E martë, 25 Mars, 2025
13.8 C
Skopje

Agon Maliqi: A do të jetë Kosova në Uashington palë në tavolinën e diskutimeve apo subjekt i diskutimeve në tavolinë?

Analisti Agon Maliqi ka komentuar qëndrimet realiste të Sekretarit të Mbrojtjes së SHBA-së Pete Hegseth në Konferencën për Siguri të Mynihut në lidhje me paqen e mundshme mes Rusisë dhe Ukrainës. Në lidhje me Kosovën dhe pozicion e saj në raport me bisedimet me Serbinë, Maliqi thotë se nga përbërja e re e qeverisë do të varet se a do të jetë Kosova palë në tavolinë apo vetëm pjesë e diskutimeve.

Më tej shkrimi i plotë i Agon Maliqit në profilin e tij në Facebook

‘’A do të jetë Kosova në Uashington pjesë e tavolinës së diskutimeve apo subjekt i diskutimeve në tavolinë?

Sekretari i ri i Mbrojtjes i SHBA, Pete Hegseth, tha sot në Konferencën e Mynihut se nuk e sheh si realiste që marrëveshja e negociuar mes Rusisë dhe Ukrainës të çojë në anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe as rikthimin e saj në kufijtë e vitit 1991. Poashtu tha se garancitë e sigurisë për Ukrainën pas marrëveshjes me Rusinë duhet të vijnë nga Evropa dhe se ushtarët amerikanë nuk do të shkelin aty, por që mund të ketë vend për armatim amerikan.

Ky deklarim publik është zyrtarizim i ndryshimit të kursit nga administrata e re amerikane në politikën ndaj Ukrainës dhe është në përputhje me frymën e tërheqjes së SHBA si “subvencionuese” e sigurisë evropiane dhe zotimit të saj për mbrojtjen e kufijve sipas rendit ndërkombëtar. Kjo frymë realiste shumë shpejt do të reflektohet edhe në politikën e SHBA në Ballkan ku – po e përsëris – është në rrezik serioz prezenca e KFOR-it amerikan.

Po e përsëris një gjë që e thash të shtunën në Klan Kosova: lobi i Serbisë është forcuar shumë në Uashington D.C, por edhe Kosova nuk është pa miq. Problemi i Kosovës është se me qasjen e vet ajo nuk po ju jep argumente miqve të vet për mbështetje.  Nga përbërja e re e qeverisë së re të Kosovës dhe nga kursi i saj politik do të varet shumë nëse Kosova do të jetë palë në tavolinë të diskutimeve në Uashington apo do të jetë subjekt diskutimi i asaj tavoline. E njëjta gjë vlen edhe për në vendet e BE, ku kapitali politik i Kosovës është më i vogël. Pesha e këtyre zgjedhjeve dhe e kësaj qeverie që do të krijohet është historike për sigurinë kombëtare.’’, shkruan Maliqi.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm