E diel, 9 Shkurt, 2025
-3.2 C
Skopje

Arifi thotë se “Kurti po i përçan shqiptarët” në Luginë

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, i cili mbështet listën “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar” ka votuar për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që po mbahen në Serbi dhe ka deklaruar se numër i vogël i qytetarëve kanë votuar deri më tani, derisa ka theksuar se kjo po ndodh për shkak “të përçarjes së shqiptarëve” dhe garimit në dy lista të ndara.

Pas votimit, Arifi e ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, pasi ky i fundit i ka dhënë mbështetje kundërshtarëve politikë të Arifit në Luginë të Preshevës.

“Përçarja qe dy vjet që po ndodh në Luginë të Preshevës, kjo me mbështetje të fortë të kryeministrit Kurti, sepse nuk është përçarje që ne e kemi dashur, por është përçarje që na e ka sjellë Kurti. Pra, nuk është diçka që ne e kemi kërkuar që me njëri-tjetrin të bëjmë. Sepse më 2020 e patëm listën e unifikuar, aty kemi mundur të bashkohemi. Në dy vitet e fundit përçarja ka ndodhur fuqimisht e mbështetur edhe nga Kurti. Dhe sot ia japim faturën edhe Kurtit”, tha ai për Kosovapress.

Madje, Arifi nuk shprehet optimist se do të ketë përfaqësues shqiptar në Parlamentin e Serbisë, derisa ka shtuar se “nuk ka faj votuesi, e kemi fajin ne”.

“Edhe pse kam dhënë gjithçka për t’u unifikuar, por është një politikë egocentrike, e cila mbështetet nga Kurti tash e dy vjet dhe sot është rezultati”, shtoi ai.

Po ashtu në këto zgjedhje, do të marrë pjesë edhe lista “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”, ku synohet që Kamberi ta marrë edhe një mandat në Parlamentin e Serbisë, si deputeti i vetëm shqiptar atje.

Në këtë garë, forcat kryesore janë Partia Progresive Serbe (SNS), e presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe koalicioni i përbërë nga partitë opozitare “Serbia kundër dhunës”.

Në bazë të disa sondazheve që janë publikuar ditëve të fundit, e kanë nxjerrë të parën me mbi 40 për qind SNS-në.

Opozita serbe ka kritikuar vazhdimisht SNS-në – e cila ka pushtetin në Serbi që 10 vjet – se ka përdorur pushtetin për të ndikuar tek qytetarët serbë në orientimin e votës së tyre.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm