Edhe pse disa herë ka patur aksione për pastrimin e deponive, megjithatë Mali Sharr ende është larg që të jetë i pastërt nga mbeturinat, sidomos ato inerte
Urim HASIPI
Tetovë, 9 maj – Edhe në Tetovë dhe jo vetëm, u organizua aksioni ekologjik “Fundjavë Gjenerale”. Të premten, që nga orët e paraditës, të punësuar në administratën e Komunës së Tetovës, pjestarë të Organizarave Joqeveritare, nxënës të shkollave të mesme dhe qytetarë, filluan aksionin për pastrimin e qytetit të Tetovës nga mbeturinat. Aksioni ekologjik është zhvilluar në pjesët qendrore dhe periferike të qytetit të Tetovës ku ka më shumë mbeturina që hudhen gjithandej. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka bërë thirrje që edhe qytetarët të kujdesen më shumë për pastërtinë publike sepse nuk mjafton vetëm angazhimi i punëtorëve të higjienës komunale. Në aksionin ekologjik u grumbulluan mbi 200 thasë me mbeturina që u gjetën të hedhura në rrugë.
“Të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këtë aksion kanë luajtur një rol senzibilizues sepse duhet të jenë të vedtëdijshëm se pastërtia publike është përgjegjësia jonë 356 ditë brenda vitit kudo që të jemi të kujdesemi për hapësirat publike. Vet pjesëmarrja e nxënësve në këtë aksion tregon se ata përveç se do të ngrisin vetëdijen për tjerët, poashtu edhe vet do të ngrisin vetëdijen që nesër më shumë të kujdesen për pastërtinë publike”, deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Problem në vete është se në shumë pjesë të Parkut Kombëtar në Malin Sharr ka deponi të egra. Edhe pse disa herë ka patur aksione për pastrimin e deponive, megjithatë Mali Sharr ende është larg që të jetë i pastërt nga mbeturinat, sidomos ato inerte. “Mendoj se është pak më mirë sepse edhe me kompaninë Saubermacher bashkëpunojmë, ka disa pika të grumbullimit të mbeturinave dhe mendoj se është pak më mirë. Sepse edhe vetëdijësimi është duke u përmirësuar dhe kemi një bashkëpunim të mirë edhe me qytetarët”, deklaroi Emir Huseini, drejtor i Parkut Kombëtar Mali Sharr.
Nga Komuna e Tetovës janë shprehur të gatshëm që të baskëpunojnë me Parkun Kombëtar që të ketë më shumë pastërti. “Në jemi të gatshëm që në bashkëpunim me Parkun Kombëtar të jemi pjesë e aktiviteve të këtilla dhe sigurisht të bëjmë edhe punën tonë që e kemi si angazhim për një ambient të pastërt. Poashtu, edhe vendimet e fundit të Parkut Kombëtar që të ketë më shumë kontrollë sa i përket lëvizjes dhe kjo do të kontribuojë që të kemi më shumë pastërti”, deklaroi Kasami.
Aksioni ekologjik “Fundjavë Gjenerale” në nivel të shtetit dhe në veçanti në Tetovë është përkrahur nga Kompania Private Saubermacher, e cila pëmes Partneritetit Publiko-Privat grumbullon mbeturinat në Tetovë. (koha.mk)