E hënë, 16 Qershor, 2025
28.8 C
Skopje

Akuzon LSDM: Abuzime në Ministrinë e Kulturës

Emërime sipas preferenca, abuzime me buxhetin…. LSDM akuzon ministrin e Kulturës dhe Turizmit për keqpërdorimin e funksioneve dhe parave publike dhe ka kërkuar fillimin e procedurave të llogaridhënies. Nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit nuk ka reagim

 

Evis HALILI

Shkup, 5 qershor – LSDM ka akuzuar ministrin e Kulturës dhe Turizmit për sjellje abuzive dhe nepotizëm brenda institucionit që ai drejton. Shpenzime të tepruara, punonjës që emërohen me urdhër të ministrit, që sipas LSMD tregojnë për abuzime serioze dhe sjellje skandaloze në MKT. Ministri Lutkov, ka deklaruar të enjten Katarina Ilievska-Siljanovska nga LSDM, ka shpenzuar mbi 50 mijë euro për udhëtime vetëm në gjysmën e dytë të vitit 2024, janë blerë bileta avioni për një turne në Japoni në shtator, ku Ana dhe Igor Durlovski, të cilët kanë lidhje të ngushta me qeverinë, do të performojnë me shpenzime shtetërore.

“Fillimisht ai e ngriti në detyrë shoferin e tij në një zyrtar kabineti, vetëm për të marrë një pagë 30 për qind më të lartë. Pastaj, ai emëroi një punonjës nga kabineti i tij si kryetar i Bordit Drejtues të Operës dhe Baletit, gjë që është një konflikt i qartë interesi. Më 19 maj të këtij viti, ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov, shkarkoi sekretaren shtetërore Marija Gjorgova, me qëllimin e vetëm që t’i mundësonte asaj të ngrihej në detyrë përmes një konkursi të brendshëm në pozicionin e Këshilltares Shtetërore për Çështjet Evropiane dhe Industritë Kreative. Edhe pse zyrtarisht u shkarkua, Gjorgova vazhdoi ta paraqiste veten si sekretare shtetërore. Ajo bën paraqitje publike në evente, hap ekspozita, udhëton me shpenzime shtetërore në Vatikan, në Bienalen e Venedikut, madje e priti ambasadoren greke në cilësinë e sekretares shtetërore, një pozicion nga i cili u shkarkua zyrtarisht, gjë që është një lloj skandali diplomatik. Është skandaloze që pas përmbushjes së dëshirave të saj personale, Gjorgova u rikthye në pozicionin e sekretares shtetërore, u ngrit në detyrë dhe u kujdes për të”, ka thënë Katarina Ilievska-Siljanovska.

Duke e cilësuar si një shkelje klasike e ligjit, abuzim i institucioneve dhe një fyerje e drejtpërdrejtë për të gjithë punonjësit e kulturës në vend, LSDM ka kërkuar publikisht që institucionet të fillojnë procedurat për auditim dhe llogaridhënie, dhe që abuzimi i funksioneve publike dhe parave publike të ndalet menjëherë. “Kjo nuk është politikë në interes të kulturës – kjo është një katastrofë kulturore”, tha Ilievska. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm