E shtunë, 14 Shtator, 2024
22.8 C
Skopje

Bashkë me inflacionin, të ulen edhe çmimet!

Lidhur me politikat për kufizimin e çmimeve, kryeministri deklaroi se politikat e tilla nuk dhanë rezultate afatgjata, prandaj, ai vlerëson se çmimet e produkteve ushqimore duhet të jenë më të ulëta dhe apelon tek tregtarët që të ulin sa më shumë marzhat

Besa IBRAIMI

Shkup, 1 shtator- Inflacioni, sipas qeverisë është duke u qetësuar dhe në dy muajt e fundit është në nivelin 3%. Kryeministri Hristijan Mickoski doli publikisht me qëndrimin se ekziston mundësia që trendi i tanishëm i rënies së inflacionit mund të kthehet në deflacion, në vend që të ketë inflacion. “Niveli i inflacionit duhet të jetë edhe më i ulët. Do të doja të ketë deflacion në vend të inflacionit, por, fatkeqësisht, nga ai nivel i lartë me numra dyshifrore, 15, 16, 17%, këta dy muaj arritëm të stabilizonim rënien e lirë të shtetit dhe të institucioneve. Ajo që mund të them nga informacionet që kam është se niveli aktual i inflacionit është këtu”, tha Mickoski i cili iu përgjigj pyetjeve të qytetarëve për masat për luftimin e inflacionit, por edhe për vazhdimin e rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore.

Lidhur me politikat për kufizimin e çmimeve, kryeministri deklaroi se politikat e tilla nuk dhanë rezultate afatgjata, prandaj, ai vlerëson se çmimet e produkteve ushqimore duhet të jenë më të ulëta dhe apelon tek tregtarët që të ulin sa më shumë marzhat.

“Ne jemi ekonomi tregu, tregu dikton çmimet. Nëse shkojmë në një politikë kufizimi, atëherë e patë se çfarë rezultate na dha ajo politikë, na dha efektet e kundërta nga ajo që prisnim. Prandaj, politika e kësaj qeverie është të mbështesë investimet dhe jo të mbajë konsum publik të rritur e të fryrë artificialisht, sepse në atë mënyrë, paraja humbet vlerën dhe e njëjta shumë parash pas një muaji denominohet”, theksoi kryeministri.

Nga ana tjetër, ekspertët e ekonomisë theksojnë se problemi me inflacionin është shumë serioz dhe duhet punuar me seriozitet, pasi rritjet aktuale të çmimeve janë problematike. “Duhet të punohet me shumë kujdes, të hartohen politikat, pasi godet drejtpërdrejt në shportën e konsumatorit. Është e nevojshme të veprohen në mënyrë të koordinuar dhe të menaxhohet përzierja e politikave politike, fiskale dhe monetare, për të zgjedhur rezultatin më pak të keq”, deklaroi së fundmi profesori Abdulmenaf Bexheti.

Nga Banka Popullore thonë se norma e inflacionit është një nga treguesit bazë ekonomik në botë, përmes të cilit monitorohet ndryshimi i çmimeve në një ekonomi. “Në teorinë ekonomike, inflacioni nënkupton rritjen e nivelit të përgjithshëm ose mesatar të çmimeve në ekonomi. Nëse ndryshimi në nivelin e përgjithshëm është negativ, pra nëse çmimet mesatarisht bien, atëherë flasim për deflacion”, thonë nga BP duke shtuar se sot ekziston një konsensus i përgjithshëm për nevojën e mbajtjes së inflacionit të ulët dhe të qëndrueshëm si një parakusht për një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës. “Konsensusi i arritur rrjedh nga pasojat tashmë të konfirmuara të inflacionit të lartë, i cili krijon një mjedis të pasigurt dhe në këtë mënyrë shkakton deformime në vendimet e konsumatorëve dhe investitorëve”, thonë nga atje.

Nga ESHS thonë se inflacioni matet dhe monitorohet nëpërmjet një indeksi të përshtatshëm çmimesh, i cili mbulon një numër të caktuar produktesh dhe shërbimesh. “Lista e produkteve dhe shërbimeve, e përcaktuar për llogaritjen e indeksit, në thelb pasqyron strukturën e konsumit personal të një familje mesatare. Për shkak se është e pamundur të bëhet mbulimi i plotë, zakonisht bëhet një përzgjedhje e produkteve dhe shërbimeve që i nënshtrohen konsumit masiv”, njoftojnë nga ESHS duke shtuar gjithashtu se regjistrimi i çmimeve dhe llogaritja e indeksit të çmimeve bëhet edhe nga Enti Shtetëror i Statistikave. (koha.mk)

Artikuj të ngjajshëm