Nga një korriku me shpalljen e çmimit të ri të rrymës mund të kthehet edhe kostoja më e lirë për qytetarët e energjisë elektrike nga ora 14:00 deri në orën 16:00. Kthimi mbështetet në punën e centraleve diellore. Ekspertët thonë se kjo nuk është e arsyeshme dhe shtojnë se do të rëndohet puna e termocentaleve
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 12 prill – Për më pak se tre muaj, paralajmërohet kthimi i tarifës së lirë edhe ditën. Me fjalë të tjera, nga një korriku me shpalljen e çmimit të ri të rrymës, mund të kthehet edhe kostoja më e lirë për qytetarët e energjisë elektrike nga ora 14:00 deri në orën 16:00. Një lëvizje e tillë mbështetet nga teprica e energjisë elektrike që prodhohet në vend nga muaji maj deri në muajin tetor. Paraprakisht nga një janari 2022 u anulua tarifa e lirë e rrymës për dy orë ditën së bashku me shtrenjtimin e rrymës prej 9.5 për qind. Tarifa e lirë ditore ishte anuluar për shkak të krizës energjetike dhe po të mbetej e njëjta, rryma do të ishte shtrenjtuar edhe për 5 për qind, arsyetuan para një vjet e gjysmë kompetentët nga Komisioni Rregullator për Energjetikë këtë vendim.
Numri një i këtij Komisioni, Marko Bislimovski tani thotë se në favor të rikthimit të tarifës së lirë edhe ditën, janë më shumë argumente si trendi i rritjes së prodhimtarisë vendore të rrymës, një numër i madh i kapaciteteve për prodhimin e rrymës nga dielli apo fotovoltaikeve të ndërtuara nga kompanitë e mëdha që po ndihmon uljen e çmimit të rrymës. Gjithashtu edhe çmimi i energjisë elektrike që e prodhojnë këto kapacitete është më i lirë se në pjesën tjetër të ditës, andaj pas analizave të realizuara në aspektin ekonomik, edhe mund të kthehet tarifa e lirë për dy orë ditën.
Në periudhën e kaluar, qytetarët po shfrytëzojnë më lirë energjinë elektrike për çdo ditë nga ora 22 e natës dhe deri në 7 në mëngjes si dhe ditën e diel gjatë gjithë ditës. Bislimovski shton se nga kthimi eventual i tarifës së lirë, përfituesit më të mëdhenj do të jenë pensionistët. Gjithashtu, analizat e Komisionit Rregullator do të tregojnë se sa është e arsyeshme kthimi i tarifës së lirë gjatë ditës, në prizmin ekonomik, duke marrë parasysh se kur ka ekzistuar tarifa e lirë, kjo e përkthyer në harxhime të atyre dy orëve në nivel vjetor ato kanë qenë 16 milionë euro më pak të ardhura, nëse do të kishte pasur një tarifë më të shtrenjtë gjatë asaj periudhe.
Mirëpo një pjese e ekspertëve nuk e shohin të arsyeshme kthimin e tarifës së lirë. Ekspertët thonë se efektet e një mase të tillë nuk do të jenë të mëdha dhe se do të rëndojnë edhe më tej Elektro Ekonominë e Maqedonisë apo prodhimin vendor që përdoret për furnizimin e qytetarëve dhe kompanive të vogla, si dhe për balancimin e rrjetit. Njëherësh shtojnë se me siguri se qytetarët do të paguajnë për këtë energji elektrike nëpërmjet buxhetit të shtetit dhe subvencionimin e diferencës ndërmjet energjisë elektrike të ofruar për furnizuesin universal dhe atij që sundon tregun.
Spiro Mavrovski ish drejtori i minierës që furnizon me qymyr termocentralin e Manastirit, vlerëson se një hap i tillë do të rëndonte edhe më shumë situatën energjetike në vend që kryesisht bazohet në prodhimin e termocentraleve me qymyr. “Tani është ndryshuar edhe orari i punës së bizneseve andaj kjo tarifë nuk mund të shfrytëzohet nga shumica e amvisërive siç supozohet. Gjithashtu në këtë periudhë ekziston një konsum më i madh i rrymës që duhet të balancohet me një prodhimtari në rritje nga ana e termocentraleve. Mirëpo ndodh që ato shpesh i nënshtrohen remonteve dhe riparimeve, që do të thotë se punën e tyre duhet ta bëjnë hidrocentralet që përbën një shqetësim kur dihet se ato shpesh zbrazen për shkak të thatësisë , andaj edhe mund të kemi import të rrymës”, tha Markovski.
Nga ana tjetër, profesori universitar Rubin Talevski thotë se me vendosjen e tarifës së lirë të rrymë ditën, Elektro Ekonomia e Maqedonisë do të duhet të blejë rrymë nga jashtë me çmim relativisht të lartë nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër tepricën e rrymës së prodhuar natën do të duhet ta shesë me çmim më të lirë.
Ndryshe tarifa e lirë u kthye edhe ditën pas anulimit paraprak më tetor të vitit 2017. Kjo masë qeveritare për përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve kishte koston 8 milionë euro në vit, ndërsa harxhimet e saja mbuloheshin nga puna me nikoqirllëk e kompanive energjetike. (koha.mk)