Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, është shprehur se ka realizuar edhe ai takim me përfaqësues të kompanive që punojnë në Korridorin 8 dhe ka marrë premtim se brenda kohës do të punohet në përmirësimin e gjendjes së krijuar
Urim HASIPI
Tetovë, 31 janar – Punët që kryhen në Korridorin 8 në rajonin e Gostivarit kanë bërë që shumë rrugë në territorin e kësaj komune dhe jo vetëm – të mbulohen nga pluhuri ndërsa si pasojë e reshjeve të shiut është krijuar edhe baltë. Kjo në masë të madhe ka ndikuar edhe në rritjen e ndotjes në këtë rajon. Pavarësisht ankesave të autoriteteve të komunës së Gostivarit, megjithatë kryerësit e punëve deri më tash nuk kanë ndërmarrë masa për të pastruar rrugët nga balta, kurse ndërmarrjet komunale nuk kanë kapacitete për të bërë një pastrim të rrugëve, sepse bëhet fjalë edhe për rrugët e qytetit por edhe ato periferike, përfshirë edhe rrugën aksin rrugor Gostivar-Mavrovë.
Zudi Xhelili, udhëheqës i Departamentit për Ekologji në komunën e Gostivarit, thotë se me përfaqësuesit e “Bechtel & Enka” ka pasur takim për të marrë masa, por edhe përskaj premtimit që i është dhënë nga kompania në fjalë, deri më tani nuk ka pasur asnjë veprim. Dyshohet se është rritur edhe niveli i ndotjes pikërisht nga mos pastrimi i rrugëve, por edhe veprimeve tjera gjatë punëve në hapjen e trasesë së re të korridorit.
“Pata një takim me udhëheqësit e kompanisë ‘Bechel & Enka’ që ndërton Korridorin 8 nga Gostivari në Bukojçan, ishin në zyrën time dhe unë ua tregova të gjitha tabelat, të gjitha fotografitë satelitore që ishin pjesë e studimit. Pasi i panë rezultatet, më premtuan se do të marrin masa konkrete. Unë u propozova që ata, me mjetet e veta të spërkatin gjatë minimit, gjatë gropimit dhe punëve me automjete për shkak se kjo lloj ndotje cilësohet se vjen nga automjetet e lëvizshme si kamionë, ekskavatorë, etj. Ata premtuan se do të bëjnë një lloj zgjidhje, mirëpo ne ende nuk e kemi parë zgjidhjen”, thotë Xhelili.
Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, është shprehur se ka realizuar edhe ai takim me përfaqësues të kompanive që punojnë në Korridorin 8 dhe ka marrë premtim se brenda kohës do të punohet në përmirësimin e gjendjes së krijuar.
“Kemi shfaqur shqetësimet tona dhe na është thënë se duhet kohë prej dy javësh që të shihen përmirësimet. Po ashtu krahas kësaj, ne kemi ofruar bashkëpunim që bashkërisht të punojmë në pastrimin e rrugëve dhe të na ndihmohet edhe makineri adekuate. Krahas kësaj, ne do të shtojmë përpjekjet që së paku edhe në qytet të mos ketë ndotje të rrugëve si pasojë e qarkullimit të automjeteve të rënda”, deklaroi Limani.
Ndërkohë, autoritetet e Gostivarit, kanë theksuar se nuk janë kundër punimeve që realizohen, por kërkojnë të respektohen rregullat për mbrojtje të mjedisit jetësor, për çka sipas komunës së Gostivarit, operatorët edhe kanë dhënë dokumentacione dhe elaborate adekuate. (koha.mk)