Numri i përgjithshëm i të burgosurve shqiptarë në atë republikë jugosllave, nga janari i vitit 1980 e deri në janar të vitit 1987 ishte 798, prej të cilëve 130 ishin dënuar për vepër të rëndë penale, ndërsa 607 të tjerë ishin dënuar për kundërvajtje me ngjyrë politike, për shkak “veprimtarisë armiqësore nga pozitat e nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar”. Numri më i madh i të dënuarve “për vepër të rëndë penale”, ishin nga Tetova, apo gjithsej 30 persona, pastaj 25 nga Struga, 18 nga Gostivari, 15 nga Kërçova, 10 nga Shkupi, 7 nga Dibra, 6 nga Ohri, 5 nga Kumanova, 2 nga Prespa dhe 12 të tjerë vinin nga qytetet e ndryshme të Kosovës
Nga Qerim LITA
Ndryshimet kushtetuese që në RS të Maqedonisë filluan në vitin 1969 me sjelljen e amendamenteve të para, për të vazhduar në vitin 1971, kur u sollën një numër më i madh i amendamenteve, zvogëluan dukshëm kompetencat e Federatës, ndërsa në anën tjetër u përforcua pozita e republikave e të krahinave autonome. Si rrjedhojë, në disa republika, veçmas në Kroaci, u përhap ideja për pavarësimin, përkatësisht shkëputjen e tyre nga Federata jugosllave. Kjo gjendje nxiti udhëheqjen më të lartë të RSFJ-së, të ndërmerr masa të rrepta, sidomos në Shërbimin për Sigurimin Shtetëror. Udhëheqësi suprem i RSFJ-së, Josip Broz Tito, në mbledhjen e Këshillit për Sigurimin Shtetëror të RSFJ-së, e cila u mbajt më 21 mars 1972, dhe një sërë vërejtjesh rreth funksionimit të atij shërbimi, i cili sipas tij, ishte “i shpërndarë në më shumë pjesë”, nëpër republika, nëpër institucione, si në punët e jashtme, punët e brendshme, mbrojtja popullore, shërbimi sekret ushtarak, sigurimi shtetëror etj., dhe secili nga ata kishte “vepruar në linjën e tyre”, pa mos pasur koordinimin e duhur ndërmjet veti. Në debatin e zhvilluar, Tito, por edhe nga kryetari i Këshillit Ekzekutiv i RSFJ-së, Xhemal Bijediq, u tha se, nga ana e disa qarqeve ndërkombëtare, përmes emigracionit politik kroat, serb, maqedonas, slloven, shqiptarë etj. “po përgatisin luftë speciale për shpartallimin e Federatës së Jugosllavisë”. Nisur nga kjo, në mbledhje, me propozim të Titos, u formua “Komisioni special i Kryesisë së RSFJ-së për harmonizimin e punës së organeve që kryejnë detyra të sigurimit shtetëror”.
Rrjedhimisht, Kryesia e RSFJ-së, në mbledhjen e saj të mbajtur më 13 korrik 1972, pasi i pranoi vlerësimet dhe sugjerimet e Komisionit special, për punën e sigurimit shtetëror, do të konstatoj se “aktivitetet diversante-terroriste kundër RSFJ-së, nga disa forca të huaja në bashkëveprim me emigracionin politik ekstrem dhe armiqtë e brendshëm”, përpiqen që Jugosllavisë t’i shkaktojnë vështirësi në planin ndërkombëtar dhe të brendshëm dhe ta arrijnë qëllimin përfundimtar në shpërbërjen dhe rrënimin e RSFJ-së. Më tej, theksohej se me përfshirjen e emigracionit politik ekstrem, synohet “krijimi i do farë shteteve të pavarura, separatiste e satelite me mbështetjen e faktorit të jashtëm”.
Një ditë më vonë, përkatësisht më 14 korrik 1972, Sekretariati i KQ të LKM-së, mbajti mbledhje të zgjeruar, në të cilën, Sekretari republikan për punë të brendshme, Lupço Arnaudovski, kritikoi institucionet shtetërore për moszbatimin me konsekuencë, të politikës për barazinë e plotë të kombësisë shqiptare në republikë, që tërë kjo, kishte reflektuar që “situata politike në Maqedoni”, veçmas ku popullsia ishte e përzier si në: Tetovë, Kërçovë, Gostivar, Strugë dhe Dibër, të jetë shumë serioze.
