Vendimin e gjykatës që e detyron të paraqitet dy herë në muaj në SPAk, Sali Berisha e ka shndërruar në kryefjalë të aksionit politik të opozitës. Një herë në dy javë, sa herë kreu i Partisë Demokratike do të jetë i detyruar të paraqitet para oficerit të policisë gjyqësore, aq herë, mbështetësit opozitarë do të tubohen në protestë për të kundërshtuar prokurorët dhe gjykatësit që arrestuan dhe çuan në gjyq për privatizimin e klubit Partizani, në truallin që trashëgoi dhëndëri i tij, Jamarbër Malltezi.
Kjo fazë e re protestash zëvëndëson tubimet poshtë shtëpisë së Sali Berishës, të cilat u organizuan për më shumë se 333 ditë pa ndalim deri sa ai rifitoi lirinë.
Kur u pyet nga gazetarët se përse tani e pranon masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërkohë që një vit më parë refuzoi të bindej, Berisha vuri në dukje diferencën mes dy vendimeve të gjykatës. Ai tha se vendimi i dytë erdhi pasi u plotësua kërkesa e tij, që prokurorët të kalonin më parë përmes një procesi parlamentar, duke iu referuar raportimit të Arben Krajës dhe Enkelejda Millonait para deputetëve në Këshillin e Mandateve.
”Ka një procves parlamentar të pseudo-mazhorancës kundër meje, e cila e autorizoi drejtësinë. Unë nuk mund të them që nuk ekziston ajo. Pavarësisht se ishte antikushtetues, por ishte një proces parlamentar dhe unë në të gjithë kërkesën time nuk kërkova vetëm të zbatohet Kushtetuta. Ata nuk e zbatuan Kushtetutën, sepse e shkelën prap Kushtetutën, por parlamenti votoi. Përderisa votoi parlamenti…” u shpreh Berisha
Paraqitja në SPAK bashkë me qindra protestues që thërrasin emrin e tij, e shndërron Berishën në një të pandehur atipik, ndryshe nga dhjetëra politikanë të tjerë që kanë hyrë kokulur në prokurori, me druajtjen se herët a vonë do të përfundojnë në burg.
“Kjo do të më shtojë vota”
Protestat kundër SPAK u thirrën për herë të parë nga Ilir Meta, pas arrestimit të tij. Simpatizantë të Partisë së Lirisë u grumbulluan para SPAK me akuzat për përdorim politik të organit të akuzës, duke kërkuar lirimin e Metës nga burgu.
Për pozicionimin e Partisë Demokratike kundër SPAK ka pasur gjithnjë dallime brenda opozitës, por edhe brenda në partinë që drejtohet nga Berisha. Një pjesë e deputetëve, kryesisht ata që u bashkuan më vonë me Sali Berishën, refuzojnë ta akuzojnë SPAK-un si një vegël të Edi Ramës apo si një organizatë kriminale. Ndryshe nga Berisha që edhe në dalje përsëriti akuzat ndaj Altin Dumanit dhe prokurorëve të SPAK që sipas tij flenë mbi dosjet e krimit.
“Organizata kriminale Skapi i partisë kërkoi nga gjykatësi kukull që Sali Berishës t’i rikthehet arresti në shtëpi, jo se prish provat, jo se kanë asnjë fakt, por sepse ka sulmuar gjykatëset dhe prokurorët. Këtu ne arrijmë në një moment dramatik, në momentin kur këta kriminelë që flenë mbi dosjet e krimit dhe bashkëpunojnë me krimin, vendosin të bëhen xhelatë të fjalës së lirë” u shpreh Berisha duke vazhduar me akuzat ndaj Dumanit.
Për të gjithë ata që në protestat e Partisë Demokratike kundër SPAK, 5 muaj para zgjedhjeve, shohin një akt që e dëmton opozitën, Berisha tha se kjo do t’i shtojë votat dhe se shembulli i zgjedhjeve në SHBA tregoi të kundërtën.
“Përkundrazi, kjo masë sigurie do më shtojë më shumë votat sepse u faktua kjo. Këtë qëndrim mbajtën Sorosianët ndaj Donald Trump, po kombi amerikan dha verdiktin e vet” u shpreh ai.
Akuzat ndaj Taulant Ballës
Në dalje të SPAK, kreu i demokratëve publikoi një pjesë nga përgjimet e SKY ECC që sipas tij, Altin Dumani nuk i heton dhe që kanë të bëjnë me një marrëveshje të Taulant Ballës me bandën e Suel Çelës. Sipas Berishës, në këmbim të ndihmës për zgjedhjet e 2021, Balla mori një listë me persona për t’u arrestuar dhe në 29 Mars të vitit 2020 ndodhi arrestimi i Ardjan Çapjas dhe shpallja në kërkim e vëllait të tij, Florenc Çapja.
“Tani me datën 10.2.2020, target është njëri nga banditët e bandës së Elbasanit, informon me PIN, me telefonin e tij AM5P80, se kishin rënë dakord mes tyre që të mos i kërkonin Taos tender publik apo favore të tjera përveç atyre që kishin rënë dakord që t’i kërkonin Taos.
Ky mesazh iu përcoll Taos dhe i dhanë afat deri në dhjetor. Taos i kishin kërkuar arrestimin e kundërshtarëve të tyre.
Tao iu përgjigj kësaj: A garantoni që të gjithë ata njerëz do votojnë për ne nëse vendosim në listë ata që doni në burg? Pra, do na i siguroni ju votat nëse ne me listë i burgosim ata që kërkoni ju?
Përgjigjia ishte: Po, ne e garantojmë këtë.
Më pas Tao tha: Ata do shkojnë në burg këtë vit.
Tani, komenti tjetër.
Tao është fiks Taulant Balla, është një kriminel që është vetëm njëri nga të shumtat të dhëna që ka në dosjen e vet. Përgjigja është se ne garantojmë votat në qoftë se ti arreston listën që të kemi dhënë për të arrestuar. Sipas këtij premtimi u arrestuan Çapjat me kërkesë të Çelëve.
Kjo është e vërteta. Ata shkuan në burg në mars të vitit 2021, para zgjedhjeve, në mënyrë që Tao të dilte kampion i votave në Elbasan.
Çfarë del nga kjo? Që Tao përcakton tendera, që Tao përcakton vendimet e gjykatave, që Tao merr përsipër me listë arrestimet dhe në kundërpërgjigje, Tao merr garanci për votat. Ky është vetëm një aspekt i dokumenteve të pafundme që kam unë për organizatën kriminale që unë e quaj Skrapi i partisë” u shpreh Berisha.(Lapsi.al)