E premte, 13 Qershor, 2025
21.8 C
Skopje

Ambasadori i Francës: Të interpretohet saktë propozimi francez dhe të zhbllokohet procesi eurointegrues

Anëtarët e Komisionit për Çështje Evropiane (KÇE) u takuan me ambasadorin e Francës, Kristof le Rigole, gjatë të cilit shkëmbyen mendime mbi procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, me theks në mbështetjen franceze në atë rrugë. 

Zëvendëskryetari i KÇE-së, Igor Zdravkovski, theksoi se qëllimi i anëtarësimit të plotë të vendit tonë në BE nuk është vetëm deklaratë politike, por veprim i vërtetë për të përmbushur reformat e nevojshme.

Zdravkovski foli edhe për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit, duke theksuar kompetencat e KÇE-së në atë drejtim.

Ambasadori Rigole vuri në dukje bashkëpunimin e intensifikuar dypalësh në periudhën e fundit, përfshirë në nivelin e parlamenteve, duke theksuar interesin e Francës për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, i cili është me rëndësi të veçantë në një periudhë ndryshimesh gjeopolitike.

Ambasadori francez iu referua edhe nevojës për interpretim të saktë të, siç e quajti ai, kompromisit të vitit 2022 ose të ashtuquajturit propozim francez, duke theksuar se është shumë e rëndësishme të zhbllokohet procesi i pranimit për vendin tonë, gjë që është në interes të të gjitha palëve të interesuara.

Ai vlerësoi se është me rëndësi thelbësore që Maqedonia e Veriut të hipë në trenin e mirë në procesin e zgjerimit, së bashku me vendet që po përparojnë me shpejtësi.

Deputetët e KÇE-së dhe ambasadori francez shkëmbyen gjithashtu mendime mbi zbatimin e Agjendës së Reformave, mbi përgjegjësinë e të gjithë faktorëve politikë për integrimin në BE, si dhe mbi rëndësinë e prioritizimit të reformave në fusha të caktuara, siç janë sundimi i ligjit ose të drejtat e komuniteteve pakicë.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese si kusht për të ecur përpara në rrugën eurointegruese, gjegjësisht për të hapur negociatat me Komisionin Evropian. Ato nënkuptojnë që përpos kombeve tjera, të shtohen edhe bullgarët në të si popull shtetformues.
Më 19 korrik të vitit 2022, u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare mes Maqedonisë dhe BE-së, gjë që duhej të shënonte fillimin e negociatave po të mos ishte obligimi për ndryshimet kushtetuese. Ky obligim parashihet me marrëveshjen e korrikut të vitit 2022 ndërmjet Bulgarisë dhe Maqedonisë, e cila bazohet në atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e kontesteve për gjuhën, identitetin dhe të kaluarën historike mes dy vendeve. Pasi u arrit kjo marrëveshje, Sofja hoqi veton për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut në këmbim të kushtit për ndryshimet kushtetuese. (Portalb.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm