E martë, 3 Dhjetor, 2024
8.8 C
Skopje

Banorët e Likovës në pritje të transportit publik

Banorët e komunës së Likovës numrin më të madh të shërbimeve të përditshme e kryejnë në Komunën e Kumanovës, duke filluar nga arsimimi, shëndetësia, administrata, regjistrimi veturave, pagesat e ndryshme nëpër banka e kështu me radhë. Megjithatë, pavarësisht kësaj, si pasoj e mungesës së transportit publik ata obligohen që për nevojat e tyre të përditshme në Kumanovë të udhëtojnë me automjete private apo taksi dhe kjo është e kushtueshme nga aspekti financiar dhe kohorë

Anëmsha SHABANI

Kumanovë, 8 tetorKomuna e Likovës me një numër rreth 23 mijë banorë të popullsisë, ende po përballet me disa problematika që rrallë komuna e kanë. Transporti publik në këtë komunë është prezent vetëm në disa fshatra, që kompanitë private i kanë në bashkëpunim me komunën, ndërsa pjesa tjetër vazhdon të mos ketë ndonjë linjë të rregullt që i lidh me qytetin e Kumanovës.

Banorët e komunës së Likovës numrin më të madh të shërbimeve të përditshme e kryejnë në Komunën e Kumanovës, duke filluar nga arsimimi, shëndetësia, administrata, regjistrimi veturave, pagesat e ndryshme nëpër banka e kështu me radhë. Megjithatë, pavarësisht kësaj, si pasoj e mungesës së transportit publik ata obligohen që për nevojat e tyre të përditshme në Kumanovë të udhëtojnë me automjete private apo taksi dhe kjo është e kushtueshme nga aspekti financiar dhe kohorë.

Nga ana tjetër, studentët janë ata të cilët po e vuajnë më së shumti mungesën e transportit publik në komunën e Likovës, e sidomos gjatë periudhës së dimrit. Ata thonë se për të arritur në kohë në fakultet apo punë, duhet të dalin dy orë para, sepse taksitë janë ilegal dhe nuk kanë ndonjë orar të nisjes. “Më duhet të dal dy orë para që të arrij në punë, megjithatë ndodhë shpesh që të kthehem dhe marr veturën sepse jam vonë. Linjat transportuese në bashkëpunim me komunën nuk vlejnë për të gjitha fshatrat fatkeqësisht, ndjehemi shumë të lënë pas dore”, deklaroi për gazetën KOHA, Y.I.

Ndërkaq lëshimi i një linje ndërkomunale mes Komunës së Likovës dhe asaj të Kumanovës dhe me Qytetin e Shkupit, do të kishte kontribuar edhe në ruajtjen e cilësisë së ajrit, sepse në mënyrë direkte ndikon në zvogëlimin e numrit të përdorimit të veturave personale nga qytetarët e kësaj komune.

Për këtë këshilltari i Aleancës për Shqiptarët (ASH) në Komunën e Likovës, Bastri Rexhepi, tha për gazetën KOHA, se mungesa e transportit publik në këtë komunë është si pasojë e papërgjegjësisë së Komunës. “Komuna e Likovës është nga komunat më të rralla që ende has në problematika të tilla si transporti publik, ky problem ka qenë gjithmonë e po vazhdon, si pasojë e papërgjegjësisë së komunës. Ne sidoqoftë do ta ngremë si çështje në mbledhjen e këshillit”, tha Rexhepi.

Kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi, për gazetën KOHA, ka deklaruar se janë në fazën e përgatitjes dhe analizës sa i përket organizimit të transportit publik. Ai tha se nuk varet vetëm nga Komuna e Likovës dhe duhet të pritet edhe leja nga Ministria e Transportit, pasi edhe siç tha ai, komunat deri në 100.000 banorë nuk detyrohen të organizojnë transport publik.  “Duke parë nevojën e qytetarëve kemi marr iniciativë që të organizojmë transport publik për qytetarët tanë dhe ta zgjidhim këtë problematik. Ne mendojmë të lëshojmë në përdorim linjat Likovë-Kumanovë, Mateç-Likovë-Kumanovë si dhe Ropalcë-Nakushtak-Kumanovë, Llojan-Vaksincë-Kumanovë dhe Sllupçan që do të lidhet edhe me komunën e Gjilanit dhe anasjelltas për të gjithë linjat”, deklaroi ai.

Ndër të tjera kryetarët e dy komunave më herët kanë shprehur se kanë interes të hapin linja mes këtyre dy komunave, por deri më tani nuk ka pasur ndonjë rezultat. (koha.mk)

 

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm