Ambasadori i Federatës Ruse në Maqedoni të Veriut, Sergej Bazdnikin hyri në Kuvend dhe realizoi takim me dy deputetë nga partia E Majta, Dimitar Apasiev dhe Rexhep Ismail
Në njoftimin e deputetëve thuhen edhe arsyet përse u takuan.
“Nga deputetët tanë është theksuar se E Majta angazhohet për bashkëpunim të hapur me të gjitha fuqitë e mëdha që janë anëtarë të Këshillit të Sigurisë, përfshi edhe Rusinë. Vlerësojmë se zhvillimi i marrëdhënieve me Rusinë është e rëndësisë së veçantë për Maqedoninë sepse ky vend ofron mundësi të mëdha ekonomike, tregtare por edhe shkëmbime kulturore. Populli maqedonas nuk pajtohet me politikat e Qeverisë për sanksione ndaj Rusisë. Nga ana jonë u theksua se sanksionet e shtetit tonë me presion të NATO-së dhe BE-së janë të paarsyeshme dhe në kundërshtim me interesat e dyja vendeve”, thonë nga E Majta.
Por takimi me ambasadorin e shtetit i cili e ka shpallë Maqedoninë e Veriut vend armik nuk i pengoi kreut të Kuvendit, Afrim Gashi.
Nga kabineti i tij na cituan nenin 23 të Ligjit për deputetët i cili garanton të drejtat e një ligjvënësi, duke shpjeguar se kërkesa për takim ishte e deputetëve të partisë E Majta. Për Gashin nuk ka rëndësi se ambasadori i një shteti armik, vazhdon agjendën e tij brenda shtëpisë më të lartë ligjvënëse në shtet.
“Kabineti i Kryetarit të Kuvendit nuk është i kyçur në përgatitjen e takimeve me deputetët, e që në këtë rast bëhet fjalë për takim me kërkesë të dy deputeteve ju drejtojmë atje për pyetjet tuaja”, thonë nga Kabineti i kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi. (Alsat-m)