E diel, 19 Janar, 2025
-0.2 C
Skopje

Abetarja e unifikuar vetëm si material ndihmës

“Abetarja në gjuhën shqipe, konkretisht ish-ministri Jeton Shaqiri dhe Byroja e kanë miratuar si libër ndihmës, por ai nuk është libër! Jashtë këtij shteti nuk e di se çka është, por në këtë shtet është material ndihmës dhe nuk ka pengesë që edhe më tej të përdoret, përderisa ne nuk kemi vendime tjera, nëse është e nevojshme”, tha ministrja Janveska

Urim HASIPI

Tetovë, 30 dhjetor – Abetarja e Unifikuar për nxënës shqiptarë do të vazhdojë të përdoret vetëm si libër ndihmës apo zgjedhor. Përderisa nuk ka vendim tjetër nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit, ky vendim mbetet në fuqi. Kështu ka deklaruar Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janveska, duke u përgjigjur në akuzat e Bashkimit Demokratik për Integrim se është ndaluar Abetarja Kombëtare. Janveska tha se ka një vendim të Ministrisë së Arsimit dhe Byrosë për Zhvillimin e Arsimit që Abetarja e Unifikuar të përdoret si libër ndihmës.

“Asnjë Ligj nuk mund të vlejë në mënyrë retrograde dhe këtë BDI duhet ta dijë më mirë se unë se kanë përvojë 20 vjeçare. Materialet didaktike do të jenë përdorim derisa Byroja për Zhvillim të Arsimit nuk thotë se nuk janë të përshtatshme. Në këtë moment, nuk kemi vendim ndryshe, do të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Abetarja në gjuhën shqipe, konkretisht ish-ministri Jeton Shaqiri dhe Byroja e kanë miratuar si libër ndihmës, ai nuk është libër, jashtë këtij shteti nuk e di se çka është, por në këtë shtet është material ndihmës dhe nuk ka pengesë që edhe më tej të përdoret, përderisa ne nuk kemi vendime tjera, nëse është e nevojshme”, tha ministrja Janveska.

Ajo këto komente i ka bërë gjatë qëndrimit në Tetovë, ku ka vizituar punët e përfunduara në njërin prej objekteve të Qendrës Rajonale për Arsim Profesional dhe Trajnim  “Mosha Pijade” në Tetovë. Janveska më tej shtoi se kjo shkollë aktualisht është përfshirë në një rikostruim të tërësishëm. Njëri objekt është i gatshëm të presë nxënësit, ndërsa objekti tjetër pritet të rikonstruohet deri në fund të vitit shkollor të vitit të ardhshëm.

“Në njërin prej objekteve janë përfunduar punimet dhe nxënësit që kanë ndjekur mësimin në mënyrë online derisa kanë zgjatur punimet dhe në gjysmëvjetorin e dytë do të kthehen në shkollë me prani fizike. Shpresoj që punimet do të vazhdojnë me të njëjtin ritëm dhe do të investohen rreth 4 milionë euro në këtë Qendër regjionale, ku në të ardhmen do të përgatiten kuadro së bashku me sektorin e biznesit për tregun e punës. Gjithsej në vend ka shtatë qendra të këtilla, ndërsa për momentin investohet në 5 qendra. Prandaj, mendoj se prania fizike e nxënësve në procesin mësimor do të jetë në dobi të nxënësve dhe kuadrit arsimor”, deklaroi Janveska.

Në ndërkohë, ajo është pyetur edhe për shkollën fillore në fshatin Sellcë, ku ka përfunduar faza e parë. Ajo është shprehur se në vitin e ardhshëm do të ketë shumë investime kapitale nëpër shkolla dhe në bazë të fondeve që do të merren të njëjtat do të investohen.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm