kur gjersa delegacionet në nivel më të lartë kryenin takimet e tyre në tjetër objekt, ne gazetarët e Maqedonisë u shoqëruam nga disa nikoqirë lokalë, ku njëri prej tyre, një gazetari maqedonas i cili deshi të thoshte se ka më shumë maqedonas në Shqipëri, iu përgjigj: po, ka në Prespë të Vogël rreth 5 mijë…
Gjithsesi nuk mund të kufizohet një etnitet brenda një enklave në një shtet ku është e lire lëvizja e popullsisë, prandaj në gjithë vendin mund të gjesh pjesëtarë të çdo populli. Pretendimi që nuk thuhet shumë qartë është se pala maqedonase si maqedonas i trajton edhe popullsinë myslimane maqedonofone, të cilën në Shqipëri nuk e trajtojnë si të tillë.
E vërteta mund të qëndrojë diku në mes, pasi pjesëtarë të kësaj popullsie kanë krijuar edhe organizata me atributin maqedonase, ndërkohë që në Maqedoni, po nga i njëjti komunitet, përkundër përpjekjeve të vazhdueshme që nga koha e socializmit që ata të bëhen pjesë e popullit maqedonas, kanë qenë të mëdha rezistencat, pasi shumica e tyre e mbajnë veten si torbeshë, ndërkaq në disa mjedise, deklarohen si turq. Termi torbesh duket se nuk është fort i pranueshëm për popullsinë sllavofone me fe myslimane në Shqipëri. Pra, problemi i këtij komuniteti për vetëdeklarim nuk është faji i Shqipërisë, por thellë historik, sociologjik e vetëdijësor. Ndaj dhe pakënaqësia që shprehën disa subjekte të maqedonasve të Shqipërisë ndaj rezultateve të regjistrimit të 2023, mund të jenë në adresë të gabuar, sepse nuk është faji i shtetit shqiptar që dikush nuk është deklaruar ashtu siç dikush ka pritur.
Të përkujtojmë se në regjistrimin e vitit 2023, për herë të parë, paraqiten edhe disa mijë bullgarë të regjistruar, madje numri i tyre e tejkalon atë të maqedonasve! Kështu, pa pritë e kujtuar, Shqipëria u bë fushëbetejë e pretendimeve të dy vendeve ballkanike në atë pjesë të popullsisë që deri tash është deklaruar si maqedonase. Numrat edhe nuk janë për të mos u çuditur, sepse nëse në regjistrimin e vitit 2011 ka pasur 5512 maqedonas, në vitin 2023 numri i maqedonasve ka rënë në 2281, ndërkaq bullgarë janë deklaruar 7957 qytetarë!!! Të dyja këto shifra kur t’i mbledhësh bashkë, janë pothuajse dyfishi i numrit të maqedonasve nga regjistrimi paraprak, por tash të ndarë në dy etnitete rivale.
Të tjerët hanë kumbullat e tharta, e shqiptarëve u mpihen dhëmbët! Kështu mund të thuhet, sepse Shqipëria u gjet nën rrebesh akuzash se e ka lejuar veprimin e një fondacioni me emrin “Memoria bullgare”, i cili me lloj-lloj mënyrash (me pasaporta bullgare, donacione…) “ka korruptuar” popullsinë sllavofone myslimane, por dhe politikanë shqiptarë me qëllim të asimilimit të maqedonasve të Shqipërisë.
Por a mund të fajësohet Shqipëria për fajet e tjetërkujt?
A nuk kishte lejuar Shqipëria regjistrimin me deklarim të lirë të përkatësisë etnike? A mund të ketë faj pse dikush nuk e deklaron veten ashtu dikush kërkon prej tij? A nuk kanë vepruar institucionet shtetërore, kulturore, mediale etj. të Maqedonisë, me komunitetin maqedonas atje shumë më përpara se sa këtë “misionarë” të “Memories bullgare”? A nuk i shfrytëzonin maqedonasit e Shqipërisë autoritetet e Maqedonisë edhe për zgjedhjet e këtushme kur u nevojiteshin? A nuk i ka Maqedonia më afër për të ndikuar se sa ndonjë subjekt bullgar? Kush ka faj nëse kanë dështuar?
