E shtunë, 7 Shtator, 2024
27.8 C
Skopje

Blerja e stazhit për ditë tjera

Blerja e stazhit apo përvojës së punës nuk është aktualisht ndër prioritetet qeveritare. Informatat fillestare thonë se nuk do të mund të blihet më shumë se pesë vite përvojë e punës

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 25 janar – Blerja e stazhit apo përvojës së punës nuk është aktualisht ndër prioritetet qeveritare. “Blerja e stazhit është një proces që po zgjat dhe vazhdon , mirëpo përderisa të miratohet një ligj i tillë ekzistojnë edhe prioritete të tjera. Megjithatë deri në fund të mandatit apo deri në fund të vitit 2024 do të plotësohet edhe ky premtim parazgjedhor”, thotë ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska. Me fjalë të tjera, për momentin është anuluar projekti i paralajmëruar për blerjen e stazhit. Në muajin gusht të vitin të kaluar, kryeministri Zoran Zaev paralajmëroi miratimin e Ligjit të ri për blerjen e stazhit. Sipas tij, po rriten të ardhurat në Fondin Pensional edhe në kohën e pandemisë me 7 deri 8 për qind në raport me rritjen para krizës me 12-13 për qind . gjithashtu Fondi është stabilizuar , andaj edhe ka mundësi që qytetarët të mund të pensionohen më herët përmes blerjes së stazhit, shto ai.

Megjithatë informatat fillestare thonë se nuk do të mund të blihej më shumë se pesë vite përvojë e punës. Nga Lidhja e Sindikatave kanë propozuar kohë më parë që punëtorët nga profesionet e ndryshme në varësi prej peshës dhe specifikave të punës , të mos pensionohen nën të njëjtat kushte. Lidhja e Sindikatave ka kërkuar pension të moshës me 35 vjet përvojë pune për gratë dhe 30 vjet përvojë punë për burrat përkundër moshës. Me fjalë të tjera, kërkesa ka qenë që pensioni i moshës, të fitohet në bazë të moshës apo përvojës së punës, në varësi prej veprimtarisë ku punohet. Pra sindikatat vlerësojnë se në rast se përcaktohen kushtet e ndryshme për pensionim, ato nuk do të jenë jo obliguese por punëtori do të mundet të vendos nën cilat kushte do të pensionohet. Propozohet edhe vendosja e pensionit të parakohshëm të moshës , me çka me së paku 15 vite përvojë pune dhe moshë 60 vjet do të shkohet në pension. Përfitues do të ishin personat që punojnë por për shkaqe shëndetësore nuk mund të vazhdojnë me punë, ndërsa nuk mund të fitojnë pension invalidor për shkak të falimentimit të ndërmarrjeve, apo janë të papunë dhe plotësojnë kushtin prej 15 vite të stazhit minimal të punës. Kërkohet nga qeveria që t’ju mundësohet punëtorëve që vetë të paguajnë kontributet për sigurim pensional, në rast se nuk e plotësojnë kushtin për 15 vite përvojë pune, apo ju mungojnë tre vite për të plotësuar kushtin prej 15 vite për pension.

Nga Konfederata e Sindikatave të Lira, e pranojnë mundësinë e pensionimit të parakohshëm, por shtojnë se kufiri i moshës për pensionim duhet të jetë 57 deri 59 vjet për gratë dhe 59 deri 61 vjet për burrat. Në rast se shkohet në pension më të hershëm, do të ulet përqindja e pensionit, por me kalimin e moshës prej 62 dhe 64 vjet, ato do të fitojnë pensionin e plotë, thonë nga kjo sindikatë. Nga Organizata e Punëdhënësve, thonë se ekzistojnë tre mundësi për pensionim më të hershëm si blerja e stazhit për personat që nuk kanë minimalisht 15 vite përvojë pune me qëllim që të realizojnë të drejtën e pensionit, blerja e stazhit për pensionim më të hershëm dhe pensionimi i obligueshëm për personat me 62 dhe 64 vjet. Në ndërkohë, në vitin 2015 u mundësua blerja stazhit që ju mungonte atëherë punëtorëve të paguajnë kontributet e papaguara deri më 31 dhjetor të vitit 2008. Arsyetimi ishte se ju ndihmohet një numër të madh të qytetarëve që në periudhën e tranzicionit për shkak të mbylljes së firmave si rrjedhojë e falimentimit apo likuidimit , kanë humbur vendet e punës dhe nuk ju janë paguar kontributet për pension.

Ndryshe, në Kuvend presin për miratim ndryshimet e Ligjit për pensionim me të cilat burrat do të shkojnë në pension të obligueshëm me 64 vjet dhe gratë me 62 vjet me 15 vjet përvojë pune, ku përjashtim do të bëjnë vetëm kuadrot deficitare në shëndetësi dhe arsim. Me ndryshimet e legjislacionit, parashikohej që deri në fund të vitit 2021 të pensionohen të gjithë të punësuarit në sektorin publik, me përjashtim të mjekëve dhe profesorëve universitar. Kjo ndër të tjerash parashikohet në plotësimet dhe ndryshimet e Ligjit për marrëdhënie pune që gjendet në procedurë parlamentare. Tani është e pritshme që të gjithë profesionet e tjera që kanë marrëdhënie pune deri në 67 vjet do të shkojnë në pension. (koha.mk)

Artikuj të ngjajshëm