Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka publikuar një video në të cilën dëgjohet kryeministri kosovar, Albin Kurti, duke premtuar para zgjedhjeve të fundit funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës. Abdixhiku ka theksuar se premtimi nuk është plotësuar, duke shtuar se ndryshimi është i domosdoshëm.
“Ndryshimi po vjen! Me të dhe fundi i politikës së premtimeve që s’kanë peshë më shumë se një fushatë!” ka shkruar kreu i LDK-së në “Facebook” të hënën. Abdixhiku ka nisur një fushatë në rrjetet sociale, në kuadër të së cilës mban përgjegjës liderin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për premtimet e parealizuara gjatë mandatit katërvjeçar.
Në videon e publikuar nga kryetari i LDK-së, kreu aktual i ekzekutivit kosovar dëgjohet duke deklaruar/premtuar: “Aeroporti i Gjakovës do të funksionalizohet me dy shërbime bazë; kargo [bartje e mallrave] dhe për udhëtime më kosto të ulët”.
Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë është i vetmi që shfrytëzohet nga qytetarët, përkundër se Kosova ka edhe Aeroportin e Gjakovës, i cili ndodhet rreth 90 kilometra larg kryeqytetit. Ky aeroport i është dhënë në shfrytëzim Ministrisë së Mbrojtjes, përkatësisht për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Ndryshe, partitë politike ende nuk e kanë nisur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet parlamentare që janë caktuar për 9 shkurt 2025. Por, shumë prej tyre kanë nisur të mobilizohen në kuadër të rutinës përgatitore për betejën zgjedhore. E në fokus të fushatës parazgjedhore të partive opozitare janë premtimet e parealizuara të qeverisë.