“Kam nderin e veçantë që në emër të të gjithë përkrahësve dhe anëtarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim si dhe në emrin tim personal t’i uroj presidentit të sapozgjedhur amerikan, Donald Trump, fitoren në zgjedhjet presidenciale me uratat më të sinqerta për presidencë të suksesshme dhe thellim të miqësisë dhe bashkëpunimit strategjik në drejtim të realizimit të qëllimeve tona të përbashkëta”, shkruan lideri i BDI-së, Ali Ahmeti në urimin e tij drejtuar presidentit të sapozgjedhur amerikan Donald Tramp.
Në urimin e tij Ahmeti thekson se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë lider global i demokracisë dhe i të drejtave të njeriut si dhe promotor i vlerave të solidaritetit duke shprehur bindjen se presidenti i zgjedhur do të vijoj rrugën e promovimit të këtyre vlerave në botë bashkë me rrugën e shtruar shekullore të miqësisë shqiptaro-amerikane.
“Vendet e Ballkanit perendimor si dhe shqiptarët në përgjithësi ndajnë të njëjtin synim me SHBA-në, atë të demokratizimit dhe integrimit euroatlantik të vendeve tona kështu që partneriteti ynë në drejtim të realizimit të qëllimit të përbashkët do të vijoj pandërprerë”, vijon Ahmeti.
Gjithashtu, ai e ka uruar edhe Hilari Klintonin për fushatën dinjitoze, duke i shprehur mirënjohjen e thellë të komunitetit shqiptar për kontributin e madh të familjes Klinton për paqën dhe stabilitetin në rajonin tonë.