Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, është shprehur e bindur se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka arritur të largojë rrezikun imediat të vendosjes së sanksioneve ndaj Serbisë, pas sulmit terrorit në Banjë të Zveçanit.
Mesazhi më i rëndësishëm për serbët, sipas Bërnabiç, ishte se Vuçiç gjatë samitit të tretë të Komunitetit Politik Evropian në Granada, tha se “ka arritur ta ruajë Serbinë”.
“Kohët janë ende të vështira dhe se kriza nuk ka kaluar, po vijnë presione nga rajoni, në radhë të parë nga Kroacia, që situata në Kosovë të shfrytëzohet për të vendosur sanksione ndaj Serbisë”.
Bërnabiç e cila nuk u distancua nga terrorizmi ka vazhduar me propagandë duke pretenduar se pas ngjarjeve në Manastirin e Banjës, Kosova ka lëshuar “një ortek dezinformatash për të shfrytëzuar tragjedinë dhe për të shtyrë shtetet që të vendosin sanksione ndaj Serbisë”.
“Vuçiç ka arritur ta ndalë atë ortekun dhe ta stabilizojë situatën”, ka pretenduar ajo.
Pas sulmit terrorist, Bërnabiç tha se Prishtina zyrtare është në ofensivë diplomatike dhe po kërkon sanksione, por kjo nuk është befasi.
“Është e qartë për të gjithë se Serbia dënon të gjitha format e dhunës dhe se është për paqen dhe stabilitetin”, ka pretenduar ajo.