Sektori bujqësor në vend gjatë vitit 2026 po përballet me rritje të vazhdueshme të kostove të prodhimit dhe investimeve, ndërsa paralelisht po regjistrohet edhe rritje e çmimeve të produkteve bujqësore, veçanërisht në sektorin e prodhimit të bimëve
Albina REKA
Shkup, 21 maj- Sipas Entit shtetëror të statistikave, çmimet në bujqësi gjatë muajit prill 2026 kanë shënuar rritje të konsiderueshme krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Sipas të dhënave të publikuara, çmimet e inputeve bujqësore janë rritur me 4.2 për qind, ndërsa çmimet në sektorin e prodhimit bujqësor kanë shënuar rritje prej 10.8 qind, duke treguar një trend të vazhdueshëm të rritjes së kostove dhe vlerës së prodhimeve në bujqësi.
Rritja e çmimeve është regjistruar si në sektorin e hyrjeve, ashtu edhe në sektorin e daljeve të bujqësisë. Në seksionin e inputeve, gjatë prillit 2026 krahasuar me prillin 2025, çmimet e inputit 1, që përfshijnë fondet e shpenzuara aktualisht në bujqësi, janë rritur me 3.9 për qind. Këto shpenzime lidhen me aktivitetet e përditshme bujqësore dhe paraqesin një pjesë të rëndësishme të kostove të prodhimit për fermerët dhe prodhuesit bujqësorë në vend. Njëkohësisht, çmimet e inputit 2, që përfshijnë fondet e destinuara për investime në bujqësi, kanë shënuar rritje edhe më të lartë prej 7.1 për qind. Kjo tregon se investimet në pajisje, makineri dhe zhvillim të kapaciteteve bujqësore janë bërë më të kushtueshme krahasuar me vitin paraprak.
Në seksionin e prodhimit, ndryshimet më të mëdha janë vërejtur në prodhimin e bimëve. Çmimet e prodhimit të bimëve në prill 2026 janë rritur me 13.6 për qind krahasuar me prillin 2025, duke reflektuar rritjen e çmimeve të kulturave bujqësore dhe prodhimeve bimore në treg. Kjo rritje paraqet një nga ndryshimet më të theksuara në sektorin bujqësor gjatë kësaj periudhe.
Nga ana tjetër, prodhimi blegtoral ka shënuar një ulje të lehtë. Çmimet e prodhimit blegtoral janë ulur me 0.3 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke treguar një stabilitet relativ në këtë sektor, ndryshe nga rritja e evidentuar në prodhimin e të korrave. Sipas të dhënave kryesore të raportit, në prill 2026 krahasuar me prillin 2025, çmimet në prodhimin e të korrave janë 13.6 për qind më të larta, ndërsa në prodhimin blegtoral janë 0.3 për qind më të ulëta. Në të njëjtën kohë, në seksionin e hyrjeve, shpenzimet aktuale për bujqësinë janë 3.9 për qind më të larta, ndërsa fondet e destinuara për investime në bujqësi janë rritur me 7.1 për qind. (koha.mk)




