Tiranë, 9 nëntor – Digjitalizimi i plotë i operacioneve doganore ka një rëndësi të madhe për lehtësimin dhe përshpejtimin e tregtisë legale dhe përmirësimin e konkurrencës së kompanive në tregun ndërkombëtar. Për këtë qëllim është i nevojshëm përmirësimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve kufitare në nivel të Ballkanit Perëndimor, si një hap drejt afrimit dhe anëtarësimit në tregun e përbashkët të BE-së. Këto ishin konkluzionet e konferencës dyditore “Nxitja e bashkëpunimit në epokën digjitale”, në të cilën mori pjesë zëvendësdrejtori Muharrem Asani, e organizuar nga Drejtoria Doganore e Shqipërisë me mbështetjen e GIZ.
Në kuadër të konferencës, përfaqësuesit e administratave doganore në Ballkanin Perëndimor dhe Moldavi i theksuan komunitetit të biznesit rëndësinë e digjitalizimit dhe bashkëpunimit ndërmjet agjencive qeveritare për procese më të shpejta dhe më efikase të zhdoganimit.
Në takimet e mbajtura në kuadër të konferencës, Asani në veçanti iu referua projektit për zbatimin e Sistemit të ri Kombëtar One Stop Shop, i cili, siç tha ai, do të transformojë tërësisht mënyrën e tregtisë ndërkufitare, duke mundësuar dogana më të shpejta dhe më efikase.
Asani tha gjithashtu se Sistemi në fjalë do të kontribuojë në uljen e kohës së zhdoganimit, uljen e kostove për kompanitë dhe rritjen e mbledhjes së të ardhurave.
Në konferencë u theksua gjithashtu se rritja e bashkëpunimit të institucioneve të Ballkanit Perëndimor mundëson shfrytëzimin e plotë të përfitimeve për kompanitë me statusin e operatorit të autorizuar ekonomik, pra kalim më të shpejtë dhe më të lehtë të kufijve, si dhe kontrolle të reduktuara.