Më 16 shtator 1972, Sekretariati Federativ për Punë të Brendshme, në mënyrë të thuktë e përshkruante veprimtarinë e emigracionit politik, si: kroat, serb, slloven, maqedonas, shqiptar etj. Në pjesën ku përshkruhej veprimtaria e organizatave politike të emigracionit shqiptar, theksohet se pjesa më e madhe e tyre “…edhe në këtë periudhë vazhdojnë me përpjekjet për arritjen e aksionit të unifikuar të mbarë organizatave. Për këtë qëllim, thuhet më tej në njoftim, në korrik të këtij viti në Madrid është mbajtur mbledhje e përfaqësuesve të këtyre organizatave për shkak bashkimit dhe sjelljes së një programi të vetëm. Si duket aksionin e kanë iniciuar amerikanët, të cilët janë të pakënaqur me përçarjen e këtij emigracioni…”. I tërë ky aktivitet që u zhvillua në atë kohë, në Maqedoni rezultoi me largimin nga skena politike e dy kokave më të larta të atëhershme politike të asaj republike jugosllave: Kërste Cërvenkovski dhe Sllavko Millosavlevski, të cilët u akuzuan si “anarkoliberal”.
Pa marrë parasysh pastrimet që ndodhën në këtë periudhë, procesi i zhvillimit të barazisë nacionale, në Maqedoni nuk u ndërprenë. Kryetari i KQ të LKM-së, Angell Çemerski, në intervistën dhënë më 29 janar 1974, gazetës “Osllobogjenje” të Sarajevës, ndër të tjerave vuri në dukje se Lidhja е Komunistëve të Maqedonisë, edhe në periudhën e ardhshme do të udhëheq luftë aktive për plotësimin edhe më konsekuent dhe me përmbajtje konkrete të politikës së përcaktuar për barazi nacionale të kombeve e kombësive në të gjitha fushat”, duke bërë përpjekje që përmes praktikës së përditshme shoqërore “të afirmohen gjithnjë e më shumë ata elemente” të bashkëjetesës të cilat i përforcojnë dhe i thellojnë lidhjet reciproke dhe kultivimin reciprok të vlerave nacionale”.
Kjo deklaratë erdhi në momentin kur zhvillohej debati publik rreth Projekt Kushtetutës së re të RS të Maqedonisë. Komisioni për hartimin e Kushtetutës, më 25 janar 1974 i raportonte Kuvendit të RSM-së, për vërejtjet dhe propozimet e dala nga ai debat, ku siç vihet re, pati edhe aso propozimesh, me të cilat shtetësia e Maqedonisë lidhje vetëm me popullin maqedonas, duke i anashkaluar shqiptarët. “Republika Socialiste e Maqedonisë është shtet që mbështetet mbi sovranitetin e kombit maqedonas e të pushtetit, e vetëqeverisjes së klasës punëtore, e të mbarë njerëzve punëtorë dhe bashkësi vetëqeverisëse socialiste demokratike të njerëzve punëtorë e qytetarëve, të kombit maqedonas e të barabartit me ta kombet e kombësitë që jetojnë në të.”. Një definicion i tillë u hodhë poshtë nga Komisioni Kushtetues, për arsye se, siç thuhet në raport “në mënyrë të palejueshme e lidhë sovranitetin e Republikës vetëm me kombin maqedonas, e me këtë i përjashton si bartës të këtij sovraniteti kombësinë shqiptare e turke (cilësia e elementit konstituiv të shtetësisë së RSM-së është miratuar me sjelljen e amendamenteve kushtetuese) e të pjesëve tjera të kombit të Maqedonisë”.
