Ambasadori i Shqipërisë nuk ka vetëm një rol diplomatik formal, por një detyrim kushtetues dhe kombëtar për të mbrojtur interesat e shqiptarëve kudo që ndodhen, përfshirë edhe jashtë kufijve shtetërorë të Republikës së Shqipërisë. Kështu shkruan në profilin e tij në FB, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ndërsa ka shprehur mbështetjen për ambasadorin shqiptar Denion Meidani, i cili në mënyrë të koordinuar, është sulmuar dhe fyer nga mbështetës dhe zyrtarë të VLEN-it.
“Kjo nuk është çështje dëshire apo vullneti personal, por një obligim që buron drejtpërdrejt nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe nga misioni historik i shtetit shqiptar për të qenë pranë çdo shqiptari, pavarësisht nëse ndodhet në Shqipëri, në rajon apo në diasporë”, shkruan Ahmeti.
Çdo përpjekje për ta sulmuar këtë angazhim, apo për ta interpretuar si ndërhyrje, vijon më tej Ahmeti, është jo vetëm keqkuptim i qëllimshëm, por edhe një shërbim i drejtpërdrejtë ndaj kauzave antikombëtare. “”Shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë nuk janë ‘të huaj’ për shtetin shqiptar, ata janë pjesë e pandashme e kombit tonë dhe meritojnë kujdesin e plotë institucional.