Bashkësia ndërkombëtare duhet qartë jo vetëm të kualifikojë veprimin si akt terrorist, por dhe të ndërrojë qëndrim për palët në dialog, sepse duket qartë se Beogradi edhe një herë iu kthye diskursit të gënjeshtrave për gjërat që nuk mund të fshihen më me propagandë!
Nga Daut DAUTI
- Duhej një gabim në hapa taktikë të Serbisë (apo një grupi serbësh, krejt një) dhe një veprim energjik i policisë kosovare, që gjithçka të dale në shesh! “Car je gol” është një varg nga një shfaqje muzikore kur përkthehet serbisht. “Cari ka dalë lakuriq”! Ashtu na doli edhe “cari” i ri serb, për taktikat e të cilit dikush mendonte se Serbinë do ta çojë nga Perëndimi, se do ta njohë Kosovën de fakto pa de jure, sepse s’guxon më shumë…etj.etj.
Naivët dhe ata tjerët, që kishin investuar mjaft në të (SHBA-të, BE-ja…), se ai është një politikan pragmatik dhe konstruktiv, mbas të dielës së përgjakshme në Banjskë të Zveçanit, duhet përfundimisht t’i hedhin poshtë iluzionet. Dhe të korrigjohen. Sepse, një fjalë e urtë popullore thotë se ujku nuk bëhet qengj, sikur njëqind lëkura t’i hedhë mbi supe.E kuptueshme është përmbajtja për të mos u ngutur, mund në parim ta kuptojmë edhe Stanon e BE-së që thotë nuk mund të merret qëndrim vetëm nga një video, por duhet të ketë edhe pak respekt edhe për fjalët e urta popullore të këtij rajoni që thonë se fshati që shihet nuk do kallauz!
Se doli gjithçka “aplla” për “midani” dhe çdo përpjekje relativizimi, dhe në mos më keq, edhe harrimi të këtij episodi, do të ishte një veprim taktik tejet i gabuar i bashkësisë ndërkombëtare. Sepse, kur zihet dikush me pelë për dore, s’ka më e pamë, s’e pamë, s’ka më besim në përbetë e tij. Nga “repertori” propagandues të zyrtarëve serb u thanë me shumicë këtyre ditëve margaritarë qesharakë që e nxjerrin gënjeshtrën e tyre në shesh! Kësaj radhe, duke u nxituar në veprim, nuk iu lanë për të sajuar ndonjë narrativ të besueshëm, e duke vonuar në deklarata, hynë lakrave edhe më shumë, për t’u bërë gaz i botës…
Dhe dëgjuam “çudira”: grupi na qenka shprehje e revoltës së popullit serb që qenka nën terrorin e vazhdueshëm të Kurtit i cili dërgoka policinë atje edhe për të vrarë fëmijë (Vuçiqi tha se kaherë e ka paralajmëruar se mund të ndodhte kjo, ndërkombëtarët duhet të ecin gjurmëve të këtij Sveti Save që po parashikoka!), Pyetja është: ka dëgjuar bota të ketë vrarë policia e Kosovës ndonjë fëmijë, e Vuçiqit po i dalkan parasysh si viktima!?
Pastaj, Vuçiqi vetë tha se armë mund të bliheshkan kudo, sa nuk tha në “zeleni pijac”, e armatimi që u zu, duke përfshirë edhe automjete, autoblinda, armë të rënda, që i pa bota, mund të blihen ashtu lirshëm pazare të gjelbëra! Po për uniformat… e njëjta gjë. Që të jetë me nivel më të lartë artistik të gënjeshtrës, disa foto u përpoq t’i përgënjeshtrojë se na qenkan bërë në Kandahar, e ajo fotoja me Radojçiqin, në Kazastan! Mjafton këto për filmin e Sasha Koen Baronit “Borat” që burleska e tij të jetë e plotë, sepse edhe ashtu Borati i tij është prej andej. Për “Boratin”, është e mirë edhe ajo skena e ikjes nëpër male e “luftëtarëve të lirisë”, kushedi, ndoshta dhe e negociuar për t’ua mbathur të katrave. Më mirë të turpëruar, se në arkivol. Sepse, kur zihesh në rrenë, edhe turpi shkon bashkë me të!
Për frontin e hapur verbal ndaj bashkësisë ndërkombëtare, për fajin e vet serbëve që e shpërfaqën fytyrën që ua la Millosheviqi, s’u ka faj kush.
