E martë, 3 Dhjetor, 2024
8.8 C
Skopje

BE MBRAPA ME EKONOMINË! Ish-kryeministri italian ofron zgjidhje!

Me avancimin e tyre të sigurt ekonomik, SHBA- ja dhe Kina e kanë lënë pas Bashkimin Europian. Kjo gjë doli në pah edhe në samitin e Budapestit, ku u dëshmua me vendet anëtare po kërkojnë të forcojnë më shumë aftësinë e konkurrencës. Ish-presidenti i Bankës Qendrore Europiane dhe ish-kryeministri i Italisë, Mario Draghi shpjegoi përpara 27 krerëve të shteteve dhe qeverive se Europa e ka mundësinë për të rifituar këtë aftësi. Draghi e bëri të qartë se koha nuk pret. Rizgjedhja e tifozit të doganave Donald Trump në SHBA i kanë bërë këto vendime “edhe më urgjente, se deri përpara një jave”, tha ai.

Në Budapest, njeriu që në periudhën e krizës së rëndë financiare të përpara 12 viteve shpëtoi si president i BQE-së monedhën e përbashkët, euron dhe shtetet e bllokut nga falimentimi u shpreh më së pari se 1. Europa duhet të lëvrojë çdo vit deri në 800 miliardë euro për investimet, shkencën, zhvillimin dhe infrastruktuën si dhe për mbrojtjen, që të mund të konkurrojë me SHBA-në dhe Kinën. Kuota e investimeve duhet të rritet nga 22 deri në 27 për qind të produktit bruto në vend. Tendenca në shumë vende anëtare për t’i ulur investimet, duhet të kthehet në kahun e kundërt.

Për financimin e investimeve publike BE duhet të marrë borxhe të përbashkëta për projekte të përbashkëta. Borxhet, barra e të cilave përpjesëtohet me kuotë ndër vendet anëtare të BE-së, janë marrë për herë të parë bashkërisht në nivel të BE-së në kohën e pandemisë së koronavirusit. Urgjentisht i nevojshëm është një union i tregut të kapitalitt, pra një qarkullim pa kufi i kapitalit dhe kredive ashtu si në kontinentin amerikan, në mënyrë që të mund të mobilizohen më shumë mjete financiare private.

BE-ja duhet të zgjidhë “problemin e saj me Kinën”. Ekonomia në Europë është shumë e varur prej zinxhirit të furnizimit nga Kina dhe nga Republika Popullore si treg i saj për eksportet, tha Draghi. BE duhet t’i kundërvihet konkurrencës pjesërisht jo korrekte dhe subvencioneve shtetërore nga Kina. Industria duhet të bëhet më e pavarur nga lëndët e para dhe furnizimi me pjesë këmbimi nga Kina. Degë të rëndësishme të industrisë dhe sipërmarrje të reja të teknologjisë me potencial zhvillimi duhet të mbahen dhe të themelohen në Europë. Kushtet për sipërmarrjet duhet të përmirësohen. Shumë firma që synojnë rritjen duan ta zhvendosin prodhimin jashtë Europës. Presioni do të rritet edhe më shumë, sepse presidenti i ri i SHBA-së, Donald Trump ka si objektiv që të vendosë dogana ndaj produkteve europiane në SHBA. Një strategji e unifikuar për industrinë e BE-së është e nevojshme për forcimin e sipërmarrjeve vendase, për të zgjidhur çështjet e taksave, zonës së prodhimit dhe të tregtisë.

Proceset e vendimmarrjes në BE duhet të jenë më të shkurtra dhe burokracia duhet të pakësohet. “Europa nuk arrin të koordinohet kur është e nevojshme. Rregullat europiane të vendimmarrjes nuk janë zhvilluar më tej, kur BE-ja u zgjerua dhe mjedisi global u bë më armiqësor dhe më kompleks”, sqaron Draghi në raportin e paraqitur krerëve të BE-së.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm