Kuvendi i Kosovës për të 41-në herë do të mblidhet sot në tentativë për tu konstituar.
Ndonëse mbajtja e seancës po është vetëm çështje procedurale dhe jo përpjekje serioze për konstituim, tashmë ka nisur të rrjedh afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Pas vendimit të Kushtetueses, të mërkurën presidentja Vjosa Osmani ka takuar liderët partiakë, në kuadër të konsultimeve dhe përpjekjeve për konstituimin e Kuvendit.
Presidentja Osmani u ka bërë thirrje liderëve që në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, si dhe në dobi të interesit qytetar dhe shtetëror, sa më shpejt, por gjithsesi brenda afatit 30- ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të arrihet një pajtim rreth rrugës përpara për konstituimin e Kuvendit.
Osmani konsideron se moskonstituimi i institucioneve të reja të dala nga vullneti i qytetarëve i shprehur më 9 shkurt të këtij viti dëmton vlerat demokratike si dhe interesat e shtetit tonë, pengon një sërë përfItimesh shtetërore që janë në interes të qytetarëve dhe zvogëlon besimin qytetar në institucione.
Po ashtu u tha se Presidentja Osmani do të vazhdojë me takime konsultative me partitë e tjera të përfaqësuara në Kuvend edhe përgjatë ditëve në vijim, në rolin e saj si garantuese e funksionimit kushtetues dhe përfaqësuese e unitetit të popullit në Republikën e Kosovës.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese ditë më parë ka publikuar aktgjykimin në rastin KO124/25, lidhur me kërkesën e parashtruar nga deputetja Time Kadrijaj dhe dhjetë deputetë të tjerë të Kuvendit, që kundërshtonin vendimin për refuzimin e formimit të Komisionit për votim të fshehtë dhe vendime të tjera të ngjashme, të marra gjatë seancave konstituive të Kuvendit të mbajtura në prill dhe maj 2025.
Gjykata ka theksuar se seanca konstituive e Kuvendit e nisur më 15 prill 2025 nuk ka përfunduar, për shkak të moszgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve, duke mos përmbushur kështu kërkesat kushtetuese të nenit 66 të Kushtetutës;
Po ashtu, Gjykata ka vendosur që deputetët e zgjedhur janë të obliguar që brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi, të përfundojnë seancën konstituive përmes zgjedhjes së Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Kjo nënkupton se palët politike kanë tashmë një afat të përcaktuar dhe një orientim më të qartë për të zgjidhur bllokadën dhe për të formuar organet drejtuese të Kuvendit në përputhje me rendin kushtetues.