Të mos harrojmë se nga fqinjët e Maqedonisë, vetëm në Shqipëri që nga paslufta është pranuar ekzistimi i maqedonasve si grup etnik, e madje dhe u është mundësuar shkollimi fillor në gjuhë amtare…
- Më 20 janar, më në fund, u bë ndërrimi i shumëpritur në Shtëpinë e Bardhë. Doald Tramp po kthehet triumfalisht për mandatin e dytë, prej të cilit varet shumëçka në botë. “Efekti Tramp” tashmë ka nisur të ndihet gjithandej, e si gjë e parë, është armëpushimi në Gaza, që u arrit ende pa hyrë në Shtëpinë e Bardhë. Trampi energjik nisi t’i realizojë disa premtime me urgjencë(për emigrantët e zhytur në kriminalitetet), e disa dekrete për çështje tejet të rëndësishme (do t’i hapë dosjet e e shërbimeve mbajtura top-sekret për vrasjen e ish-presidentit Kenedi dhe Martin Luter Kingut, që mund të sjellë dridhje “tetktonike” në shoqërinë amerikane…I çoi edhe disa porosi serioze të kushtëzuara edhe Putinit për të dhënë kontributin për arritjen e paqes në Ukrainë. Kushtëzimet e tij me “luftë ekonomike” që s’do të ishin mirë për Rusinë(do të rrisë tatimet për mallrat ruse nëse nuk arrihet paqe…, ndoshta dhe mund të kenë efekt, sikundër edhe komunikimi i deritashëm me presidentin rus…
Etj, etj….
Gjëra apo enigma më e madhe që po na mundon ne në Ballkan është se vallë do të ketë Trampi kohë të merret me mosmarrëveshjet tona, të cilat shpresojmë t’i zgjidhim me ndërmjetësimin e administratës së tij. Kushedi sa e sa analiza janë shkruar dhe askush nuk mund të japë përgjigje të saktë. Duke i pasur parasysh çështjet “madhore” të botës dhe të kombit të vet (ta bëjë Amerikën të madhe) me disa pretendime interesante dhe me përplasjet me aleatët perëndimorë, dominon teza pesimiste se Ballkani do të jetë ndër çështjet e fundit me të cilat mund të preokupohet.
Të gjitha këto, nuk i pengon aktorët lokalë ballkanikë që të merren ose shpresojnë se ai do të merret me ne, madje dhe me çështje siç është ajo e fatit të Sali Berishës, i cili, pas një dushi të ftohtë të para disa javësh kur mori porosinë se administrata e re nuk do të merret me politikanë të korruptuar, do t’i shkruajë Trampit që t’ia heqë anatemën që ia kanë hedhur “sorosoistët” e Bajdenit që e futën në “listën e zezë”.
Fenomeni Tramp, në të të vërtetë, më shumë se kurrë e ka ndarë botën në dysh sa u përket zgjedhjeve amerikane, me një tifozllëk të paparë deri tash. Njerëzit e rëndomtë gjer te ata të profileve me bagazh “të rëndë” vazhdojnë edhe më tutje të merren me dilemat se sa do të sjellë mirë ky ndërrim dhe ndonjëherë këto debate devijojnë gjer në humor e në farsë, siç ishte një natë midis profesoreshës Mirjana Najçevska dhe Petar Bogoevskit, kryetar i Konceptit Maqedonas(parti, lëvizje apo kushedi çka…?. Duke qenë mysafirë të emisionit “Vetëm e vërteta” (Само Вистина), në një moment eskalon debati gjer në ndërprerje të emisionit dhe largim të Najçevskës, e cila siç kishte deklaruar pastaj, nuk e ka ndërmend të debatojë me të tillë persona që nuk kanë dije të mjaftueshme dhe të tillë që presidentin Bajden e quan komunist dhe e lëvdon, siç ishte shprehur ajo “kriminelin Tramp”…
E, e klishizuam Amerikën me frustracionet tona lokale…
(Autori është kolumnist i gazetës KOHA)