Athina digjet nga vala e të nxehtit, teksa qyteti përpiqet të balancojë turizmin në rritje me sfidat klimatike
Ngjitja në Akropol – simboli i lashtësisë dhe demokracisë – është gjithnjë një përvojë madhështore, por sot ajo ka marrë trajtat e një prove fizike ekstreme: nxehtësia përvëluese që shoqëron verën në Athinë e ka kthyer këtë vizitë në një sfidë për qëndrueshmërinë fizike. Gjatë dy viteve të fundit, autoritetet greke kanë mbyllur përkohësisht monumentin më të vizituar të vendit gjatë orëve më të nxehta të ditës, për të mbrojtur vizitorët dhe punonjësit nga temperaturat që tejkalojnë 40°C. Por nuk është vetëm Akropoli që digjet. E gjithë Athina – sot kryeqyteti më i nxehtë i kontinentit europian – po përjeton temperaturat më ekstreme në historinë e saj. Verat janë gjithnjë e më të zgjatura dhe përvëluese, ndërsa Deti Mesdhe po ngrohet më shpejt se mesatarja globale, raporton CNN.
TURISTËT DHE VALA E TË NXEHTIT
Në vitin 2024, Greqia priti një rekord prej 36 milionë turistësh – më shumë se trefishi i popullsisë së saj. Vetëm Athina pritet të presë 10 milionë vizitorë këtë vit, pikërisht në kulmin e temperaturave ekstreme, ndërsa, sipas analizave të kompanisë Fitch Solutions, ky numër mund të arrijë në 40 milionë deri në vitin 2030. Kjo përbën një sfidë të dyfishtë për autoritetet: mbrojtjen e vizitorëve dhe mbijetesën urbane në kushte gjithnjë e më të vështira klimatike. “Turistët, sidomos ata nga vendet e ftohta, nuk janë të vetëdijshëm për rrezikun që paraqet kjo nxehtësi. Nuk mbrohen mjaftueshëm dhe shpesh përjetojnë shqetësime serioze shëndetësore”, thotë Iris Plaitakis, një guidë turistike që punon çdo ditë në zonat arkeologjike.
NJË EKONOMI QË VARET NGA TURIZMI, POR NË KUFIJTË E QËNDRUESHMËRISË
Turizmi ka qenë shpëtim për ekonominë greke pas krizës së rëndë të vitit 2010. Por tani, zhvillimi i pakontrolluar, inflacioni dhe mungesa e burimeve po dëmtojnë jetesën e përditshme të vendasve. Çmimet e pasurive të paluajtshme janë rritur ndjeshëm, ndërsa zona të tëra të qytetit janë shndërruar në hotele dhe apartamente me qira për turistë. Shumë athinas janë shtyrë jashtë qendrës urbane dhe jetojnë me pasiguri për të ardhmen.
NDRYSHIMET KLIMATIKE: ATHINA NË VIJËN E PARË TË FRONTIT
Kryebashkiaku i Athinës, Haris Doukas, deklaron se përballja me të nxehtin ekstrem është çështje mbijetese. Qyteti ka ndërmarrë hapa për të ndihmuar në afat të shkurtër dhe të gjatë:
– Janë ngritur qendra ftohjeje me ajër të kondicionuar, burime uji dhe zona pushimi me hije, janë mbjellë mbi 7 mijë pemë, me objektiv 28 mijw të tilla në katër vitet e ardhshme.
– Po krijohen “korridore të gjelbra” dhe mikropyje, si ai në lagjen Kypseli.
– Uji i një ujësjellësi antik romak po përdoret për të ujitur hapësirat e gjelbra në periferi.
– Po përgatiten harta të valëve të të nxehtit, për ndërhyrje më të sakta në zonat më të rrezikuara.
– Betoni duhet të largohet – dhe qyteti po kthehet nga deti.
Urbanistët thonë se Athina duhet të heqë dorë nga një pjesë e betonit që e ka mbytur qytetin që nga vitet ’50. Modeli i së ardhmes është më i gjelbër, më i freskët dhe më i integruar me natyrën. Në jug të qytetit, përgjatë Rivierës së Athinës, po zhvillohet projekti më i madh i rigjenerimit urban në historinë greke – Ellinikon. Kjo zonë 600 hektarëshe do të përfshijë kullën e parë 50-katëshe në Greqi, apartamente luksoze dhe Parkun Metropolitan, që pritet të jetë më i madhi në vend.
ADAPTIM ME SEZONE TË TJERA TURISTIKE
Shumë athinas janë të shqetësuar për verën që po afron. Lajmet televizive flasin çdo javë për uljen e nivelit të rezervuarëve të ujit – një tregues i qartë se moti ekstrem po shndërrohet në një kërcënim të përhershëm. Situata rëndohet edhe më shumë nga zjarret masive që, në më pak se një dekadë, kanë shkatërruar rreth 40% të sipërfaqeve pyjore përreth qytetit. “Njerëzit vijnë nga e gjithë bota për të përjetuar djepin e qytetërimit perëndimor – për të parë ku ecnin Aristoteli dhe Platoni, apo ku u zhvilluan Lojërat Olimpike moderne për herë të parë,” – thotë udhërrëfyesja arkeologjike Iris Plaitakis.
Ashtu si shumë destinacione të mbingarkuara me turistë në mbarë botën, Athina po përpiqet të orientojë fluksin e udhëtarëve larg muajve përvëlues të korrikut dhe gushtit, duke e përqendruar në stinët më të buta të pranverës dhe vjeshtës. Edhe muajt e ftohtë po bëhen më të butë, duke e kthyer Athinën në një destinacion gjithnjë e më tërheqës dimëror – veçanërisht për turistët nga Europa Veriore që kërkojnë ditë të mbushura me sallatë greke, musaka, peshk të freskët dhe uzo në bregdetin jugor të qytetit.