Shkup, 15 janar – Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të drejtoreshës së Institutit të Shëndetit Publik, Marija Andonovska, e cila siç thuhet në reagimin e BDI-së, po ndjek një qasje të hapur diskriminuese me qëllim të nënshtrimit dhe përjashtimit të shqiptarëve nga ky institucion.
“Kontrolli i jashtëzakonshëm i Inspektoratit Administrativ Shtetëror, i iniciuar mbi një parashtresë anonime me përmbajtje tendencioze dhe antishqiptare, nuk është asgjë tjetër veçse një përpjekje e orkestruar për të larguar punonjësit shqiptarë dhe për të krijuar një ambient ku ata trajtohen si qytetarë të rendit të dytë. Që nga dita e parë në detyrë, Andonovska ka demonstruar hapur qëllimin e saj për të reduktuar praninë e shqiptarëve në këtë institucion, duke nisur me largimin e 8 punonjësve shqiptarë në administratën e Institutit , profesionist dhe teknik laborant dhe motra medicinale, largime nga pozitat udhëheqëse, izolim në zyra të veçanta dhe trajtim të pabarabartë në organizimin e punës”.
Gjithashtu, thuhet më tej në reagim, edhe anëtari i brendshëm i Këshillit drejtues që ka qenë shqiptarë është shkarkuar dhe nuk ka asnjë anëtar shqiptar të brendshëm. Për BDI-në, kjo politikë përjashtuese është e papranueshme dhe përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj barazisë dhe kohezionit shoqëror.
“BDI nuk do të lejojë që një qasje e tillë diskriminuese të kalojë pa reagim dhe kërkon nga institucionet përgjegjëse të ndërmarrin masa për të ndalur këtë padrejtësi. Diskriminimi etnik nuk ka vend në asnjë institucion publik dhe të drejtat e çdo qytetari duhet të respektohen pa dallim”, thuhet në fund të reagimit të partisë së Ali Ahmetit.
Në ndërkohë dje, Inspektorati Administrativ Shtetëror ka kryer një inspektim të jashtëzakonshëm në shkallë të gjerë në Institutin e Shëndetit Publik, ndërsa bëhet fjalë për një lajmërim anonim se, punonjës në departamentin e administratës në Institutin e Shëndetit Publik, dyshohet se janë punësuar ilegalisht, pa respektuar dispozitat e Ligjit për Administratën. Megjithatë, ankesa anonime drejtuar Inspektoratit më shumë mban “mllef antishqiptarë” sesa veprime antiligjore. Konkretisht, në ankesë theksohet se “Instituti është trajtuar si kompani private nga strukturat e mëparshme drejtuese” dhe se “shpalljet për zyrtarët administrativë janë publikuar vetëm në shtypin ditor dhe më pas nuk janë bërë as provime për nëpunës administrativ dhe as përzgjedhje”. Këtu, siç merr vesh gazeta KOHA, aludohet në drejtuesit shqiptarë të këtij Institucioni, ndërsa është pikërisht drejtoresha e re e Institutit, Marija Andonovska ajo e cila dëshiron ta pastrojë institucionin nga shqiptarët.
Në asnjë institucion shëndetësor, punonjësit nuk i janë nënshtruar asnjëherë provimit në Agjencinë e Administratës, ndërsa këtë nuk e kanë bërë edhe punonjësit e Qendrës për Shëndet Publik në Shkup. Qëllimi, siç merr vesh gazeta KOHA, është largimi i tre-katër punonjësve shqiptarë në administratën e Institutit, të cilët njëjtë sikurse të gjithë punonjësit në institucionet shëndetësore, nuk janë të detyruar të japin provimin e Agjencisë për Administratë.
Punonjësit thonë se me ardhjen e drejtores Andonovska, e cila më shumë merret me punonjësit shqiptarë sesa me menaxhimin e Institutit, ka rënë edhe puna e këtij institucioni. Mungojnë renegens dhe materiale pune, ndërsa këshilltare e drejtoreshës është emëruar një ish-punonjëse e Ndërmarrjes për Qarkullim në Qytetin e Shkupit, e cila profesion nuk e ka mjekësinë. Përveç drejtoreshës, mobing dhe keqtrajtim të punëtorëve bën edhe këshilltarja e saj, ndërsa për këtë janë njoftuar si ministri i Shëndetësisë, ashtu edhe kryeministri.
Ndryshe, që ditën e parë si drejtore e Institutit, Andonovska nisi me shkarkimin e shqiptarëve nga detyrat udhëheqëse, ndërsa për çdo ditë kryen mobing ndaj të punësuarve. Ka ndaluar përdorimin e gjuhës shqipe, ndërsa në një zyre, ka grumbulluar shqiptarët, të cilët ajo i konsiderohen si “të padëshiruar” dhe “të papërshtatshëm për vendin e punës të cilin e zotojnë”.