Sonte, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, mori pjesë në një mbledhje me qytetarë në Bërvenicë, e organizuar nga dega e BDI-së në këtë lokalitet. Në këtë takim, siç thuhet në njoftimin e BDI-së, i pranishëm ishte një numër i madh qytetarësh, anëtarësh dhe simpatizantësh të BDI-së, të cilët diskutuan mbi gjendjen jo të lakmueshme në vend.
“Gjatë mbledhjes, qytetarët shprehën shqetësimet e tyre dhe vërejtjet ndaj qasjes së pushtetit aktual ndaj shqiptarëve, duke theksuar domosdoshmërinë për një trajtim të drejtë dhe të barabartë të të gjithë qytetarëve në përgjithësi dhe të shqiptarëve në veçanti.
Lideri i BDI-së, z. Ali Ahmeti, theksoi se ndihej krenar për faktin se shqiptarët janë të bashkuar në çdo vend për të mbrojtur të drejtat e tyre, të drejta që janë arritur pas shumë mundi dhe sakrifice. Ai siguroi të pranishmit se Bashkimi Demokratik për Integrim do të qëndrojë i palëkundur në çdo betejë, duke mbrojtur themelet e Marrëveshjes së Ohrit, e cila mbetet shtyllë e stabilitetit dhe paqes në Maqedoninë e Veriut.
BDI-ja do të vazhdojë të jetë një forcë e qëndrueshme dhe e fortë për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe për avancimin e interesave të tyre në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e BDI-së.