Festivali i muzikës kamertale “Skupi Kamerfest” mbrëmjen e së enjtes, më 12.09.2024 organizoi koncertin e tretë në kuadër të edicionit të sivjetshëm, që është i shtati me radhë. Koncerti i titulluar “Austrian Classics in Duo” u mbajt në sallën kamertale të Filarmonisë së Maqedonisë së Veriut, nën organizimin e shoqatës “Muza” – Shkup dhe me mbështetjen e Ambasadës austriake.
Në këtë koncert, publiku i pranishëm kishte mundësinë të njihet me duon austriake: violinistin Clemens Bock dhe pianisten Christina Scheicher – duo e re edhe në jetëgjatësi por edhe në aspektin e moshës së muzicientëve. Kjo duo njihet ndryshe edhe me emrin Accio Duo – të cilët për raste të tilla më speciale performojnë së bashku, përndryshe janë pjesë e trios Accio Piano Trio, që e kanë formuar në vitin 2013 në Universitetin “Mozarteum” në Salzburg ku performojnë tani e më shumë se 10 vjet së bashku me një çelliste.
Duhet theksuar që me mbështetjen e Ambasadës austriake në Shkup, tani më 5 vjet me radhë festivali “Skupi Kamerfest” arrin të krijoj një bashkëpunim brilant me muzicientë nga Austria. Këtë e theksoi edhe vet ambasadori austriak, Sh.T. z. Martin Pammer, i cili zyrtarisht e hapi koncertin përmes një fjalie hyrëse.
Karakteristika konceptuale e programit të veprave të përzgjedhura për këtë koncert përfaqësonte një sublimim të plotë të veçantive të tyre si duo, të cilët paraqitën një repertor mjaft tërheqës dhe të veçantë nga literatura muzikore.
Duke iu përshtatur frymës kamertale të festivalit, duoja Bock dhe Scheicher në një komunikim konstant me publikun duke paraqitur një narrativë për gjithsecilën vepër që interpretuan, krijuan një atmosferës shumë intime duke formuar kështu një energji dhe mundësi që publiku ta shijoj dhe përjetoj interpretimin e tyre në një nivel tjetër – edhe në aspektin historik, rëndësinë që kanë ato vepra në historinë e muzikës por edhe në aspektin shpirtëror për arsyet që vet interpretuesit i kanë zgjedhur.
Koncerti filloi me veprën Sonata për violinë dhe piano no.12, op.1 në F-dur, koha e dytë nga G. F. Hendel, të cilën duoja e trajtoi dhe e quajti vetëm si një uverturë për programin e mëtutjeshëm. Ata vazhduan me Sonatën për violinë K.454 në B-dur nga W. A. Mozart, tutje interpretuan dy lide (gjerm. lied) nga kompozitori më i njohur për to, F. Shubert, An die Musik D.547 dhe Auf dem Wasser zu singen, D.774. Përzgjedhja e tyre e radhës ishte kompozitorja franceze Lili Boulanger, ata interpretuan Deux Morceaux pour Violon et Piano (Dy pjesë për violinë dhe piano). Skenarin e koncertit e përmbyllën me Sonatinën për violinë op. 100, B 183 në G dur nga A. Dvorzhak.
Interpretimi dhe koncepti i tyre ishte mbresëlënës për publikun, që u ndje vazhdimisht gjatë koncertit, pikërisht për këtë moment, duoja interpretoi edhe dy pjesë shtesë: Serenade nga F. Shubert dhe Schön Rosmarin nga F. Kreisler.
Trajtimi dhe interpretimi i tyre në bazë të programit që paraqitën mund të përshkruhet si një energji frymëzuese dhe e freskët, nëpërmjet korrektësisë të cilës ata arritën të sjellin në dimenzionin e tyre të gjitha karakteristikat estetike dhe stilistike të veprave. Theksohej dialogu i përkryer nëpërmjet violinës dhe pianos, që njëkohësisht i nxjerrte në pah edhe vlerat dhe aftësitë teknike individuale të tyre që mundësonte të potenconin lirizmin që kërkohej por edhe intenzitetin dinamik të duhur në momente të caktuara.
Ky koncert, dëshmoi edhe njëherë për përzgjedhjen e veçantë që realizon festivali “Skupi Kamerfest”, nëpërmjet të cilit pasurohet jeta kulturore dhe skena koncertuese në Shkup, duke mundësuar kështu që edhe publiku më i gjerë të ketë hapësirën dhe mundësin të njihet me muzicientë të ndryshëm. Koncerte të tilla, por edhe të ngjashme kërkojnë gjithmonë mbështetje, por edhe mbulesë në aspektin mediatik – gjë që duhet theksuar, në këtë rast ai është minimal. Nuk duhet harruar që koncerte të tilla begatojnë dhe ndihmojnë në zhvillimin shoqëror, përparimin e jetës sociale dhe mundësojnë një edukim kulturor nga afër edhe në aspektin edukativo-arsimor të të gjitha gjeneratave.
Nora Bajrami, muzikologe
Shoqata “Muza”, Shkup