Pasi u krye e tërë procedura e nevojshme, më 18 shkurt 1974, Këshilli Ekzekutiv i RS të Maqedonisë, i propozonte Kuvendit të RSM-së, ta miratonte tekstin përfundimtar të Projekt Kushtetutës së RSM-së. Propozimi i Kushtetutës si dhe Propozimi i Ligjit Kushtetues u miratua më 25 shkurt 1974 në mbledhjet e ndara të dhomave kuvendore: Dhomës Republikane, Dhomës Komunale, Dhomës Ekonomike, Dhomës Kulturore-Arsimore dhe Dhomës Sociale-Shëndetësore. Po atë ditë u mbajt mbledhja solemne me pjesëmarrjen e delegatëve të të gjitha dhomave, me ç’rast kryetari i Kuvendit të RSM-së, Nikolla Minçev, e shpalli Kushtetutën e re të RS të Maqedonisë.
Kushtetuta e re e RS të Maqedonisë, i përfshinë të gjitha amendamentet Kushtetuese të viteve 1969 dhe 1971, përmes së cilave shqiptarëve dhe turqve u garantohej barazia e plotë nacionale me maqedonasit. Neni 1 i saj, shprehte elementin shtetformues të shqiptarëve, ku thuhej: “Republika Socialiste e Maqedonisë është shtet nacional të kombit maqedonas dhe shtet i kombësisë shqiptare e turke në të, bazuar mbi sovranitetin e kombit dhe mbi pushtetin dhe vetëqeverisjen e klasës punëtore dhe të gjithë njerëzve punonjës, dhe bashkësi socialiste vetëqeverisëse socialiste të njerëzve punonjës e të qytetarëve, të kombit maqedonas dhe të barabartit me të kombësisë shqiptare e turke”. Në nenin 177 thuhej se “kombi maqedonas dhe kombësitë në R.S. të Maqedonisë janë të barabartë dhe kanë të drejta dhe detyrime të njëjta”. Komuna dhe Republika, theksohej më tej, iu sigurojnë kombësive përfaqësim proporcional në kuvendet e komunave dhe në Kuvendin e R.S të Maqedonisë, si dhe përfaqësim adekuat nëpër organet e tyre. Ndërsa, neni 178 theksonte se, çdo kombësie i garantohet e drejta që ta përdorë lirshëm gjuhën e vet, ta shpreh dhe ta zhvillojë kulturën e vet dhe të themelojë institucionet dhe organizata të cilat i sigurojnë këto të drejta. “Komunat dhe Republika kujdesen për zhvillimin e edukatës dhe shkollimit, si dhe për zhvillimin e shtypit, radios, televizionit dhe veprimtarive kulturore në gjuhën e kombësive. Në këtë nen më poshtë, përcaktohet po kështu se kombësitë kanë të drejtë të përdorin edhe flamurin e tyre”.
Përveç kësaj, barazia e shqiptarëve garantohej edhe me disa nene tjera që për dallim nga Kushtetuta e vitit 1963 përbënin risi. Kështu në nenin 299 pika 5, thuhej, se: “Republika Socialiste e Maqedonisë… e siguron realizimin e barazisë së kombit maqedonas, kombësive dhe pjesëtarëve të kombeve tjera të Jugosllavisë, si dhe të pjesëtarëve të grupeve etnike”. Barazia e shqiptarëve me maqedonasit, parashihej edhe me nenin 336, ku thuhej: “Dhoma shoqërore-politike dhe Dhoma e komunave shqyrtojnë në mënyrë të barabartë çështje, sjellin ligje dhe japin sqarimi autentike të ligjeve nga fusha e realizimit të pozitës kushtetuese dhe barazisë së kombësive, si dhe të pjesëtarëve të grupeve etnike”, si dhe në nenin 376, paragrafi 3, ku vihet në dukje se Kryesia e Republikës: “Shqyrton çështje që i përkasin barazisë së kombeve e kombësive dhe në harmonizimin e interesave të përbashkët të republikave socialiste dhe të krahinave socialiste autonome në organet e Federatës, merr qëndrime për ato çështje dhe jep iniciativa dhe propozime për zgjidhjen e tyre.
