“Problemi kryesor është pamundësia e jonë për të mbushur aplikimet në mënyrë elektronike. Ka raste kur të punësuarit na ndihmojnë, por kjo ndihmë na duhet më shumë herë dhe në kontiunuitet. Meqë nuk kemi punëtorë sa duhet, jemi vetë të angazhuar të merremi me bagëtinë. Mbushja e aplikimeve kërkon kohë, por edhe dituri plotësuese”, tregon fermeri Axhibajram Çanka
Vjollca SADIKU
Dibër, 29 dhjetor – Blegtorët dibran, por edha ata të rajonit më të gjerë, viteve të fundit ballafaqohen me shumë probleme siç janë mungesa e krahut të punës, kushteve në kullosat verore, por edhe me pamundësinë për pjesëmarrje më të madhe për të përfituar mjete nga IPARD Programet të Bashkimit Evropian. Blegtorët ankohen se nuk kanë kuadro dhe mundësi për të kryer aplikimet elektronike, dhe kërkojnë që në këtë drejtim – nga njësitë të Ministrisë së Bujqësisë më shumë përkrahje për mbushjen e aplikimeve elektronike. Pikërisht ky problem faktikisht pamundëson edhe konkurrimin në IPARD Programet, mjete të cilët janë dedikuar për zhvillimin e bujqësisë në Maqedoninë e Veriut.
Vizituam fermën me lopët të fermerit dibran Axhibajram Çanka e cila ndodhet në periferi të Dibrës. Fermeri në fjalë posedon një fermë shumë moderne për çka një përkrahje të madhe financiare e ka edhe nga vëllai tij që jeton në SHBA. Axhibajrami na thotë se deri tani nuk ka shfrytëzuar para nga IPARD Programet dhe as nga projektet shtetërore.
“Jemi të angazhuar të gjithë si familje në këtë biznes. Posedojmë shumë automjete dhe pajisje të tjera për bujqësi dhe blegtori, dhe me sukses jemi duke punuar me fermën. Por edhe pse kemi kushte shumë të mira për të rritur numrin e bagëtisë në fermë, nuk kemi mundësi të konkurrojmë për mjetet që ndahen nga Programet IPARD. Problemi kryesor është pamundësia e jonë për të mbushur aplikimet në mënyrë elektronike. Ka raste kur të punësuarit na ndihmojnë, por kjo ndihmë na duhet më shumë herë dhe në kontiunuitet. Meqë nuk kemi punëtorë sa duhet, jemi vetë të angazhuar të merremi me bagëtinë. Mbushja e aplikimeve kërkon kohë, por edhe dituri plotësuese”, tregon për gazetën KOHA fermeri Axhibajram Çanka. Ai po ashtu potencon se shpesh ndodh të kërkojë ndihmë nga administrata në njësinë e Ministrisë për të blerë bagëti nga vendet tjera të rajonit, por atje nuk merr informata në kohë.
“Zvarritet deri 3 muaj kërkesa për blerjen e lopëve nga Italia, edhe pse nga Italia kemi dritë jeshile”, shton fermeri Çanka. Probleme me mbushjen e aplikimeve elektronike ka edhe anëtari i shoqatës së blegtorëve dibran, Skënder Ame. Ai potencon se në situatë kur mungojnë barinjtë, familjarët e tij janë të detyruar të merren edhe më këtë aktivitet.
“Kam mbi 600 krerë dhen dhe probleme kam me kujdesin për ata, dhe nuk mbetet kohë për tu marrë me aplikimet për të përfituar nga fondet evropiane, siç janë IPARD Programet. Ne na nevojitet më shumë përkrahje nga të punësuarit në Njësinë e Ministrisë së Bujqësisë për mbushjen e aplikimeve elektronike. Ndodh që ndonjëherë ndihmojnë, por na duhet një përkrahje në kontinuitet”, thotë blegtori Ame. Ai sqaron se për të përfituar mjete nga këto programe, duhet një angazhim maksimal. “Kërkohen shumë dokumente, të cilët ne aktualisht nuk mund ti kompletojmë”, shton ai.
Po të njëjtat probleme i kanë edhe blegtorët të tjerë në Dibër, por edhe në komunën rurale Qendër Zhupë. Në takimet që kanë shpesh blegtorët në shoqatën “Dashi” kërkojnë një përkrahje më të madhe nga të punësuarit në njësinë e Bujqësisë. Fakti që Dibra dhe rajoni kishin para një dekade mbi 40 mijë krerë dhen, e tani kanë vetëm 30 mijë, tregon qarët se zhvillimi i blegtorisë ngec. Në njësinë të ministrisë në fjalë në Dibër thonë se ndihmojnë aq sa munden, meqë kanë edhe angazhime të tjera gjatë orarit të punës. (koha.mk)