Kryetari i Partisë ‘Mundësia’, Agron Shehaj, ka mbyllur fushatën elektorale duke i drejtuar një apel mbështetësve dhe qytetarëve shqiptarë, duke i ftuar ata të shfrytëzojnë mundësinë historike që u ofrohet për të ndryshuar të ardhmen e vendit.
i shprehu besimin se Shqipëria ka ardhur në një moment kyç, ku mund të lërë pas të kaluarën dhe të ndërtojë një të ardhme të re, të bazuar në mundësi dhe përpjekje të vërteta.
“Ne kemi një mundësi unike të dielën. Për 35 vjet, kemi jetuar me një duopol politik që ka zgjatur shumë. Politikanët e këtyre dy partive mendojnë vetëm për veten e tyre, jo për ju, prandaj krijuam ‘Mundësinë’ një vit më parë. Kjo është një alternativë e vërtetë, jo thjesht një rotacion. Shqipëria ka nevojë për ndryshim. Koha për ndryshim është tani, dhe kjo është ajo që i shqetëson”, theksoi ai.
Shehaj theksoi gjithashtu se, megjithë përpjekjet për t’i penguar, Partia ‘Mundësia’ ka arritur të shkojë deri në këtë pikë të fushatës, duke mbajtur një qëndrim të fortë dhe të vendosur për t’i ofruar Shqipërisë një të ardhme më të mirë.
“Kur nisëm këtë rrugëtim, më pak se një vit më parë nga ky vend, shumë pak ishin ata që do të kishin vënë bast për ne. Dhe megjithatë, ja ku jemi sot, në ditën e fundit të fushatës, dy ditë para zgjedhjeve, të fortë dhe të vendosur, gati për t’i ofruar Shqipërisë më në fund një të ardhme ku të gjithë të mund të jetojnë me punën e tyre, pa nepotizma, pa lidhje politike, pa u mbështetur tek partitë e vjetra”, u shpreh Shehaj.
Ai foli gjithashtu për vështirësitë që ka hasur Partia ‘Mundësia’ gjatë kësaj periudhe, duke u sulmuar në shumë fronte nga ata që kanë frikë nga ndryshimi, duke përfshirë sulme mediatike, debata publike dhe madje edhe procedura gjyqësore.
“Ka qenë një rrugëtim i gjatë, dhe s’ka dyshim, ata që kanë interes që gjërat të mbeten po njësoj kanë bërë gjithçka për të na ndaluar. Na kanë sulmuar në televizione, në debate, në takime, në rrjete sociale, madje edhe në gjykata. Po na sulmojnë sepse po e shohin se diçka e madhe dhe historike po ndodh në Shqipëri. Po çlirohet një potencial, një energji dhe një besim i pandalshëm”, përfundoi Shehaj.
Partia ‘Mundësia’ e mbylli fushatën e saj në Pallatin e Kongreseve, duke shprehur optimizëm për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Në fletën e votimit, kjo parti do të shfaqet me numrin 10. (Euronews.al)