Me qëllim të realizimit sa më konsekuent të dispozitave të Kushtetutës së re, sidomos të atyre ku bëhej fjalë për barazinë nacionale të maqedonasve, shqiptarëve e turqve si dhe të grupeve etnike që jetonin në RS të Maqedonisë, Komisioni Koordinues i KQ të LKM-së, më 15 korrik 1974, hartoi Programin e posaçëm, ku veç tjerash parashihej që organet e LKM-së të ndërmarrin një sërë veprimtari, përmes së cilave shqiptarëve, turqve dhe grupeve etnike do u garantohej “barazia” në fushën ekonomike, gjuhësore, shprehja dhe komunikimi i lirë, por edhe “barazia në fushën e arsimit, politikës kadrovike, punësimit e të fushave tjera të jetës shoqërore”.
Marrë në tërësi, me Kushtetutën e vitit 1974 të RS të Maqedonisë, shqiptarët arritën avancimin më të lartë të statusit të tyre që nga themelimi i RS të Maqedonisë, si pjesë përbërëse e RSF të Jugosllavisë, sepse ata në aspektin formalo-juridik, u bënë subjekt i “barabartë” me maqedonasit. Mirëpo kjo “barazi”, ngeli vetëm në letër sepse, shqiptarët edhe më tej vazhdonin të ishin të diskriminuar në çdo pore të jetës, në radhë të parë në pabarazinë gjuhësore, pastaj në fushën e arsimit, kulturës, informimit, në mospërfaqësimin e drejtë e proporcional si në Kuvendin Republikan po ashtu edhe në kuvendet e komunave, por edhe në administratën shtetërore dhe atë publike, në sipërmarrjet ekonomike etj.. Përderisa shqiptarët sipas regjistrimit të vitit 1981 numëronin gjithsej 377.208 banorë, apo 19,2 për qind, kjo përqindje as për së afërmi nuk shprehej në përfaqësimin e tyre si në Kuvendin e RSM-së po ashtu edhe në dhomat e tij. Prej 250 delegatëve sa numëronte Kuvendi i RS të Maqedonisë në vitin 1982, 205 ishin maqedonas dhe vetëm 20 shqiptarë, 6 turq dhe 19 të tjerë; në Dhomën e Punës së Bashkuar nga 120 delegatë, 104 ishin maqedonas, 6 shqiptarë, 2 turq dhe 8 të tjerë; në Dhomën e komunave nga 70 delegatë, 58 maqedonas, 6 shqiptarë, 2 turq dhe 4 të tjerë; në Dhomën e Sistemit Politik nga gjithsej 60 delegatë, 43 ishin maqedonas, 8 shqiptarë, 2 turq dhe 7 të tjerë. Po kështu ishte gjendja edhe në kuvendet komunale, ku nga gjithsej 3.860 delegatë që ishin të zgjedhur në vitin 1982 nëpër kuvendet komunale, 3.237 ishin maqedonas, vetëm 296 shqiptarë, 91 turq dhe 236 të tjerë.
Ndërkohë, pas demonstratave studentore që shpërthyen në Kosovë gjatë muajve mars-prill të vitit 1981, pozita e shqiptarëve në RS Maqedonisë do të përkeqësohet skajshmërisht. Udhëheqja politike maqedonase, gjithnjë duke u thirrur me parullën e njohur komuniste, atë të “vëllazërim bashkimit”, por edhe të shtypjes së “veprimtarisë armiqësore nga pozitat e nacionalizmit e irredentizmit shqiptar”, ndërmori masa të dhunshme, kundër shqiptarëve në përgjithësi, e kundër inteligjencës së saj në veçanti. Sekretari organizativ i KQ të LKM-së, Millan Pançevski, më 21 maj 1981, ndër të tjerave deklaroi se ngjarjet në Kosovë, kishin pasur ndikim negativ e të drejtpërdrejtë ndaj situatës politike edhe në RS të Maqedonisë, i cili shprehej nëpërmjet prezencës së numrit të madh “të studentëve dhe nxënësve të kombësisë shqiptare nga RS e Maqedonisë në Kosovë”, pastaj, pranimit, përkatësisht emërimit në pozita të larta shoqëror-politike në Kosovë, te një numri të konsiderueshëm të personave nga territori i RS të Maqedonisë, të cilët më herët nga gjyqet komuniste maqedonase kishin qenë të dënuar për veprimtari “nacionaliste e irredentiste”.
Menjëherë pas kësaj, organet dhe organizatat politike nga terreni, përmes shkresave tepër të besueshme, njoftonin Kryesinë e KQ të LKM-së për ekzistimin e disa organizatave ilegale shqiptare, të cilat për një periudhë relativisht të shkurtë kishin arritur ta shtrinë veprimtarinë e tyre, në më shumë rrethe dhe mjedise shqiptare, duke i “përfituar disa nxënës, studentë, arsimtarë dhe persona tjerë”. Si drejtues të këtyre organizatave, siç bëhej me dije, paraqiteshin kryesisht “persona të dënuar më herët për veprimtari armiqësore”, lidhjet e tyre familjare dhe miqësore, persona që rridhnin nga familjet intelektuale e nacionaliste, përkatësisht balliste, apo kishin lidhje të përbashkëta me një pjesë të emigracionit dhe me të shpërngulurit në Turqi. Për rrjedhojë, në Maqedoni u burgosën një numër i madh i veprimtarëve të shquar shqiptarë, dhe u zhvilluan me dhjetëra procese gjyqësore, në të cilat u shqiptuan dënime të rënda, gjithnjë nën akuzën e veprimtarisë “armiqësore nga pozita e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”.
Në fakt, burgosjet masive të shqiptarëve në Kosovë dhe në Maqedoni, kishin filluar që nga vitet 1979-1980, në kohën kur qe konstatuar sëmundja e rëndë e udhëheqësit suprem jugosllav, Josip Broz Tito. Në këtë periudhë kohore, organet e sigurimit shtetëror të Beogradit, Shkupit e Prishtinës, e filluan zbatimin e një aksioni të rreptë kundër shtresës intelektuale e atdhetare shqiptare në Kosovë e më gjerë. Ky aksion, i cili njihej me emrin “Horizont”, filloi në vjeshtën e vitit 1979 dhe brenda disa muajsh u arrestuan rreth 90 intelektualë shqiptarë, nën pretekstin se të njëjtin kanë zhvilluar “veprimtari armiqësore nga pozitat e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”. Kryesia e KQ të LKM-së, njoftonte se në RS të Maqedonisë, nga viti 1978, deri më 30 qershor 1981, me vendime të plotfuqishme gjyqësore për vepra penale me “përmbajtje kundërrevolucionare” kundër sistemit të rregullimit shoqërorë të RSFJ-së e të RS të Maqedonisë, ishin dënuar 66 shqiptarë nga kjo republikë jugosllave. Ndërkohë, pas demonstratave të muajve mars-prill 1981 në Kosovë, organet e punëve të brendshme të Maqedonisë, ngritën kërkesa “për dënime për kundërvajtje” ndaj 250 personave, dhe ndaj 50 personave tjerë për ndjekje penale. “Vetëm në vitin 1982, thuhet në njoftim, OPB-të kanë dorëzuar kërkesa për ndjekje për kundërvajtje ndaj 141 personave dhe 41 për ndjekje penale. Pjesa më e madhe të veprave penale janë për veprimtari të organizuar politike ilegale nga pozita e nacionalizmit shqiptar, ndërsa të tjerat për zgjerimin e propagandës armiqësore, ndërsa kundërvajtjet janë për paraqitje armiqësore publike dhe pjesëmarrje në demonstratat në Kosovë”. Ndërkohë, Sekretariati për Jurisprudencë i RS të Maqedonisë, bënte me dije se numri i përgjithshëm i të burgosurve shqiptarë në atë republikë jugosllave, nga janari i vitit 1980 e deri në janar të vitit 1987 ishte 798, prej të cilëve 130 ishin dënuar për vepër të rëndë penale, ndërsa 607 të tjerë ishin dënuar për kundërvajtje me ngjyrë politike, për shkak “veprimtarisë armiqësore nga pozitat e nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar”. Numri më i madh i të dënuarve “për vepër të rëndë penale”, ishin nga Tetova, apo gjithsej 30 persona, pastaj 25 nga Struga, 18 nga Gostivari, 15 nga Kërçova, 10 nga Shkupi, 7 nga Dibra, 6 nga Ohri, 5 nga Kumanova, 2 nga Prespa dhe 12 të tjerë vinin nga qytetet e ndryshme të Kosovës, të cilët qenë dënuar nga gjykatat e atëhershme komuniste maqedonase.
