E enjte, 10 Tetor, 2024
20.8 C
Skopje

Bashkë për pastrimin e liqenit

Mbeturinat në liqen përfundojnë edhe nga Komuna rurale Qendër Zhupë nëpërmjet përroskave, por edhe nga fshatrat Xhepishtë dhe Otishan, të cilët hedhin mbeturina në periferi të tyre dhe të njëjtat mbarojnë në liqe

Vjollca SADIKU

Dibër, 29 qershor – Mbi 250 të rinj morën pjesë në aksionin ekologjik për pastrimin e ujërave të liqenit të Dibrës nga mbeturinat e shumta plastike, por jo vetëm. Në këtë aksion ekologjik morën pjesë të rinj nga shoqatat qytetare me përkrahje të Komunës Dibër dhe të kompanisë “Slajs Maqedoni”, nga Ndërmarrja Publike “Standardi” dhe u mbështet edhe nga disa kompani tjera. Organizatorët të këtij aksioni, Eduard Telqiu dhe Afrim Kërkuti, deklaruan se ndotja e liqenit të Dibrës ka përmasa të rrezikshme prandaj edhe aksioni ekologjik ka një domethënie të madhe. Sipas tyre, ky problem ekologjik duhet të tejkalohet meqë në ujërat e liqenit gjatë verës freskohen edhe një numër i madh i dibranëve, por edhe i turistëve nga qytetet e tjera. “Interesimi për këtë aksion është shumë i madh”, tha Telqiu dhe shoti se përkrahja e komunës është në nivel. Sipas Afrim Kërkutit, pastrimi i liqenit nga mbeturinat do të vazhdojë deri sa të pastrohen ujërat tërësisht.

Në aksionin mori pjesë edhe kryetari i Dibrës, Hekuran Duka dhe kryetari i Këshillit të Komunës, Bashkim Mashkulli. Kryetari Duka theksoi se komuna jo vetëm me pjesëmarrje të të punësuarve, por aksionin e mbështet edhe me angazhimin e makinerisë dhe mjete tjera për sigurimin e qeseve plastike, dorezave etj. “Kemi ndërmarrë të gjithë aktivitetet që problemi i ndotjes të liqenit të tejkalohet”, tha Duka, duke përkujtuar se pushteti vendor në kontinuitet organizon aksione për mirëmbajtjen e mjedisin jetësor. Megjithatë, ditëve të fundit liqeni i Dibrës i ngjet një deponie me mbeturina. Nga lumi Radikë në liqe përfundojnë shumë mbeturina plastike, por jo vetëm ato që vijnë nga fshatrat e Rekës të Poshtme.

Mbeturinat në liqen përfundojnë edhe nga Komuna rurale Qendër Zhupë nëpërmjet përroskave, por edhe nga fshatrat Xhepishtë dhe Otishan, të cilët hedhin mbeturina në periferi të tyre dhe të njëjtat mbarojnë në liqe. Duke marrë parasysh faktin se në plazhin e liqenit gjatë verës freskohen dhe relaksohen shumë të rinj, por edhe turistë, ndotja e liqenit paraqet edhe një problem shëndetësor. Shoqatat dhe pushteti vendor paralajmërojnë projekte për tejkalimin e situatës dhe ka mendime se vendosja e rrjeteve metalike tek ura e Kosovrastit do të ndihmonte ndaljen e mbeturinave që vijnë nga Komuna Mavrovë – Rostushë. Po ashtu, ka paralajmërime se të tre komunat – Dibër, Qendër Zhupë dhe Mavrovë – Rostushë janë shprehur të gatshme të ndërtojnë edhe stacione pastrimi për të mos ndot liqenin e Dibrës, i cili është edhe shtylla kryesore për zhvillimin e turizmit dibran.

(Me këtë shkrim, gazeta KOHA i bashkëngjitet fushatës “Kthjellohu”, që realizohet nga Instituti për Komunikime Studimore, e financuar nga Ambasada Britanike në Shkup)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm