Al-Khelaifi po iu përgjigjej pyetjeve të gazetarëve, që iu afruan atij në zonën mikse të stadiumit. Diçka që ia prishi kënaqësinë ishte pyetja e një gazetari, i cili i përmendi Mbappe. Kjo solli reagimin e irrituar nga presidenti parizien.
Kur dëgjon atë emër, sheikut nga Katari i zien gjaku në vena. Mosmarrëveshja e hapur me futbollistin e Real Madridit tashmë e bën temën në fjalë tabu absolute. Al-Khelaifi e shikon drejt e në sy dhe i jep një përgjigje që nga toni i saj duket frikësuese: “E di që po kërkon telashe, apo jo?”
PSG e mundi Manchester City me përmbysje në Champions League, duke qenë tashmë me një këmbë e gjysmë në “play-off”. Goditje e rëndë ndaj skuadrës angleze, e cila tani rrezikon të eliminohet.
Pyetja e njërit prej gazetarëve të pranishëm shkaktoi reagim të ashpër te sipërmarrësi nga Katari. Megjithatë, përmbajtja e pyetjes nuk ishte fyese apo provokuese. Gazetari thjesht donte të dinte nëse PSG ishte një ekip më i mirë, pas largimit të Mbappé. Pyetja me sa duket nuk i ka pëlqyer Al-Khelaifi, i cili shpërtheu: “Ti e di që po kërkon telashe, apo jo? Unë po flas për lojtarët e mi. Nëse më bëni një pyetje, më pyesni për lojtarët e mi”.
Në mes është kërkesa për dëmshpërblim prej rreth 55 milionë euro (që bëhet 100 milionë, përfshirë kontributet dhe tarifat e tjera fiskale) e kërkuar nga ylli francez, si pagesë për detyrimet e papaguara. Dy seancat dëgjimore (së pari në komisionin ligjor dhe më pas në komisionin e përbashkët të apelit) përpara “Ligue de Football Professionnel” e dënuan klubin. PSG ka apeluar në gjykatën e Parisit kundër dy vendimeve negative të komiteteve të LFP.
UEFA pret që procesi ligjor të marrë rrjedhën e vet. Nëse do të përfundonte në mënyrë të pafavorshme për klubin parizien, mund të vendosë edhe sanksione bazuar në nenin 82 në lidhje me dhënien e licencës për klubet dhe qëndrueshmërinë financiare, si rezultat i të cilit një klub “nuk duhet të ketë detyrime të prapambetura ndaj stafit të vet, të cilat rrjedhin nga detyrimet kontraktuale ose ligjore”.