E hënë, 16 Qershor, 2025
28.8 C
Skopje

Beckham kritikon Manchester United: Kam parë sjellje të papranueshme nga lojtarët

David Beckham nuk ka qëndruar në heshtje. Presidenti i Inter Miami, klubi ku luan edhe Lionel Messi, ka reaguar lidhur me sjelljet e disa lojtarëve të Manchester United pas ekspeditës në Azi.

Siç raporton ESPN, ish-lojtari i Atalantës, Amad Diallo, ka treguar gishtin e mesit ndaj një turme tifozësh jashtë hotelit të skuadrës në Kuala Lumpur (Malajzi), duke pretenduar se ishte fyer në lidhje me nënën e tij dhe pa shfaqur asnjë pendesë për gjestin. Ndërkohë, Alejandro Garnacho u përfshi në një përplasje të shkurtër me një tifoz që po e filmonte.

Manchester United vjen nga humbja 1-0 ndaj ASEAN All-Stars dhe fitorja 3-1 kundër Hong Kongut, por incidentet jashtë fushe kanë shkaktuar polemika.

Beckham, gjatë transmetimit të finales së Champions League në “CBS Sports”, ka thënë: “Nuk më pëlqen ajo që po ndodh me klubin. Është e vërtetë që rëndësi ka fusha, por po shoh shumë gjëra që, si tifoz dhe si dikush që e do Manchester United, nuk mund t’i pranojë. Duhet ta përfaqësosh me nder atë stemë. Kam parë sjellje të papranueshme nga lojtarët”.

Ish-mesfushori legjendar dhe ikonë e “Djajve të Kuq” shtoi: “Ne e dinim çfarë do të thoshte të luaje për Manchester United. E kuptonim peshën e asaj steme. Kudo që shkonim, në Europë apo në Azi, i respektonim tifozët. E respektonim faktin që ata paguanin për të na parë, për të marrë një autograf apo për të bërë një foto”.

Deklaratat e Beckham mund të nxisin reflektim te drejtuesit e klubit dhe, ndoshta, edhe te vetë lojtarët që nuk po tregojnë shpirtin e vërtetë të Manchester United.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm