Përndryshe, kjo qendër turistike për vite me radhë është lënë pas dore duke mos u investuar në të. Kreu i Komunës së Tetovës tha se do të vazhdojnë investimet në infrastrukturën e kësaj qendre
Urim HASIPI
Tetovë, 21 nëntor – Është bërë promovimi i rrugës së asfaltuar në lagjen e Vikend Shtëpizave në Kodrën e Diellit. Së fundmi, është asfaltuar pjesa e rrugës e cila ka qenë më e dëmtuar. Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami thotë se ky është vetëm fillimi për të vazhduar edhe me planin detal urbanistik, ndërtimin e qarkores për Kodrën e Diellit si dhe ndërtimin e parkingjeve. Ai është shprehur se sado që pushteti qendror tenton ta bllokojë dhe dëshiron të inskenojë raste për përçarje, ta degradojë Kodrën e Diellit në mënyra të ndryshme, Kasami tha se këtë gjë nuk do ta lejojë.
“Ata që nuk dëshirojnë t’i shohin investimet të cilat i bëjmë ne, ata i shohin shkaqet se si të na kritikojnë për gjërat të cilat nuk janë përgjegjësi e jona. Ata e shkatërruan me dekada, ne po investojmë në infrastrukturën e Kodrës së Diellit”, tha Kasami.
Krahas problemeve të shumta me të cilat përballet Kodra e Diellit, ndër to është edhe infrastruktura e dobët dhe rrugët plot gropa në lagjen e vikend shtëpizave, të cilat me vite janë lënë pas dore nga ana e institucioneve. Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami tha se në pranverë do të legalizohen të gjitha objektet fetare edhe objektet e kultit në këtë komunë. Ai këto komente i ka bërë gjatë pyetjes së gazetarëve, lidhur me vendosjen e kryqit në Kodër të Diellit. “Në planin urbanistik janë të parapara objektet fetare kisha dhe xhamia, me çka besoj se do rregullohet çështja që ka të bëjë legalizimin e këtyre objekteve. Flas për objekte fetare të kishës dhe të gjitha objekteve të cilët janë përcjellëse të një objekti fetar të kultit ortodoks, dhe xhamia me objektin si tërësi”, tha Kasami.
Përndryshe, kjo qendër turistike për vite me radhë është lënë pas dore duke mos u investuar në të. Kreu i komunës së Tetovës tha se do të vazhdojnë investimet në infrastrukturën e kësaj qendre.
“Angazhimi ynë për Kodrën e Diellit do të vazhdoj, besoj fuqishëm që para përfundimit të vitit do të kemi përfundimin e Planit urbanistik, me çka nga pranvera do të mund të nis edhe zhvillimi i pjesës së resorteve turistike, por edhe ndërtimit të vikend-shtëpizave në bazë të lejeve që do të jepen sipas Planit urbanistik. Gjithashtu, vazhdojnë punimet edhe me depërtimin e rrugës së re, e cila është po aq e nevojshme për këtë qendër turistike dhe dalëngadalë këtë atraksion po e transformojmë në një qendër rajonale të turizmit dimëror”, tha Bilall Kasami.
Ndër problemet e mëdha janë kaosi urbanistik, infrastruktura e dobët, mungesa e parkingjeve, menaxhimi jo i mirë me mbeturinat, ndërtimet pa leje dhe të tjera. (koha.mk)