Pozita e shqiptarëve u përkeqësua edhe më shumë pas mbledhjes së trembëdhjetë të KQ të LKM-së, e cila u mbajt më 29 qershor 1983, në të cilën është trajtuar çështja e realizimit të “Platformës politike të KQ të LKJ-së për Kosovën”, në të cilën është sjell konkluzioni për sa mëposhtë vijon:
“Nacionalizmi dhe irredentizmi shqiptar në RSM një periudhë më të gjatë kohore e shpreh me paramendim thelbin e tij armiqësor, ndërsa veprimtaria mori intensitet të veçantë me veprimtarinë kundërrevolucionare në Kosovë dhe përzierjes në punët e brendshme në vendin tonë nga ana e RPS të Shqipërisë. Ekzistojnë shumë elemente të veprimit të përbashkët e të sinkronizuar të forcave armiqësore në Kosovë dhe nga RS e Maqedonisë”.
Përveç kësaj, në mbledhje është theksuar se, pasi “vatrat themelore të nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar janë institucionet edukativ-arsimore, sfera e kulturës dhe e veprimtarisë së pavarur kulturore, objektet fetare etj.”, aksioni ideopolitik i Lidhjes së Komunistëve, duhet të përqendrohet pikërisht në “shtypjen e të gjitha formave të dukurive nga pozitat e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar… në sistemin edukativ-arsimor”. E një rëndësie të veçantë për t’u theksuar është fakti se, në atë periudhë kohore, udhëheqja politike maqedonase “nacionalizëm dhe irredentizëm”, e konsideronte, edhe përmirësimin e mbiemrave nga ana e arsimtarëve shqiptarë, gjatë regjistrimit të fëmijëve në klasë të parë të shkollimit fillor, veçanërisht të atyre mbiemrave, ku nga ana e ofiqarëve maqedonas, në mënyrë tendencioze e arbitrare, në certifikatat e lindjes ua shtonin prapashtesën “ov” apo “ovski”. Një dukuri e tillë bëhej me qëllim të caktuar, për t’u krijuar përshtypja e rrejshme nga opinioni publik i brendshëm dhe ai ndërkombëtar, se ato nuk janë shqiptarë, por “maqedonas të islamizuar”. Rastet e tilla haseshin zakonisht në vendbanimet rurale, përkatësisht në rrethet ku shqiptarët nuk përbënin shumicën e popullsisë, apo ofiqarët ishin maqedonas, apo vetëdija nacionale ishte në shkallë të ulët, si p.sh. në fshatrat kodrinore-malore në Karshiakë dhe Karadak të Shkupit, fshatrat shqiptare në komunën e Velesit, Prilepit, Kërçovës, Manastirit, Krushevës, Demir Hisarit, Brodit etj. Kështu, në pjesën e dytë të vitit 1983, udhëheqja politike e ekzekutive maqedonase, e filloi një fushatë të gjerë kundër të gjithë atyre arsimtarëve shqiptarë, të cilët nxënësit e tyre i kishin regjistruar pa prapashtesën “ovski” apo “ov”. Këshilli Ekzekutiv i RS të Maqedonisë, e informonte Kryesinë e KQ të LKM-së, se “thelbi i dukurisë dhe manifestimit armiqësor nga pozita e nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar” fillon nga viti 1970 e këndej. “Viteve të fundit, theksohej më tej në informatë, janë evidente dukuri masive të përmirësimit të mbiemrave të pjesëtarëve të kombësisë shqiptare dhe të maqedonasve myslimanë, me ndryshimin e prapashtesës ‘ski’ dhe ‘ov’, me ‘u’, ‘a’ apo ‘i’. Me këtë në mënyrë shumë të përsosur manifestohet tendenca që ndaj një numri të caktuar të qytetarëve të kryhet ndryshimi i përkatësisë nacionale nga një numër i caktuar i qytetarëve”.
(vijon nesër)