Nga këndvështrimi kosovar duhet lavdëruar patjetër përgatitjen e lartë profesionale të policisë kosovare që e zbuloi këtë diversion terrorist të grupit të armatosur serb. Që arriti ta neutralizojë para se të zgjeronte veprimin e vet. Këtu duhet përshëndetur edhe këmbënguljen e qeverisë së Albin Kurtit që kësaj punë t’i hyhet me vendosmëri e t’i shkohet gjer në fund. Sepse aksioni i suksesshëm parandaloi shtrirjen më të gjerë dhe në popullsinë vendore, pastaj bëri që për të larë veten, Kisha (lokale)të bëjë distancim sado që mund të ishte nga pak dhe demagogjik, kurse ta vë Vuçiqin në sprovë që të gënjejë pa peris para botës (por, letër e lexuar tashmë). Me zbulimin dhe dëbimin e këtij grupi, me zënien e atij arsenali ushtarak për të bërë luftë të vërtetë, praktikisht i dha dëshmi të fortë botës se një gjë e tillë pa ndihmë nga autoritetet serbe, nuk do të ndodhte. Kurse, me pasojat e aksionit në viktima, e bëri Vuçiqin të bëjë gabime tjera të radhës, siç është shpallja e tri ditëve zie për “martirët” serbë. Edhe nëse s’e ka organizuar grupin, solidarizohet me veprimet e tij.
(Dëgjuam e lexuam shumëçka. Ndër to se ndoshta Vuçiqit i është bërë diversion nga brenda, të atyre elementeve që thonë se i ka instaluar Putini në pushtetin e tij (Vulini i famshëm dhe disa të tjerë…), prej të cilëve e ka vështirë të distancohet… Por kjo, edhe sikur të ishte e vërtetë, prapë i adresohet shtetit serb, sepse janë institucionet e tij…dhe kur të maten shtet me shtet, s’mund fajësia të bie mbi Kosovën.
Vuçiq ka një pozicion autoritar në shtetin serb dhe në gjithë “botën serbe”, siç parapëlqejnë ta quajnë. Pas gënjeshtrave që i tha, së pari ato nuk iu shitën as në Beograd, sepse ka opozitë dhe media të cilat nuk i blejnë kollaj demagogjitë. E duket se s’i ka mbetur fytyrë as të dalë para botës. Edhe ai dëshmoi atë që e ka thënë një nga pararendësit e tij, Dobrica Qosiq, se gënjeshtra është në traditën e politikës serbe.
Por, gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra.
Ka dhe një gjë të madhe në këtë rast të dështuar për involvim ushtarak: leksioni që morën serbët, është pak e besueshme se mund ta përsëritin. Mobilizimi i bashkësisë ndërkombëtare për ta parandaluar (përmes Eulex-it, KFOR-it), por dhe shtimi i forcave policore kosovare, duket se do të zbrapsë cilindo element destabilizues të përsëritë të njëjtin skenar.
- Çka të bëhet tutje? Gjithsesi, kthimi te dialogu është domosdoja, edhe pse bashkësia ndërkombëtare do të bënte gabim të sillej sikur asgjë s’ka ndodhur.
Akti terrorist dhe menaxhimi i të vërtetës me video e dëshmi tjera, dhe zbulimi i involvimit të liderit të Listës Serbe, ia ka lehtësuar qeverisë kosovare që të çlirohet me një hap prej kancerit sistemor. Pa u konsultuar me askë, Parlamenti duhet ta ndalojë veprimin e Listës Serbe si subjekt për shkak të organizimit të këtij sulmi ku u vra polici Afrim Bajrami, e jo vetëm që kërkoi me rezolutë të shpallen terroriste “Mbrojtja civile” dhe “Brigada e Veriut”. Pastaj Vuçiqi le të thyejë dhëmbët se përse e si mund të ndodhë kjo! Argumentet janë në anën e Kosovës. Me ndalimin e Listës Serbe, do të shkëputej manipulimi i Beogradit aq haptas, dhe do t’i linte serbët lokalë të Kosovës të organizohen në mënyrë autoktone.
Çështja e ekstradimit të pjesëtarëve të grupit, mund të vihet si kusht në tavolinën e bisedimeve, sepse është në frymën e sundimit të së drejtës, edhe pse Beogradi asnjëherë nuk do t’i dorëzonte “heronjtë” e vet. Supozojmë se në këto kërkesa e vendime mund të haset në rezistencë serbe, por mendoj se tash nuk ka çka të ngutet, Vuçiqi edhe ashtu ka thënë se nuk do ta njohë as de iure as de facto Kosovën, prandaj edhe ai mund të presë ndonjë kohë “më të mirë” për asociacionin.
Dhe duhet të insistohet edhe të BE që të mos vë barazi midis palëve sikur janë përgjegjëse njësoj për përkeqësimin e situatës. Nëse qenë në gjendje të heshtin plagët pjesëtarëve të KFOR-it nga protestuesit serbë para do kohe, tash vendet kryesore të BE-së i kualifikuan ashpër këto veprime, dhe reterim nga ato qëndrime nuk guxon të ketë për hir të ndonjë balancimi.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)