Zëvendësministri i Arsimit, Lulzim Aliu bëri të ditur se tekstet shkollore nxënësit deri në klasë të gjashtë janë siguruar sipas konceptit të ri ndërsa, për klasat 7,8,9 janë tekstet sipas programit të vjetër, përcjell TV21. Aliu bëri të ditur se për gjuhët, janë siguruar tekstet për gjuhën maqedonase, shqipe dhe turke, ndërsa mungesë ka për atë frënge, gjermane dhe angleze.
“Tekstet shkollore për klasat e para deri te e gjashta sipas konceptit të ri janë të siguruara, janë të shtypura dhe është procesi i distribuimit të tyre ndërsa klasa e 7,8,9 do të vazhdojnë me tekstet sipas programit të vjetër që po ashtu janë të siguruara dhe është procesi i shpërndarjes. Tekstet e gjuhës amtare, siç është gjuha maqedonase për nxënësit me mësim në gjuhën maqedonase, gjuha shqipe për nxënësit me mësim në gjuhën shqipe, gjuha turke për nxënësit me mësim në gjuhën turke, këto tekste shkollore janë siguruar por, siç mund të jetë gjuha frënge, angleze, gjermane se për këto nuk i shkruajnë autorët vendas por autorë të huaj”, tha Aliu në Daily Click.