Kreu i PD-së, Sali Berisha ka reaguar nga Gjermania, lidhur me deklaratat e bëra sot nga kryeministri Edi Rama në Kuvendin Rinor të PS.
Berisha u shpreh se gjuha e përdorur nga kreu i qeverisë ishte skandaloze dhe se Rama në vend të fliste për të ardhmen e Shqipërisë, u mor me opozitën duke u faktuar të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë se nuk iu ofron asgjë tjetër, pos largimit të tyre nga vendi.
Reagimi i plotë:
Sot, Edi Rama në një llogore banale foli para të rinjve socialistë sikur të ishte i ati i tyre biologjik, ose i ati i tyre shpirtëror. Ai përdori të gjitha termat e marrë nga Parku Zoologjik dhe bota e tij shpirtërore për të anatemuar opozitën, në mënyrë që të mund të fshehë sadopak, apo të maskojë damkosjen e tmerrshme që ka marrë si kreu i organizatës kriminale të narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë, Shqipërisë.
Sot, para të rinjve, Edi Rama, nuk foli asgjë për punësimin e tyre, injoroi faktin se ky është sundimtari i vetëm që ka kryer një gjenocid ndaj të rinjve shqiptarë, duke larguar në 10 vite rreth 600 mijë prej tyre nga Shqipëria. Para këtyre që kanë mbetur nuk tha një fjalë për punësimin e tyre, për ëndrrat e tyre.
Në kohën e zhvillimeve të mëdha teknologjike, të resë kompjuterike, të dhënave big data, internetit dhe inteligjenca artificiale, ai nuk shqipëroi një fjalë për Shqipërinë e nesërme, por u mor fund e krye me opozitën që e ka damkosur dhe e ka zhveshur atë, i ka faktuar shqiptarëve se Edi Rama ka hyrë në histori si kryehajduti i kombit.
Gjeti kohë të merrej edhe me kundërshtarët e tij brenda partisë, të cilët kanë dhënë dhe japin një kontribut të veçantë për çdo shqiptar për të kuptuar, për të demaskuar aktivitetin e tij si kreu i organizatës kriminale të narkoshtetit.
Të dashur miq, me këtë fjalë Edi Rama i faktoi dhe të riut më të fundit në këtë vend se ai, përveç sharjeve, përveç fjalorit ordiner, përveç mbrojtjeve të krimeve të tij, të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë nuk iu ofron asgjë tjetër, pos largimit të tyre nga Shqipëria.
Partia Demokratike qendron e vendosur të bëjë gjithçka sot në kohën e teknologjive të mëdha, që çdo i ri dhe e re të ndërtojë në Shqipëri ëndrrën e tij, të shkollohet në mënyrë cilësore, të punësohet me përparësi, të drejtojë, të udhëheqë transformimin digjital të Shqipërisë. Shqipëria e risive kompjuterike, Shqipëria e big data-ve, Shqipëria e internetit dhe e inteligjencës artificiale, do të jetë Shqipëria e të rinjve shqiptarë.
Ndaj dhe, ftoj çdo të ri të ndjekë jo alternativën e një sharësi profesionist, që mbrohet me sharje, por alternativën e Partisë Demokratike që ofron me të vërtetë mundësi të mëdha për çdo të ri që të ndërtojë të ardhmen e tij në vendin e tij të bukur.