E premte, 4 Tetor, 2024
17.8 C
Skopje

BE, Rusia dhe SHBA-të zhvilluan bisedime sekrete disa ditë para sulmit të Nagorno-Karabakut

Zyrtarët e lartë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u takuan me homologët e tyre rusë për bisedime urgjente të fshehta në Turqi.

Kjo, për të zgjidhur ngërçin mbi Nagorno-Karabakun, vetëm disa ditë përpara se Azerbajxhani të niste një ofensivë ushtarake muajin e kaluar.

Takimi shënon një kontakt të rrallë – nëse përfundimisht të pasuksesshëm – midis Moskës dhe Perëndimit për një shqetësim të madh sigurie, pasi pushtimi i Ukrainës nga presidenti rus, Vladimir Putin, në shkurt 2022 përmbysi diplomacinë e rregullt.

Një diplomat i lartë me njohuri për diskutimet i tha “Politico-s” se takimi u zhvillua më 17 shtator në Stamboll, si pjesë e përpjekjeve për t’i bërë presion Azerbajxhanit që t’i japë fund bllokadës nëntë-mujore të enklavës dhe të lejojë hyrjen e autokolonave të ndihmave humanitare nga Armenia.

Sipas të dërguarit, takimi u fokusua në “si të lëvizin kamionët” dhe të sigurohet që furnizimet me ushqim dhe karburant mund të arrijnë te banorët e tij.

Shtetet e Bashkuara u përfaqësuan nga Louis Bono, këshilltari i lartë i Washingtonit për negociatat e Kaukazit, ndërsa BE dërgoi Toivo Klaar, përfaqësuesin e saj për rajonin.

Rusia, ndërkohë, dërgoi Igor Khovaev, i cili shërben si i dërguari special i Putinit për marrëdhëniet midis Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Një ndërveprim i tillë diplomatik i nivelit të lartë është i rrallë.

Në mars, Sekretari Amerikane i Shtetit, Antony Blinken dhe ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, dolën ballë për ballë në margjinat e takimit të G20 në Indi – por Moska këmbënguli se takimi ndodhi “në lëvizje” dhe nuk u zhvilluan negociata.

Në një deklaratë të dhënë për “Politico”, një zyrtar i BE-së tha se “ne besojmë se është e rëndësishme të ruhen kanalet e komunikimit me bashkëbiseduesit përkatës për të shmangur keqkuptimet”.

Azerbajxhani filloi një ofensivë rrufe kundër Nagorno-Karabakut më 19 shtator, duke dërguar tanke dhe trupa në rajon nën mbulesën e bombardimeve të artilerisë së rëndë.

Udhëheqësit armenë të Karabakut u detyruan të dorëzoheshin pas 24 orësh luftimesh të ashpra që vranë qindra nga të dyja palët.

Që atëherë, qeveria armene thotë se më shumë se 100 mijë njerëz kanë ikur nga shtëpitë e tyre dhe kanë kaluar kufirin, nga frika për jetën e tyre.

Azerbajxhani këmbëngul se ka të drejtë të ndërmarrë veprime kundër “formacioneve të armatosura të paligjshme” në territorin e tij të njohur ndërkombëtarisht dhe është zotuar të “riintegrojë” ata që kanë mbetur prapa.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm