E mërkurë, 19 Mars, 2025
3.8 C
Skopje

Berisha falë 8 mandate për aleatët, Tre koalicione përballë PS së Edi Ramës

Demokratët arritën të bindnin 25 parti të tjera për të formuar një koalicion me bazë të gjerë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Negociatat e zhvilluara deri në limitet e skadimit të afatit ligjor krijuan një formacion ku në brendësi të tij ka të majtë e të djathtë, konservatorë e liberalë, minoritarë grekë e çamë, nën emrin “Shqipëria Madhështore”. Qëllimi është maksimalizimi i votës për parlamentaret e 11 majit.

Në të tilla tratativa, ideologjitë dalin në plan të dytë dhe çdo ecje në selinë e PD-së ishte me një synim të qartë, marrjen sa më shumë emrave në listën e sigurt. Kësisoj, më e fituara duket se doli Partia e Lirisë, e cila do të ketë në listë të sigurt katër emra: Ilir Metën, Tedi Blushin, Erisa Xhixhon dhe Edmond Haxhinaston, shkruan A2 CNN.

Pa gjë nuk dolën as aleatët e tjerë, ndonëse pretendimet e tyre mund të ishin edhe më të mëdha. Kësisoj, Fatmir Mediu, Agron Duka, Vangjel Dule dhe Shpëtim Idrizi çimentuan nga një vend në listë të sigurt, duke e çuar në 8 numrin e mandateve që demokratët do t’u japin aleatëve, me shpresën se bashkimi me votat e tyre do të arrijë të prodhojë mandate të tjera përtej listës së mbyllur.

Koalicioni në total ka 26 parti, ku në gjirin e PD-së u rikthyen edhe ata që dikur ishin cilësuar si parlamenti i mandateve të djegura. Kësisoj, emrin në këtë formacion politik e ka edhe Kujtim Gjuzi apo Selami Jenisheri, por edhe ballistët e ndarë në dy parti, si Adriatik Alimadhi dhe Artur Roshi, së bashku me Legalistët të kryesuar nga Shpëtim Axhami.

Mbyllja e kësaj marrëveshje është një problem më pak për demokratët, por dhimja e kokës për hallet e brendshme nuk ka përfunduar. Deri në datën 12 mars, kryesia e PD-së së bashku me Berishën si kryetar, duhet të hartojnë listën e kandidatëve për deputetët, ku orekset e atyre që dolën fitues në primare nuk janë të vogla. Krahas “Shqipërisë Madhështore” të Sali Berishës, pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë regjistruar edhe dy koalicionet e tjera: “Dajthash për Zhvillim” me Dashamir Shehin dhe Enkelejd Alibeajn; si dhe formacioni tjetër, “Nisma Shqipëria Bëhet” me Adriatik Lapajn dhe Nismën Thurje. (A2 Televizion)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm